×
  • Lajme
  • Lajme

    Doganierët në krye të detyrës edhe në kohë pandemie

    FrontOnline
    05 Korrik 2020

    Roland Frrokaj është pjesë e Doganës së Kosovës tash e 19 vite, ku nga muaji prill ai udhëheq me pikë kalimin kufitar në Vërmicë. Përkundër shërbimit gati dy dekada në këtë institucion, Frrokaj nuk iu gëzua ngritjes në detyrë.

    Për të vdekja e ish-udhëheqësit të pikë kalimit kufitar në Vërmicë, i cili ishte infektuar me virusin COVID-19, është një humbje e madhe për Doganën e Kosovës. Vdekja e tij, Frrokaj thotë se ka ndikuar tek të gjithë punëtorët e Doganës së Kosovës që po punonin në kohën kur çdo gjë ishte e mbyllur për shkak të pandemisë.

    Megjithatë, zyrtarët doganorë kanë shërbyer gjatë gjithë kohës, e duke qenë të ekspozuar ndaj mundësisë së infektimit për shkak të kontakteve me shoferët e kamionëve që binin mallra në Kosovë.

    Frrokaj: Momenti më i rëndë kur ish udhëheqësi i pikë kalimit kufitar është diagnostikuar me COVID

    “Momenti më i rëndë për mua dhe për stafin ka qenë momenti kur ish udhëheqësi i pikë kalimit kufitar është diagnostikuar me COVID, kjo në një formë na ka bërë me u ndje paksa më të ligështuar, sepse për fat të keq ish udhëheqësi i pikë kalimit të cilin tani unë po e zëvendësoj ai ndërroi jetë. Ka qenë për mua një sfidë e jashtëzakonshme, sepse morali në kuptimin edhe ajo pjesa emocionale e zyrtarëve kur kam ardhur ka qenë në nivel goxha të luhatur, për shkak se në një formë jemi rritë bashkë. Është goxha e vështirë kur ty i zoti i shtëpisë, po flas në zhargonin popullor, i zoti i shtëpisë në një moment të len dhe ka qenë goxha problematike për mua me ardhë këtu dhe me iu tregua që ne do të vazhdojmë”, thotë ai.

    Ndonëse kufijtë e vendit ishin të mbyllur për qarkullim të udhëtarëve, e njëjta ndalesë nuk ka vlejtur për mallrat. Frrokaj thotë se kanë punuar gjatë gjithë kohës me përgjegjësi të lartë, për çka kanë ndikuar që bizneset gjatë gjithë kohës të kenë mundësi për të sjell mallra në vend.

    Ai potencon se janë munduar të zvogëlojnë numrin e dokumentacionit të kërkuar, ku thotë se vetëm dokumentet që kanë qenë të nevojshme dhe të detyrueshme për procedura doganore i kanë kërkuar.

    Punën gjatë pandemisë ai e vlerëson si tejet sfiduese, ku thotë se përveç kujdesit që kanë treguar për vete kanë pasur edhe brengën se mund të infektohen e virusin ta bartin edhe tek familjarët.

    Frrokaj: Përveç kujdesit, duhet të mbrojmë edhe kufijtë, duhet të inkasojmë edhe taksa doganore

    “Ne përveç që duhet të kemi kujdes të shtuar dhe marrjen e masave në luftë kundër pandemisë, ne në të njëjtën kohë duhet të mbrojmë edhe kufijtë, duhet të inkasojmë edhe taksa doganore, sepse pa taksa doganore dhe taksa tjera, shteti duhet të mirëmbahet financiarisht. Kjo na jep një motiv shtesë duke e ditë rëndësinë që kemi për shtetin, kjo na jep një motiv shtesë që në një formë ta lëmë anash paksa atë pjesën që është rreziku, mundësia e infeksionit, por asnjëherë duke e neglizhuar po duke marrë masa strikte”, thotë ai.

    Gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, Dogana e Kosovës kishte reduktuar stafin si masë parandaluese për përhapje të virusit. Kjo, sipas Bekim Mehmetaj, udhëheqës i sektorit për planifikim strategjik në Doganën e Kosovës, nuk ka ndikuar në ulje të produktivitetit të punës së këtij institucioni.

    Mehmetaj: Dogana me një staf të reduktuar ka arritur të përmbushë detyrat dhe obligimet e saja

    “Dogana me një staf të vogël të reduktuar, me staf esencial ka arritur të përmbushë detyrat dhe obligimet e saja. Ndoshta këtu është mirë të potencohet edhe një fakt me shumë rëndësi që gjatë kohës së pandemisë sipas iniciativës së BE-së, sekretariatit të transportit të CEFTA-së është krijuar një korridor i gjelbër ku zinxhiri furnizues sidomos për Ballkanin Perëndimor ka qenë jetik, për shkak se furnizimi me mallra në asnjë mënyrë, në asnjë moment nuk është ndal. Ne si institucion, po edhe si shtet kemi marrë lëvdata edhe prej Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera për përkushtimin dhe angazhimin që kemi treguar”, deklaron ai.

    Por, Mehmetaj thotë se puna gjatë asaj periudhe nuk ka qenë e zakonshme. Ai kujton se në departamentin ku ai punon gjatë asaj periudhe nuk kanë qenë më shume se dy ose tre persona. E njëjta gjendje sipas tij ka qenë në gjithë ndërtesën e Doganës së Kosovës në Prishtinë.

