×
  • Lajme
  • Lajme

    Dialogu në Bruksel, vazhdim i ‘farsës’

    FrontOnline
    29 Gusht 2020

    Rinisja e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që në takimet e para ndërmjet delegacioneve të dy vendeve, ka treguar që nuk ka sjellë asgjë të re në qasjen e palëve në dialog dhe, për më shumë, ky proces është duke degraduar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

    Sipas tyre, në etapën e tanishme të bisedimeve në Bruksel, nuk ka asnjë potencial për të sjellë ndonjë marrëveshje të rëndësishme, avancim të pozicioneve dhe dialogut në përgjithësi.

    Pas takimit, më 27 gusht, ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, ka theksuar që pala serbe është treguar jokonstruktive në bisedime dhe se “po bën gjithçka për të lëvizur tërë procesin në nivelin teknik”.

    Ai ka shtuar se ka insistuar që nuk mund të ketë asnjë marrëveshje tjetër, përveç asaj që përfshin njohjen e ndërsjellë.

    Por, kreu i delegacionit serb në bisedime, Marko Gjuriq, bisedimet i cilësoi si teknike dhe tha se “pala kosovare po përhapë dezinformata kur thotë se po zhvillohen bisedime për njohje”.

    Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë që të dyja palët, Kosova dhe Serbia, shkojnë në Bruksel me synime të caktuara, por edhe të kundërta. Sipas tij, Serbia shkon në bisedimet në Bruksel për të bërë marrëveshje teknike, të cilat më pas duhet të zbatohen, ndërkohë që bisedimet në Uashington kanë tjetër natyrë.

    “Kosova, (në Bruksel) duket që ose nga mosdija ose është e detyruar t’i bëjë këto marrëveshje pa i kushtëzuar me njohje reciproke. Tash, duket që delegacioni i Kosovës ose do të lëshojë pe përfundimisht ose do të kthehet në pozicionin e nisjes. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë bisedime për normalizim dhe për njohje, por edhe duke i ndihmuar ekonomikisht – në këto tri segmente që janë bërë marrëveshjet përmes ambasadorit (Richard) Grenell – dhe një lloj mundësie që të njihen në mënyrë reciproke”, tha Tahiri.

    Analisti Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që dialogu i rinisur në Bruksel është “një lloj aktrimi dhe farse”, që është duke iu shërbyer opinioneve në Kosovë dhe Serbi.

    Tash për tash, sipas tij, është e dukshme që nuk ekziston asnjë element i rëndësishëm që garanton një sukses në etapën e tanishme të dialogut në Bruksel.

    “Për fat të keq, aktualisht është duke ndodhur një formalitet madhor publik, i cili është duke u shndërruar në një lloj aktrimi në mes palëve, sepse faktikisht nuk ka asnjë mundësi që të shkohet përpara. Nuk ka argumente, nuk ka themele mbi të cilat do të ndërtohej një sukses dialogues. Është e qartë që mënyra e vetme që të arrihet sukses, është që të përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që pala kosovare të ketë mbështetje në kuvendin e saj për sa u përket vendimeve që do të merren”, theksoi Muhaxhiri.

    Në situatën e tanishme, se si po zhvillohet dialogu në Bruksel, sipas analistit Tahiri, Serbia është duke tentuar që të bëhet pjesë e sovranitetit të Kosovës dhe kjo i bën bisedimet jofunksionale.

    “Dialogu, në këtë formë çfarë është duke u bërë (në Bruksel), duhet të riformulohet ose të braktiset. Vazhdimin e dialogut unë e shoh – të mos i jap mbiemër cilësor, si ‘të rrezikshëm’ dhe ‘të keq’ – si jofunksional për Kosovën. Edhe po të nënshkruante marrëveshje (kryeministri i Kosovës) Avdullah Hoti, ashtu sikur ka nënshkruar më herët për Asociacion (e komunave me shumicë serbe) Isa Mustafa (ish-kryeministër), nuk mund të zbatohet sepse nuk mund të zbatosh me dhunë diçka që nuk është në vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Tahiri.

    Analisti Muhaxhiri, po ashtu, vlerëson që Kosovës në asnjë mënyrë nuk i konvenon një dialog vetëm formal dhe i pafrytshëm, sepse kjo vetëm do ta vazhdonte agoninë drejt integrimeve evropiane, dhe sipas tij, do ta pengojë atë edhe në raport me marrjen e liberalizimit të vizave, si dhe në agjendën e përgjithshme.

    “Kosova duhet që të kërkojë një seriozitet më të madh nga BE-a dhe nëse nuk e merr këtë seriozitet dhe garanci nga BE-ja që dialogu është i mirëfilltë dhe ka një bazë realiste në qëllimet që të arrihet përfundimi i tij, atëherë duhet që ta rikonsiderojë edhe pozitën e vet. Kjo për shkak se mund të ndodhë edhe më e keqja, që Kosova të etiketohet si palë e cila nuk dëshiron që të arrihet marrëveshja, ndërsa është e qartë që nuk ekzistojnë as parakushtet minimale për një gjë të tillë”, vlerësoi Muhaxhiri.

    Në tri takimet e zhvilluara së fundmi në Bruksel, prej se ka rinisur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik, për të cilat koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, ka deklaruar që janë elemente të kapitujve në kuadër të marrëveshjes përfundimtare, që do të përmbyllet me njohjen të ndërsjellë.

    Në anën tjetër, pala serbe, e drejtuar nga Marko Gjuriq, i ka cilësuar këto tema si çështje teknike. Ai ka paralajmëruar edhe një takim të tillë, në nivel ekspertësh, para takimit të nivelit të lartë politik, më 7 shtator në Bruksel, ndërmjet kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq.

    Para takimit në Bruksel, të dy këta, më 4 shtator, pritet të takohen në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, me ftesën nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein. /rel/

    Importuesi nga SHBA-ja: Devolli Corporation me standarde amerikane
    Nga Rubrika
    Lajme09 Shtator 2024
    Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi, ka thënë se nëse partia që ai përfaqëson i fiton zgjedhjet,...
    Lajme09 Shtator 2024
    Njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj ka deklaruar për Front Online se presidentja dhe kryeministri i vendit e kanë krisur bashkëpunimin për...
    Lajme09 Shtator 2024
    Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, u takua më 9 shtator në Moskë me sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse, Sergei...
    Të tjera
    Sport09 Shtator 2024
    Kosova ka kaluar në epërsi ndaj Qipros, në ndeshjen e dytë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Sfidën e ka...
    Lajme09 Shtator 2024
    Deputeti nga “Partia Demokratike e Kosovës”, Xhavit Haliti vlerëson se raporti i kryeministrit dhe presidentes së vendit është në krizë. Haliti tha...
    Lajme09 Shtator 2024
    Meteorologu Mendim Rugova paralajmëron “rënie drastike të temperaturave” këtë javë, por edhe mundësi për reshje bore. Ai tha në #Gjesi se “nuk...
    Sport09 Shtator 2024
    Trajneri i futbollit kosovar Ramiz Krasniqi në emisionin ‘Dardanët’ në RTK, mendon se vendimi për përjashtimin e tre lojtarëve nga Kombëtarja është...
    Bota/Rajoni09 Shtator 2024
    Qeveria e Suedisë njoftoi se do t’i japë Ukrainës një pako të re të ndihmës ushtarake në vlerë prej 443 milionë dollarësh,...
    Lajme09 Shtator 2024
    Deputetja nga “Lëvizja Vetëvendosje”, Mirlinda Tishukaj deklaron për Front Online se koordinimi i Kurtit dhe Osmanit është i nevojshëm. Ajo thotë se...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.