[wp-story]

Kronika

Drejtori i shkollës në Malishevë kundërshton aktakuzën

Drejtori i shkollës në Malishevë kundërshton aktakuzën
15:46 | 06 Shtator 2019

Drejtori i Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, Jonuz Mazreku, në shqyrtimin e dytë të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka kundërshtuar aktakuzën që e ngarkon për asgjësim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mazreku, avokati Faik Halili, deklaroi se mbetet pranë kërkesës për hudhjen e aktakuzës, me arsyet dhe provat e propozuara si në kërkesë, duke shtuar se i mbrojturi i tij, në cilësinë e drejtorit të shkollës, nuk ka qenë i obliguar që të bëjë kontrollimin e pajisjeve të cilat kanë eksploduar ditën kritike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, sipas prokurorit Anton Hasanaj, aktakuza është e bazuar në prova të pranueshme dhe është arsyetuar mjaftueshëm, duke u vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Mazreku, ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Prokurori Hasanaj, i ka propozuar gjykatës që ta refuzojë kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor, sepse sipas tij, një kërkesë e tillë nuk ka mbështetje ligjore.

Lidhur me këtë, gjykatësi Njazi Morina, bëri të ditur se gjykata do të merr vendim me shkrim.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, për këtë rast më 22 qershor 2016, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Jonuz Mazreku, duke e ngarkuar atë se në cilësinë  e drejtorit të Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, ka kryer veprën penale “asgjësimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragraf 7, lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Mazreku, në cilësinë e përgjegjësit të shkollës, vepron në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, duke mos u kujdesur për sigurinë e punëtorëve, nuk ka siguruar pajisjet mbrojtëse, dhe nuk i ka mirëmbajtur në gjendje të rregullt për përdorim të nevojshëm në punë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mazreku, ka rrezikuar jetën e punëtorit të tij, dhe në vendin ku gjendej kaldaja, e cila shërbente për ngrohtoren e shkollës fillore “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, i ndjeri Z.H, i cili më 5 dhjetor 2014, kishte shkuar për ta ndezur ngrohtoren e shkollës, bombola e gazit kishte eksploduar, me çka edhe ishte rrënuar i tërë objekti, dhe në këtë rast ai nga lëndimet e marra kishte ndërruar jetë.

/ Front Online /

“Petrol Company” ul çmimet për 15 %. Ja sa kushton një litër naftë

Të tjera