Lista serbe po përgatitet të merr pjesë në zgjedhjet e Kosovës më 9 shkurt. Nga 120 vende parlamentare, 10 janë të rezervuara për serbët. Disa parti serbe kanë paralajmëruar se do të hyjnë në garë zgjedhore. Duket se do të marrë pjesë edhe Lista Serbe, e cila dy vjet më parë u largua nga Kuvendi dhe më pas iu kthye shumë shpejt, edhe pse nuk janë plotësuar kushtet të cilat i kanë kërkuar për kthimin e tyre.
Serbët nga veriu u larguan nga institucionet e Kosovës më 5 nëntor 2022. Kushtet për kthim ishin që Kosova t’i respektojë marrëveshjet e arritura, t’i tërheqë vendimin për targa dhe të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, shkruan N1.
Pa u përmbushur asnjë kusht i tyre, deputetët të Listës Serbe, 12 ditë më vonë, u paraqitën në Kuvendin e Kosovës për të bërë betimin në Republikën e Kosovës dhe për të mbajtur mandatet e tyre. Zëri i tyre nuk u dëgjua në Kuvend dy vjetët e fundit megjithëse u paraqitën në Kuvend për të ruajtur mandatin dhe pagat e tyre.
Kryesia e re e kësaj partie u emërua pas konfliktit të armatosur në Banjskë, në të cilin mori pjesë nënkryetari i atëhershëm Millan Radoiçiq.
Kryetari aktual i Listës Serbe, Zllatan Elek ka thënë se presin që të dalin në zgjedhje më 9 shkurt dhe që Lista Serbe t’i fitojë të 10 mandatet në Kuvend”
Për gazetaren Ana Marija Ivkoviq, kjo deklaratë nuk është befasi.
“Ajo që sigurisht është befasi është mënyra se si u bë. Por, nga ana tjetër, duket se ata po ndjekin matricën e tyre të vjetër të dërgimit të mesazheve për publikun, ekskluzivisht për Beogradin, e jo për popullatën vendase, gjë që nga ana tjetër tregon se po vazhdohet me narrativin e njëjtë që kishin edhe më parë para ndërrimit të liderëve, dhe kjo është se realisht duket se ata e ndjejnë përgjegjësinë e vetme ndaj Beogradit, e jo ndaj atyre që i votojnë”, ka thënë Ana Marija Ivkoviq nga portali “Alternativna”.
Pak ditë më vonë, Ellek thotë se ende nuk është marrë zyrtarisht vendimi për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Ne i kemi bërë të gjitha veprimet që kërkohen nga ne sa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, ka thënë kryetari i Listës Serbe.
Në përgatitjet përfundimtare për dorëzimin e listës së kandidatëve është edhe “Partia Demokracia Serbe”.
“Lista jonë do të “zbukurohet” me faktin se nuk do të ketë asnjë kandidat që ka qenë në krye të Listës Serbe në të kaluarën, që ka pasur ndonjë post publik, por do të ketë njerëz të rinj që kanë luftuar, në kuadër të “Demokracisë Serbe”, për të drejtat kolektive serbët, ndërsa Lista Serbe u fsheh në vrimën e miut”, ka thënë Alleksandar Arsenijeviq nga kjo parti.
Ai ka vlerësuar se pritjet e Listës Serbe për të marrë të 10 mandatet e rezervuara për serbët nuk janë reale.
“Sepse ne jemi kundër tyre”, ka thënë Arsenijeviq.
“Në zgjedhje do të dal edhe “Lëvizja Popullore Serbe” me pritjen, siç thonë ata, “të ndryshojë situata në të cilën kemi 10 deputetë, e sikur të mos kemi asnjë, sepse nuk ka kush që lufton për të drejtat e serbëve”.
“Në fakt ekzistojnë dhjetë veta, të cilët paraqiten një herë në gjashtë muaj në kuvend, mund t’i shihni se si i ruajnë mandate dhe mund t’i takoni pranë bankomateve kur i tërheqin pagat. Dhe të gjithë muajt e tjerë dhe vitet e fundit, një situatë vërtet të vështirë, nuk keni mundur t’i shihni në vendet ku duhej të ishin të pranishëm, në vendet ku arrestoheshin njerëzit, në vendet ku kishte situata krize. Atje ata nuk janë parë. Përfaqësues të tillë i bëjnë më shumë dëm se çdo dobi popullatës tonë dhe për këtë është shumë e rëndësishme që struktura e përfaqësuesve dhe deputetëve serbë në këtë kuvend të ndryshojë”, ka thënë Branimir Stojanoviq nga “Lëvizja Popullore Serbe”.
Ndryshimi është i dukshëm në rrjetet sociale. Lista Serbe këto ditë krenohet me një sërë aktivitetesh, ndër të cilat është edhe pritja e qytetarëve në ambientet e partisë. Deri më tani, autoritetet nga Beogradi nuk kanë qëndrim për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës.