[wp-story]

Opinione

Ditari i Koronavirusit Ballkanik

Ditari i Koronavirusit Ballkanik
15:59 | 11 Qershor 2020

Çështjet socio-politike që u shpërfaqën ose intensifikuan gjatë pandemisë COVID-19 në Ballkanin Perëndimor

Shkruajnë: Aida Čerkez- Bosnje dhe Hercegovinë, Lavdim Hamidi- Kosovë, Mite Kuzevski- Maqedoni e Veriut dhe Natasha Bogovic- Serbi

Shprehja COVID-19 ka qenë fjala më e shpeshtë në të gjithë globin në muajt e fundit. Pandemia ka bërë që bota të bashkohet rreth një problemi të përbashkët me të cilin, ironikisht, pothuajse të gjithë merreshin nga dhoma të veçanta.
E tërhequr nëpër letër lakmusi, bota tregoi të gjitha dobësitë e saj të njohura dhe të panjohura, ndonjëherë më pak dhe ndonjëherë më të dukshme.
Solidariteti dhe mirëkuptimi kaluan nëpër faza të ndryshme dhe dukej se ishin harruar ndërsa mbizotëronin përpjekjet për të shmangur vlerat themelore demokratike.
Diskutimi për shkeljet e shumta të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, korrupsionit dhe abuzimeve të tjera me qëllim të ruajtjes së pushtetit dhe autoritarizmit në rritje, u la për më vonë.
Koha “e mëvonshme”, megjithatë, tashmë ka ardhur dhe ne duhet t’i kujtojmë dhe ruajmë në memorien tonë të gjitha aktet keqbërëse, për t’u shëruar në kohë jo vetëm nga pasojat katastrofike të virusit, por edhe nga pasojat shkatërruese të menaxhimit jodemokratik të krizës dhe shteteve.
Ekzistojnë disa shembuj të shkëlqyeshëm në botë, disa prej tyre edhe në rajon, por pak të mbetura nën hijen e atyre me të cilët duhet të përballemi. Në mënyrë që të vihen në dukje, dhe të mos mbeten pa u ndëshkuar, po ju kujtojmë se çfarë po ndodhte në disa vende të rajonit, prapa krizës së COVID-19.

Bosnje dhe Hercegovinë

KRIZË E RE, SHPREHI TË VJETRA
Të tre partitë kombëtare u përpoqën të përdornin krizën për të përfituar politikisht, ndërsa hapën dyert për korrupsion dhe keqmenaxhim të fondeve

