[wp-story]

Lajme

Elezi: Vetëm një parti ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë

Elezi: Vetëm një parti ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë
18:46 | 05 Shtator 2019

Kanë mbetur edhe një ditë kohë, për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Megjithatë deri më tani vetëm një parti ka dorëzuar listën për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Partitë politike janë duke përgatitur listat me kandidatët për deputetë, të cilët synojnë të zënë ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi për media në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thotë për KosovaPress se aplikimi i parë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje është dorëzuar sot.

Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, partitë politike kanë vendosur edhe caktimin e disa emrave të cilët do të kandidojnë për deputetë. Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa thotë se kanë pranuar propozimet nga degët e LDK-së, mirëpo ende nuk është vendosur se cilët do të jenë kandidatët.

Sipas tij, LDK ka parim që ata që janë të dënuar nga organet e drejtësisë, nuk do të përfshihen në listën e kandidatëve.

Thotë se do të respektojnë kuotën gjinore në përfshirjen e grave në listën e kandidatëve për deputetë, derisa zotohet se do të tejkalohet edhe 30 për qindëshi, siç është edhe i paraparë.

Mustafa mes tjerash thotë se me kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre,  LDK tregon që i jep rëndësi të veçantë përfaqësimit të gruas në politikë.

Disa nga emrat që tashmë dihen të kandidatëve për pjesëmarrje në legjislaturën e ardhshme nga LDK janë Kujtim Shala, Besa Gaxherri, Ramiz Kelmendi, Shkumbin Gashi, Mikete Hajdari, Fatmir Sejdiu, Doruntinë Maloku, Ekrem Hyseni, Florie Besholli, Florian Dushi, Sali Asllanaj, Muharrem Svarqa, Mirjeta Kalludra, Isuf Berisha, Nexhmi Rudari, Visar Hoti, Fidan Rekaliu, Shqipe Ramaj, Bexhet Kuçi,  Shkëmb Manaj, Shkelzen Hajdini, Ilir Tasholli dhe Vlora Limani-Hajnuni.

LDK në këto zgjedhje do të garojë me Vjosa Osmanin, si kandidate për kryeministre, teksa kjo parti, sikurse të tjerat, do të kenë mundësinë që t’i kenë nga 110 kandidatë në listën zgjedhore.

Listën me kandidatë për deputetë është duke e finalizuar edhe Nisma Socialdemokrate. Çerkin Dukolli nga kjo parti thotë se do të ketë kandidatë me kredenciale të larta.

Nisma Socialdemokrate do të garojë në koalicion me Aleancën Kosova e Re, në marrëveshjen të cilën e kanë arritur këto dy parti, bartës i listës do të jetë Fatmir Limaj.

Kandidatët për deputetë nga Partia Socialdemokrate janë të gjithë deputetët e legjislaturës së kaluar, përveç Aida Dërgutit, si: Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Driton Çaushi, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Faton Topalli, Sali Salihu, Besa Baftiu e Frashër Krasniqi. Të paktën kështu kishte deklaruar Shpend Ahmeti. E zëdhënësja për media në këtë parti Natyra Kuçi thotë se në mesin e 25 kandidatëve, do të ketë edhe emra të ri.

Petrol Company në muajin e shenjtë të Ramazanit, dhuron pako ushqimore per familjet nevojtare në qytetin e Vitisë

Të tjera