Mosmarrëveshjet e mëhershme mes dy grupeve të armatosura ishin shkaku i përleshjes së armatosur në Prishtinë, mbrëmjen e 1 shtatorit, që la të vrarë një person, ndërsa pesë të tjerë u plagosën.
Në gjuajtjen me armë që ndodhi në lagjen “Aktash” në Prishtinë, janë përfshirë familja Gashi (të njohur ndryshe si ‘Capat’) dhe familja Sekiraqa.
Rasti i mbrëmshëm është vetëm një nga shumë raste që kanë ndodhur kohët e fundit, duke theksuar shqetësimet për sigurinë publike në vend.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, statistikat për vrasjet dhe armët e konfiskuara janë alarmante:
Gjatë periudhës janar-gusht 2023 janë raportuar 20 vrasje, ndërsa nga janari deri më 20 gusht 2024 janë regjistruar 11 vrasje.
Në vitin 2023 janë raportuar gjithsej 29 vrasje, në krahasim me 21 vrasje gjatë vitit 2022. Po ashtu, numri i armëve të konfiskuara ka pësuar një rritje të ndjeshme: gjatë periudhës janar-korrik 2023 janë konfiskuar 636 armë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky numër ka arritur në 814 armë.
Për vitin 2023, janë konfiskuar gjithsej 1392 armë, krahasuar me 1473 armë gjatë vitit 2022.
Ekspertët e sigurisë kanë komentuar për FrontOnline ngjarjen e mbrëmshme dhe situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, duke theksuar nevojën për një rishikim të menjëhershëm të strategjive të sigurisë dhe forcimin e masave për parandalimin e dhunës dhe përdorimit të armëve
Avni Islami: Policia e Kosovës zakonisht tregon profesionalizëm , mirëpo është e pamundur që gjithmonë të qëllojë në rastin e ngjarjes
Avni Isami eskpert i sigurisë ka komentuar për FrontOnline ngjarjen e vrasjes që ndodhi mbrëmë në Prishtinë, duke theksuar se kjo nuk është një dukuri e izoluar në Kosovë.
“Ky fenomen nuk është ekskluzivisht vetëm në vendin tonë; ai ndodh edhe në vende më të zhvilluara ku ekzistojnë konflikte shoqërore dhe grupime që nuk iu binden ligjeve të shtetit,” tha Islami.
Ai shtoi se, sipas statistikave kriminologjike, Kosova ka një shkallë më të ulët të kriminalitetit dhe organizatave mafioze në krahasim me vendet e rajonit, përfshirë Serbinë.
Islami vlerësoi përpjekjet e Policisë së Kosovës për të parandaluar ngjarje të tilla, duke e cilësuar si një institucion që ka treguar profesionalizëm në shumicën e rasteve.
Megjithatë, ai theksoi se është e pamundur që policia të parandalojë gjithmonë çdo incident. “Një rast i tillë duhet të trajtohet si një ngjarje e izoluar dhe është e rëndësishme që shoqëria të vetëdijesohet më shumë,” përfundoi Islami, duke bërë thirrje që drejtësia të bëhet përmes institucioneve dhe jo nga individë të caktuar.
Drizan Shala: Po cenohet rendi dhe siguria publike nga grupet kriminale
Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, për FrontOnline se veprimet e individëve dhe grupeve kriminale kanë motive të tjera përveç aktiviteteve nacionaliste, dhe janë kryesisht për “qërimin e hesapeve”.
Ai theksoi se këto veprime po cenojnë rëndë sigurinë publike dhe kërkoi që mekanizmi i sigurisë së Policisë së Kosovës të hartojë një ri-konceptim të strategjisë për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Shala gjithashtu nënvizoi se armët ilegale janë një element kryesor në këto përplasje dhe përdoren për të realizuar qëllimet e individëve dhe grupeve kriminale.
“Veprimet e individëve dhe grupeve kriminale në vend që motive kanë jo aktivitet me motive nacionaliste por qërim te hesapeve janë duke cenuar rend sigurinë publike që ka mbetur anash nga veprimet ne mbrojtjen e sigurisë nacionale të vendit.