COVID-19 – ashtu si çdo krizë globale ose rajonale – kjo krizë në Bosnje dhe Hercegovinë është parë si një mundësi për të ringjallur të njëjtën dilemë të vjetër që shkaktoi konfliktin e armatosur 1992-95: a duhet të jetë ky një vend i pavarur apo duhet të shpërbëhet dhe pjesë të tij të aneksohen nga fqinjët e saj? Megjithëse lufta u ndal një çerek shekulli më parë, kjo pyetje nuk morri përgjigje kurrë dhe dy konceptet e kundërta vazhdojnë të luftojnë me mjete të tjera për fitore, ndërsa të rinjtë “votojnë me këmbët e tyre”, duke ikur nga vendi i varfëruar.
Pra, me rastin e parë të regjistruar më datë 5 mars në Banja Luka, një nga dy ‘entitetet’, – një term i përdorur kur iu referohej dy rajoneve gjysmë-autonome të vendit – filloi të veprojë si një vend i pavarur, ndërsa tjetri shpërfaqi plotësisht ndarjen e brendshme etnike. Avionët rusë me pajisje mjekësore dhe ekspertë mjekësorë zbarkuan në Republikën Serbe Republika Srpska) të dominuar nga serbët, e cila shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në territorin e saj dhe më pas njoftoi se po konsideronte mbylljen e kufirit të brendshëm, pra kufirit të saj me entitetin tjetër – federatën Boshnjako-Kroate, e cila kishte shumë më pak raste të COVID-19 në atë kohë.
Udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik, deklaroi se serbët në Bosnje “duhet të mbështeten në Serbi”, dhe shpjegoi se ai nuk i besonte Policisë Kufitare të shtetit, dhe se dëshiron që oficerët e policisë së Republikës Serbe të ruajnë kufirin ndërkombëtar së bashku me zyrtarët e kufirit shtetëror.
Ai hoqi dorë nën presionin ndërkombëtar. Qeveria e entitetit filloi zbavitjen e blerjeve, duke blerë ventilatorë, maska dhe një spital mobil (të lëvizshëm) përmes kompanive të dyshimta të cilat kurrë më parë nuk ishin marrë me pajisje mjekësore. Derisa aeroplanët rusë zbarkonin në Banja Luka, aeroplanët amerikanë dhe turq që sillnin ndihmë zbarkonin në aeroportin e Sarajevës, ndërsa Kroacia fqinje i dhuronte 5.7 milion Euro spitalit të qytetit të ndarë jugor të Mostarit në anën kroate të Bosnjes.
Një ndihmë prej 330 milion eurosh nga Fondi Monetar Nndërkombëtar (FMN) u bllokua për dy muaj sepse Boshnjakët dhe Kroatët nuk mund të pajtoheshin se sa do të shkojnë në qeverinë e entitetit, të preferuar nga Boshnjakët, dhe sa për 10 kantonet e dëshiruara nga Kroatët.
Që nga fillimi i krizës, ishte një betejë midis tre partive të zakonshme kombëtare, të cilat u përpoqën ta përdorin krizën për të përfituar politikisht, ndërsa opozita duke akuzuar secilën prej tyre për korrupsion dhe keqmenaxhim të fondeve. Opozita në Zagreb vazhdon ta vë në dyshim ndihmën për kroatët e Bosnjës dhe faktin që ata mund të lëvizin në mes të Bosnjës dhe Kroacisë dhe të përhapin virusin, pavarësisht kufirit të mbyllur, sepse kanë shtetësi të dyfishtë. Kryeministri i federatës Boshnjako-Kroate – një boshnjak – është arrestuar lidhur me një kontratë qeverie që i është dhënë një kompanie (ferme që merret me kultivimin e mjedrrës) për të blerë 100 ventilatorë nga Kina.
Kur mbërriten ventilatorët shumëfish më të shtrenjtë, ata rezultuan të kenë cilësi të diskutueshme.
Nga e enjtja, kur kryeministri u arrestua deri të dielën kur gjykata e liroi, Boshnjakët menduan për një moment që sundimi i ligjit, i shumëpritur, më në fund ka mbërritur në cepin e tyre të botës. Sidoqoftë, pasi u lexuan argumentet e prokurorisë që përfshinin akuza të tilla si “komploti me të tjerët për të blerë ventilatorë”, entuziazmi publik u venit, në mesin e boshnjakëve në atë entitet të cilët përsëri e kuptuan se gjyqësori i tyre mund të jetë shumë i politizuar dhe të përdoret në fushatën parazgjedhore e cila është duke vazhduar. Opozita në Republika Srpska vazhdon të akuzoj partinë në pushtet dhe qeverinë e entitetit për blerje jotransparente të pajisjeve, dhe të spitalit mobil i cili nuk u bë kurrë funksional. COVID-19 është duke u zvogëluar në Bosnje, kryesisht falë kufizimeve të cilat popullata pothuajse besnikërisht i ka respektuar. Disa thonë kjo për arsye se Boshnjakët u kujdesën për veten e tyre për shkak të mosbesimit të thellë që kanë ndaj qeverisë së tyre. Dyqanet janë hapur, transporti publik ka rifilluar, fëmijët po kthehen në kopshte, derisa pronarët e bizneseve private dhe ekonomistët po llogarisin dëmet dhe shkallën e re të papunësisë.
Nuk duhet të jetë keq. “Ne shkatërruam ekonominë tonë me kohë, kështu që nuk shqetësohemi për këtë,” është shaka e vazhdueshme. Ndërkohë, lopët dhe delet po kullosin nëpër tendat e zbrazëta dhe të braktisura të spitalit të ri mobil COVID-19 jashtë Banja Lukës.
Dy milionë euro u paguan për spitalin e ri mobile cili asnjëherë nuk u montua plotësisht. “Ballkan Global” d.o.o. Bijeljina, një kompani me dy punonjës të regjistruar që gjenerojnë shitje në vlerë prej 6.223 dollarë amerikan, importoi tendat e spitalit në emër të qeverisë, por asnjëherë nuk e dorëzoi të gjithë spitalin. Asnjë hetim nuk ka nisur.

