Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kujtuar përmes një statusi dy vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, datë kjo që lidhet ngjarjet që ndodhën saktësisht 22 vjet më parë në Pashtrik.
Hoxhaj ka thënë se më 14 dhjetor 1998, komandant Mujë Krasniqi me bashkëluftëtarët e tij zhvilluan një prej betejave që shënon historinë e lavdishme të Kosovës.
“Ashtu siç luftuan atë ditë, një për të gjithë dhe të gjithë për një, ashtu edhe ranë, heroikisht, sepse, Muja dhe shokët e tij nuk donin tjetër përfundim. Flijimi për Atdhe për ta ishte bekim dhe përmbushje e idealit për të cilin kishin jetuar “, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ai gjithashtu tha se ushtarët e dinin se shpirti i tyre do të shndërrohej në shkëndijë, që do të ndriçonte më pas rrugën drejt çlirimit, shtet-formimit dhe krijimit të një ushtrie të cilën e gëzojmë sot.
Postimi i plotë:
Sot po festojmë dy vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, në një datë e cila lidhjet i ka edhe në ngjarjet që ndodhën saktësisht 22 vite më parë, në Pashtrik.
Me 14 dhjetor 1998, komandant Mujë Krasniqi me 40 ushtarë, zhvilluan një prej betejave që shënon historinë e lavdishme të Kosovës.
Ashtu siç luftuan atë ditë, një për të gjithë dhe të gjithë për një, ashtu edhe ranë, heroikisht, sepse, Muja dhe shokët e tij nuk donin tjetër përfundim. Flijimi për Atdhe për ta ishte bekim dhe përmbushje e idealit për të cilin kishin jetuar.
Ata e dinin se shpirti i tyre do të shndërrohej në shkëndijë, që do të ndriçonte më pas rrugën drejt çlirimit, shtetformimit dhe krijimit të një ushtrie të cilën e gëzojmë sot.
Sot e deri në përjetësi, krenarë dhe falënderues ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lavdi jetës së Mujë Krasniqit, shokëve të tij dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.