    Mehmetaj: Pa dyshim që frika ka ekzistuar se ishte një situatë e re

    “Pa dyshim që frika ka ekzistuar se ishte një situatë e re me të cilën ne nuk ishim ballafaquar më herët, po duke respektuar rregullat dhe masat për mbrojtje nga COVID. Padyshim që ne kemi pasur edhe kontakte me subjekte të ndryshme, me zyrtarë, me kolegët tanë dhe ne kemi respektuar ato rregulla, por frika ka ekzistuar. Po e tërheq një paralele, pa marrë parasysh që ne këtu në drejtorinë e Doganës së Kosovës kemi qenë të ekspozuar deri në një masë të caktuar të rrezikut, rrezikun më të madh e kanë bartur kolegët tanë të cilët kanë qenë në pikë kalimet kufitare dhe në zyrat e brendshme doganore, për shkak se numri i kontakteve dhe numri i personave që kanë pasur nevojë për shërbimet e tyre ka qenë shumë i madh”, thotë Mehmetaj.

    E punën më të vështirë gjatë periudhës së pandemisë e kanë pasur doganierët që kanë qenë në pikë kalimet kufitare.

    Bardh Varaku, udhëheqës i ndërrimit në pikë kalimin kufitar në Merdare, thotë se çdo ditë punën e kanë nisur me mbledhjen e mëngjesit, ku të gjithë doganierët janë udhëzuar që të kujdesen për shëndetin e tyre.

    Doganierët në Merdare, Varaku thotë se e kanë dhënë maksimumin në kryerjen e detyrave të tyre.

    Varaku: Ka qenë primare që ta japim më të mirën e mundshme nga ana jonë

    “Kemi ardhur në mëngjes, unë si udhëheqës i ndërrimit e kam mbajtur mbledhjen e mëngjesit ose e bëjmë caktimin e detyrave, ku detyra e parë u kanë obligative maska dhe dorëzat dhe pjesa tjetër ka qenë që të merremi me maunat të cilët kanë ardhur nga shtete të ndryshme…Ajo ka qenë si primare për ne, ta japim më të mirën e mundshme nga ana jonë dhe të japim 100 përqindëshin tonë. Në bazë të vlerësimit, si nga ana ime, si nga kolegët e mi është jap qind për qindëshi i të gjithëve nga ne, kështu që deshi Zoti deri tani e kemi kaluar pa ndonjë problem, nuk kemi pasur ndonjë infektim të ndonjë kolegut”, thotë ai.

    Por, gjithë kohën ai shprehet se kanë qenë të kujdesshëm për shëndetin e tyre, pasi që kanë qenë të brengosur se virusin mund ta dërgojnë tek familjarët e tyre.

    Varaku: Nuk ishte frika se do ta marrim virusin, por ishte problemi tek transmetimi tek anëtarët e familjes

    “Ajo ka qenë brenga jonë kryesore, ai ishte problemi kryesor me të cilin ne ballafaqoheshim çdo ditë. Nuk ishte frika se do ta marrim virusin, por ishte problemi tek transmetimi tek anëtarët e familjes, ku shumica prej nesh e kemi dikë që është në moshë dhe po dihet që dikush në moshë po e tejkalon në mënyrë të vështirë ose nuk po e tejkalon hiç”, thotë Varaku.

    Virusi Covid-19 u përhap fare shpejtë pothuajse në tërë botën, ndërsa më 13 mars në Kosovë u shënua rasti i parë i infektuar me virusin SARS-COV-19. Prej atëherë, personat e infektuar u izoluan disa në Klinikën Infektive e disa në shtëpitë e tyre. Shteti pezulloi mësimin në shkolla, mbylli çerdhet dhe shumë veprimtari të tjera.

    Deri tani në Kosovë, të infektuar me koronavirus janë afër 3 mijë persona, janë shëruar mbi 1 mijë e 600 persona dhe kanë humbur jetën mbi 50 persona.

    KEDS ‘zhduk’ rrjetin ajror nga qendra e Malishevës
    Nga Rubrika
    Lajme28 Mars 2024
    Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se një kompani ka marrë tender sekret 13 herë. Ai ka thënë se në Ministrinë...
    Lajme28 Mars 2024
    Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur në seancën e sotme të jashtëzakonshme në Kuvend, ku...
    Lajme28 Mars 2024
    Derisa në foltoren e Kuvendit të Kosovës po fliste deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, për themelimin e një komisioni hetimor për kontratat...
    Të tjera
    Lajme28 Mars 2024
    Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka mbajtur diskutim për organizimin e tryezës për shëndetin oral dhe diskutim për mbikëqyrjen e ligjeve...
    Lajme28 Mars 2024
    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, tha se qeveria Kurti ka nënshkruar 209 milionë euro tenderë njëburimor, raporton Ekonomia Online....
    Lajme28 Mars 2024
    Teksa shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, po fliste në foltore për kontratat njëburimore, siç tha ai, e pengoi shefja...
    Lajme28 Mars 2024
    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, gjatë seancës së jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvend ku po flitet për kontratat njëburimore për...
    Bota/Rajoni28 Mars 2024
    Mashtrimi i nxitur nga trafikimi i qenieve njerëzore po shpërthen në Azinë Juglindore me rrjetet e krimit të organizuar që grumbullojnë rreth...
    Lajme28 Mars 2024
    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se kontratat njëburimore janë bërë standard i përditshëm i qeverisë Kurti. Në seancën ku po...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.