Kosovë

PËRBALLJA E FUQISË POLITIKE ME FUQINË E VIRUSIT
Situata nga Koronavirusi po përmirësohet në Kosovë, ndryshe nga beteja politike e cila po përkeqësohet

Lufta politike në Kosovë zbehu luftën kundër Koronavirusit. Rasti i parë i konfirmuar i COVID19, saktësisht me 13 mars 2020, e gjeti Kosovën në mes të një lufte politike, ku qeveria e sapozgjedhur e kryeministrit Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje humbi besimin e partnerit të koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) së Isa Mustafës dhe po numëronte ditët e fundit në pushtet.
Qeveria e Kurtit u konstituua më 3 shkurt 2020, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019 të cilat erdhën si rezultat i dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në korrik 2019, i cili u ftua nga një gjykatë ndërkombëtare me seli në Holandë për t’u marrë në pyetje mbi krimet e pretenduara të luftës.
Më 25 mars 2020, Qeveria e Kurtit, e cila kishte vetëm 50 ditë në pushtet, u bë viktima e parë politike. Rënia e Qeverisë në Kosovë nxori në pah faktin se lufta politike fitoi mbi mirëqenien sociale të qytetarëve të saj dhe virusin vdekjeprurës nga i cili janë infektuar miliona njerëz në mbarë botën.
Votimi i suksesshëm i mocionit të mosbesimit nga parlamenti i Kosovës që çoi në rrëzimin e Qeverisë në kulmin e pandemisë, duke përkeqësuar më tej krizën politike në vend, ka qenë mjaft unik pasi nuk ka ndodhur askund tjetër në botë. Për më tepër, ka pasur raste në vendet e BE-së, ku opozita ka mbështetur qeverinë për t’u marrë me virusin vdekjeprurës në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pas më shumë se dy muaj, fuqia e virusit ka filluar të venitet, dhe ka ditë kur konfirmohen zero raste të reja me koronavirus. Sidoqoftë, beteja politike në Kosovë është duke u përkeqësuar.
Lufta politike është intensifikuar ditët e fundit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila i dha të drejtën partisë së dytë më të madhe në Parlament, me kandidatin për kryeministër Avdullah Hoti, për të formuar qeverinë e re.
Hoti, i cili ishte zëvendësi i parë i kryeministrit Albin Kurti, por që u shkarkua nga ky i fundit pas shpërbërjes së koalicionit me partinë e tij, LDK, ka marrë përsipër udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës, pas arritjes së marrëveshjes së koalicionit me partinë e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe me partitë politike minoritare.
Vendimi i Kushtetueses është kundërshtuar ashpër nga Kurti, ndërsa partia e tij politike, Lëvizja Vetëvendosje, bëri thirrje për protesta masive në Prishtinë, duke kërkuar zgjedhje të reja dhe jo qeveri të e re e cila nuk e ka legjitimitetin demokratik nga votuesit.
Zhvillime të tilla politike mund të jenë dëshmi e mjaftueshme që shëndeti i qytetarëve dhe mirëqenia sociale e tyre janë dytësore në krahasim me interesat e klasës politike në Kosovë. Në ditët në vijim, betejat politike pritet të kthehen në Kosovë, ndërsa beteja me virusin vdekjeprurës do të harrohet. Dhe kjo ka një kosto të lartë, e cila do të rrezikojë jetën e shumë njerëzve.

Maqedoni e Veriut

ZGJEDHJET NË PERIUDHËN PAS KORONAVIRUSIT
Megjithë rreziqet për shëndetin publik, zgjedhjet do të mbahen edhe në Maqedoninë e Veriut