Mekanizmi i sigurisë së Policisë do të duhet hartoj një ri-konceptim të strategjisë në veprim për të mbrojtur jetën e qytetareve dhe pronës se tyre në pjesën e sigurisë publike në vend.
Armët ilegale janë kryesisht element kryesor i qërimit të hesapeve që përdoren ne veprim të tyre individëve dhe grupeve kriminale”, tha Shala.
Bedri Elezi: Rasti i mbrëmshëm në Prishtinë tregon performancën e dobët të Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës
Bedri Elezi, ekspert i sigurisë, shprehu për FrontOnline shqetësim të thellë për situatën e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.
Ai theksoi se cenimi i sigurisë publike është rezultat i aktiviteteve që tregojnë se qytetarët e Kosovës po marrin ligjin në dorë dhe po përdorin armë të gjata, siç ishte rasti i përdorimit të 100 plumbave. Elezi kërkoi që institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë për Siguri Publike, të ndërmarrin masa urgjente për të krijuar plane operative që do të ndihmojnë në parandalimin e rasteve të tilla dhe për të përmirësuar besimin e qytetarëve në institucionet e zbatimit të ligjit.
“Vërtetë jemi shumë të shqetësuar me sigurinë publike në Republikën e Kosovës dhe krejt kjo për shkak të zhvillimeve që janë duke ndodhur në pjesën e sigurisë publike
Fakti që në rastin konkret referuar policisë së Kosovës janë përdoru 100 plumba tregon se në çfarë mase është cenuar siguria publike dhe se në çfarë niveli janë rrezikuar qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët mund të ishin në zonën ku ka ndodhur ky rast .
Institucionet e Republikës së Kosovës ,Ministria e punëve të Brendshme ,Drejtoria për Siguri Publike e cila është themeluar pikërisht për të hartuar plane të caktuara për parandalimin e rasteve të tilla duhet urgjentisht të marrë masa për të krijuar plane operative sidomos te krijimi i besimit të qytetarëve në institucionet e zbatimit të ligjit dhe më pas të krijojë edhe raporte të cilat mund të shfrytëzohen si matje për të konstatuar gjendjen aktuale dhe për të marrë veprime krahas konstatimeve që bëhen”, u shpreh Elezi.
Ai theksoi nevojën për një kontroll të rreptë të armëve dhe për trajnime të detyrueshme për përdoruesit e armëve.
Elezi nënvizoi se shumë qytetarë përdorin armët pa kuptuar rrezikun real që ato paraqesin, duke u bazuar në pamjet në video dhe filma.
“Sigurisht njëri nga veprimet që duhet ndërmarrë në këto plane operative që i përmenda është ndërmarrja e veprimeve për të larguar nga duart e njerëzve që janë in kompetente dhe për të cilët në pa mundësi për të pasur njohuri rreth rrezikut që bart arma mund të shkaktojnë dhe rrezikimin e përgjithshëm të qytetarëve.
Prandaj mund të them që një ndër veprimet e para duhet të ndërmarrim janë të largohen të gjitha armët sidomos nga personat që kanë të kaluar kriminale “, deklaroi Elezi.
Ai kritikoi performancën e dobët të institucioneve të drejtësisë dhe kërkoi masa më të forta për të parandaluar dhe ndëshkuar kriminelët. Elezi theksoi se është e domosdoshme që të largohen armët nga personat me të kaluar kriminale dhe të forcohen kontrollet dhe procedurat për legalizimin dhe përdorimin e armëve.
“Kjo është një performancë e dobët e policisë së Kosovës e prokurorisë dhe e gjykatës të cilët ndajnë dënime të lehta apo veprojnë në baza korruptive ku kriminelët ë caktuar mund të gjejnë drejtësinë duke paguar atë dhe duke përdoru sekserë të ndryshëm të cilët mund të jenë edhe brenda edhe jashtë gjykatave të republikës së Kosovës apo edhe jashtë prokurorisë sepse kemi parë shumë raste ku njerëz janë liruar nga dënimi i tyre siç ishte ky rasti i fundit ku e kanë cenuar edhe lirinë e qytetareve të Republikës ë Kosovës”, përfundoi Elezi.