[wp-story]

Lajme

Familja katër anëtarëshe në Prishtinë jeton mes mjerimit dhe vuajtjeve

Familja katër anëtarëshe në Prishtinë jeton mes mjerimit dhe vuajtjeve
15:11 | 14 Prill 2021

Varfëria dhe mjerimi është ulur “këmbëkryq” tash e shumë kohë në familjen Gashi në fshatin Busi të Prishtinës. Katër anëtarët e kësaj familje, dy prej të cilëve kanë probleme me shëndetin mendor, po jetojnë në një rrëmujë, ku ngjan me një shtëpi banimi. Trupat dhe rrobat e tyre kundërmojnë nga era e rëndë që vjen nga mospastrimi dhe ambienti i dëmshëm ku po jetojnë. Çdo ditë vijnë në Prishtinë për të kërkuar lëmoshë, derisa ushqimi që qëndron kudo është i dëmshëm për shëndetin e tyre. Nga Qendra për Punë Sociale thonë se nuk kanë qenë më herët në dijeni për këtë rast dhe se do të kujdesën për këtë familje.

Në skamje, shëndetlig, të pavetëdijshëm për veprimet e tyre, po jetojnë burrë e grua me fëmijët binjakë. Në fshatin Busi, gjithë çfarë shihet në dy dhomat e kësaj shtëpie është rrëmujë. Ushqimi të cilin e sigurojnë duke kërkuar lëmoshë, shihet kudo. Janë të rrezikuar nga ushqimi që e konsumojnë, për shkak të kushteve jo të mira higjienike në të cila ruhet.

Nuk janë të rralla edhe rastet kur përdoret dhunë. Vëlla e motër të moshës pesëvjeçare, varfëria ua ka vjedhur gëzimin e fëmijërisë.

Kjo familje është vizituar  dje dhe sot. Dje nuk ishin fare në shtëpi, ndërsa sot në mëngjes e gjithë familja është parë në rrugë.

Mbesa e S.G, e cila frikësohet të identifikohet, rrëfen për KosovaPress jetën këtu dhe tmerrin që është duke e përjetuar çdo ditë.

“Këta janë të sëmurë të dy, janë të paaftë, kështu dalin lypin. Na boll vështirë e kemi kur po i shohim ashtu, sidomos fëmijët, janë shumë në gjendje të rëndë. Dalin, nganjëherë edhe mbledhin hekura, nganjëherë dalin ashtu kush t’ju jep nëpër Prishtinë. Ju japin, harxh kanë sa të duash, por çka me bo”, flet ajo për KosovaPress.

17-vjeçarja lutet që kjo që po përjeton të jetë ëndërr, meqë frika e përjetuar thotë se është bërë e tepërt. Ajo është e vetmja që po kujdeset për ta, e po ashtu me hallën e saj me të cilën jeton në një shtëpi. Edhe ajo nuk është në gjendje më të mirë. Pothuajse e njëjtë është gjendja edhe babait të saj.

“Babin e kam të sëmurë, ashtu edhe xhaxhain, hallën edhe dy fëmijë të tjerë të xhaxhait janë të sëmurë. Është shumë vështirë edhe për neve. (Babai) Na ka sjellë shumë probleme, na ka nxjerrë dy herë prej shtëpisë, kemi shkuar dy javë te dajtë. Jemi frikësuar shumë se po na mbyt, kemi pasur frikë. Këndej xhaxhin, këndej babin, nuk kemi guxuar të dalim prej shtëpisë. Tre muaj gati nuk patëm shkuar në shkollë se u tutshim që po na i mbyt mamin”, rrëfen ajo.

Ajo mes lotëve tregon dhunën që e ka përjetuar shumë herë nga xhaxhai i saj, ndërsa veçon edhe momentin kur ndërhyri për të shpëtuar motrën e saj nga dhuna që ngjante si terror.

“Zor shumë se po tutemi, unë po tutna shumë, sidomos prej xhaxhit. Edhe kur ta shoh tutna, se më kujtohet kur më ka rreh, ka pas me ma mbyt motrën. Unë kam hyrë midis motrës time se i ka ra shtagë në shpinë, tani thash sa e mbyt motrën time me mbrojt. Tani më ka ra edhe mu, kur e pash mami tu thonë ‘mos ma mbyt çikën’, gjithë më kujtohet edhe ndjehem shumë keq”, tregon mes tjerash ajo.

Ajo sa herë që takohet në oborrin e shtëpisë me S.G, frikësohet që do e mbysë, pasi ky është mendimi i parë që i vjen në mendje sa herë e sheh atë.

“Sa herë ta shoh xhaxhin, nuk e shoh si xhaxhi por e shoh si një njeri që ka pasur të më mbysë”, tregon ajo.

Thotë se edhe fëmijët e S. G dhe F.G, prindërit e dy fëmijëve pesëvjeçarë frikësohen nga prindërit e tyre. Është dëshmitare edhe e dhunës që përdoret ndaj tyre.

“Edhe ne kemi vendosur të dalim prej këtu, po vijnë po na gjuajnë me gurë, u bo jeta shumë e vështirë edhe për neve këtu. Se po tutemi, realisht ne as jashtë nuk guxojmë me dal prej tyre se frika është e madhe. Ti del, të gjuan me gur, ti nuk ki çfarë i bën. Pak me prek djalin ose çiken, del S. të mbyt shkop”, shton ajo.

Edhe komshinjtë përreth tregojnë në kushte anonimiteti se janë të rrezikuar nga të dy zotët e shtëpisë, meqë të njëjtit po ua rrahin fëmijët.

Ushtruesi i detyrës së Qendrës për Punë Sociale, Blerim Shabani. Ai ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni deri dje për këtë rast. Mirëpo, është zotuar që do të marrin të gjithë hapat për të ndihmuar familjen katër anëtarëshe.

Benzinë vetëm 1.05 euro në Petrol Company e shumë zbritje tjera në “Be Happy Restorant” dhe Market

Të tjera