Që nga sot, 28 maj 2020, shumë prej kufizimeve janë hequr tashmë. Orari i kufizuar i lëvizjes së lirë u hoq më 26 maj dhe sot restoranet dhe kafenetë po hapen përkundër rritjes së vazhdueshme të rasteve të reja, që në 7 ditët e fundit regjistruan mesatarisht 25 raste në ditë. Për ta ilustruar, ky numër ishte shumë më i ulët kur filloi mbyllja apo izolimi. Vetëm sot kemi 38 raste të reja dhe 3 vdekje. Sidoqoftë, partia në pushtet ende planifikon t’i organizoj zgjedhjet në qershor ose korrik. Ekziston një krizë e madhe politike në lidhje me këtë pyetje pasi opozita politike është duke e kundërshtuar këtë plan duke thënë se koronavirusi është një kërcënim dhe se zgjedhjet do të rrezikojnë shëndetin publik. Nga ana tjetër, shumë njerëz në biznes janë duke i vuajtur shumë pasojat dhe nuk janë të kënaqur me planin e qeverisë për rimëkëmbje ekonomike. U pa se ndërmarrjet e mëdha po përkrahen shumë më lehtë, ndërsa bizneset e vogla për të cilat kjo ndihmë mund të thotë jetë ose vdekje raportojnë sfida të shumta për të pasur qasje në këto ndihma. Nga ana tjetër, OJQ-të që punojnë me komunitetet e margjinalizuara dhe të cenueshme, raportojnë për shkelje të të drejtave të njeriut. Disa prej tyre nuk kanë pranuar asnjë ndihmë dhe madje ndihma e rregullt që po e merrnin u ishte ndalur. Ka raportime që fëmijët të cilët nuk kanë qasje në internet për të ndjekur mësimin janë ende duke pritur nga qeveria që t’u’a siguron internetin. Komuniteti Rom është edhe më i margjinalizuar gjatë pandemisë dhe është portretizuar nga disa media si komuniteti që po përhap virusin duke raportuar se janë ata që nuk respektojnë rekomandimet e qeverisë. Dhe kjo po ndodh përkundër faktit që Ministria e Shëndetësisë publikon të dhëna që tregojnë se komuna me popullatë shumicë të komunitetit rom në Shkup është komuna me përhapjen me të ulët të koronavirusit në vend.

Serbi

PËRKUNDËR RREGULLAVE
Fushata politike dhe zgjedhore është zhvilluar gjatë gjithë kohës së pandemisë në Serbi

