[wp-story]

Lajme

Dy zyrtarë të MPMS-së akuzohen se u mundësuan shtetasve nga Shqipëria të marrin statusin e veteranit të luftës

Dy zyrtarë të MPMS-së akuzohen se u mundësuan shtetasve nga Shqipëria të marrin statusin e veteranit të luftës
11:20 | 17 Dhjetor 2019

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), S.R dhe K.B, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim i ndikimit.

Në njoftimin e PSRK-së thuhet se prokurori special, Blerim Isufaj, e ka ngritur këtë aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Prokuroria Speciale njofton se e pandehura, S.R. në cilësi të personit zyrtar, Udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe i akuzuari K.B. person zyrtar në të njëjtin departament të ministrisë së njëjtë, gjatë muajit tetor  të vitit 2017, në bashkëveprim, kanë shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare. Dy të akuzuarit, i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare, pa autorizim kanë marrë nga DIFDL 31 formular për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krumës ku kanë plotësuar 31 formular për aplikim për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë. Të dy të akuzuarit, më pas formularët e plotësuar i sollën në Kosovë, dhe i dorëzuan në DIFDL të MPMS, të cilët deri më 30.11.2019, përfituan nga statusi i veteranit të luftës në shumë prej 133.280.00 euro, në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Në njoftim thuhet se të akuzuarit S.R. dhe K.B. në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.

“Po ashtu, të akuzuarit S.R. dhe K.B në cilësi të personave zyrtar më 16.01.2019, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren me inicialet V.B. për pranimin e katër formularëve në DIFDL të MPMS, për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë S.P. shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave tu siguroj pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit”, thuhet tutje në këtë njoftim.

Të akuzuarit S.R. dhe K.B. akuzohen se në bashkëveprim, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPK-së.

“Graniti” hap showroom-in e dytë në Prishtinë (VIDEO)

Të tjera