Dy ditë pas shpalljes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe lokale, rasti i parë i COVID-19 u konfirmua në Serbi, saktësisht në momentin kur qytetarët ishin rreshtuar për të nënshkruar listat për pjesëmarrje në zgjedhje.
Qeveria miratoi serinë e parë të masave, duke përfshirë ndalimin e tubimeve me më shumë se 50 njerëz. Ky vendim u përdor si një shpjegim pse gjendja e jashtëzakonshme nuk u shpall nga parlamenti me 250 anëtarë, por u miratua nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kryeministrja Ana Brnabiq dhe kryetarja e Kuvendit Kombëtar Maja Gojkoviq, shtatë ditë pas rastit të parë të konfirmuar më 15 mars. Në të njëjtën kohë, kjo nënkuptonte ndërprerjen e fushatave zgjedhore dhe shtyrjen e zgjedhjeve, por jo uljen e tensioneve dhe ndarjeve në rritje në shoqërinë serbe.
Opozita politike, partia e së cilës njoftoi më herët se do të bojkotojë zgjedhjet, kritikoi masat dhe veprimet e ndërmarra nga qeveria, ndërsa qeveria, nga ana tjetër, udhëhoqi një fushatë aresive zyrtare. Kështu, Presidenti i Serbisë vizitoi personalisht Nishin dhe Novi Pazarin, të cilëve po u dorëzoheshin ventilatorët për shkak të numrit në rritje të personave që vuanin me COVID-19. Këto vizita nuk u zhvilluan pa një tubim të qytetarëve.
Autoritetet pohonin se gjithçka ishte në përputhje me rregulloret, kurse opozita thoshte se shëndeti i atyre që morën pjesë në tubime ishte vënë në rrezik. Masat për parandalimin e koronavirusit po bëheshin gjithnjë e më rigoroze, kështu gjatë fundjavës së Pashkëve Ortodokse Krishtere, qytetarëve u dha urdhër që të mos largohen nga shtëpitë e tyre për gjithsej 84 orë – nga e enjtja pasdite deri të hënën në mëngjes.
Njëkohësisht, me vendosjen e kufizimeve për lëvizje, vetëm punëtorët esencial lejoheshin të lëviznin me leje të posaçme dhe me urdhërin e punëdhënësit ku theksohej qartë rruga që do të përshkohej dhe qëllimi i saktë i lëvizjes. Qytetarët filluan të duartrokasin nga dritaret dhe ballkonet e tyre në çdo mbrëmje në ora 8 për ti nderuar punëtorët mjekësorë. Përderisa zyrtarët pohonin se ata nuk do të flisnin kundër kundërshtarëve politikë opozitarë, retorika e tyre u mor nga media dhe gazetarë të tabloideve pro-regjimit të cilat përdorën transmetime të drejtpërdrejta në TV dhe konferenca të shtypit të Stafit të Krizave të profilit të lartë për të adresuar disa çështje, të cilat nënçmonin dhe etiketonin anëtarët e opozitës.
Me ftesë të një lëvizjeje opozitare “Mos e lejo të fundoset Beogradi (Ne da(vi)mo Beograd), qytetarët filluan të bënin zhurmë çdo mbrëmje në 20:05, për të shprehur pakënaqësinë ndaj masave të ndërmarra, si dhe ndaj zyrtarëve tjerë të qeverisë. Autoritetet ishin indinjuar nga ky veprim i qytetarëve pasi mendonin se po nënvlerësohen punonjësit mjekësor nga mungesa e duartrokitjeve përmes të cilave shprehej mirënjohje për përpjekjet e tyre.
Ndërsa qytetarët i kundërshtuan ato deklarata duke bërë më shumë zhurmë nga dritaret e tyre me fishkëllima, tinguj vuvuzelash, tenxhere, e mjete tjera. Sidoqoftë, kjo pakënaqësi nuk kaloi pa u vënë re, kështu që organizata rinore zyrtarisht jo aq e njohur bëri thirrje në rrjetet sociale që të bëhet zhurmë çdo mbrëmje në 8:30.
Me sa duket, ishte një veprim i partisë në pushtet, dhe në mesin e atyre që kërkuan këtë veprim ishte edhe një deputet nga partia në pushtet. Për disa netë me radhë, kryesisht të rinj, të cilët, siç pretendonte policia, në disa raste madje kishin leje lëvizjeje, okupuan çatitë e ndërtesave në Beograd dhe qytete të tjera në Serbi, dhe instaluan sisteme të mëdha zërimi mbi to. Kështu në ora 8:30 pasdite, ndërsa po transmetonin një mesazh fyes kundër Dragan Djilas, kreut të opozitës Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, “Djilas, hajdut” që dilte nga sistemet e zerimit, ata perdoren llampa dore në çatitë e disa pjesëve të qyteteve.
Pasi kjo shfaqje i shqetësoi fëmijët e mitur të liderit të opozitës, ai njoftoi se do t’i presë “pishtarët” para shtëpisë në mbrëmjen tjetër.
Atij iu bashkuan edhe drejtuesit e opozitës dhe qytetarët. Atë mbrëmje, ndërsa opozita ishte mbledhur në rrugë gjatë orarit të kufizimit të lëvizjes, në vend të fyerjeve dhe llapmave të dorës në çati, këngë patriotike u dëgjuan nga një prej apartamenteve. Të revoltuar nga veprimet e autoriteteve, liderët e opozitës mbajtën një protestë në shkallët e Parlamentit gjatë orarit të kufizimit të lëvizjes. Ndërsa intensiteti i epidemisë u ul, temperatura në skenën politike u ngrit. Kështu një protestë e qytetarëve u mbajt gjatë orarit të kufizimit të lëvizjes para ndërtesës së Presidencës së Serbisë. Gjendja e jashtëzakonshme u hoq pas 52 ditësh – më datë 6 maj.
Ajo u shfuqizua nga Parlamenti, i cili më parë konfirmoi vendimet e marra nga Qeveria gjatë epidemisë. Kjo hapi rrugë për vazhdimin zyrtar të fushatave zgjedhore. Zgjedhjet, të planifikuara fillimisht me 26 Prill, u caktuan të mbahen me 21 qershor.
Një pjesë brenda opozites vazhduan të deklarohen se do ti bojkotojnë zgjedhjet, ndërsa pjesa tjetër ndryshuan mendje dhe deklaruan daljen e tyre nga gara. Tensionet nuk janë ulur

(Ky aktivitet është pjesë e një përpjekje të përbashkët nga Forumi Ballkanik në partneritet me Insjader dhe Lëvizjen Evropiane në Serbi, IDEA SEE në Maqedoninë e Veriut, Hub Bullgar për Ballkanin e Bashkuar në Bullgari, FrontOnline në Kosovë, për të nxitur bashkëpunimin rajonal të mediave në Ballkanin Perëndimor. Ky artikull u bë i mundur me mbështetjen e Rockefeller Brothers Fund. Opinionet dhe pikëpamjet e autorëve nuk përcaktojnë ose pasqyrojnë ato të Fondit.)

Super zbritje në “Petrol Company”

Të tjera