[wp-story]

Kronika

Dështon seanca gjyqësore për rastin e “Veteranëve”

Dështon seanca gjyqësore për rastin e “Veteranëve”
10:53 | 16 Janar 2020

Problemet me ID të avokatëve, që lëshohen nga Oda e Avokatëve të Kosovës, ka bërë që të dështojë seanca e së enjtes në rastin “Veteranët”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues për këtë rast, Nushe Kuka-Mekaj, tha se pesë minuta para se të hyjë në gjykim, ka marr një njoftim se avokatëve nuk po u lejohet hyrja në gjykatë, shkaku i disa problemeve me ID e tyre.

“E mora një lajm se ju ka ndalu avokatëve me hi ne sallë, nuk e di i kujt është. Kuptova se shkaku i ID-ve që duhet të kenë avokatët, nuk ju ka leju hyrja. Kemi kontaktuar kryetaren e gjykatës dhe ajo na njoftoi se të gjithë avokatët kanë të drejtë me marr pjesë në seancë. Problemet e brendshme të avokateve, me pagesa e ç’pagesa, nuk është punë e gjykatës.” – tha Kuka-Mekaj.

Shkak i këtyre problemeve, në seancë nuk ishte i pranishëm mbrojtësi i Agim Çekut, avokati Ramë Gashi.

E në mungesë të avokatit të tij, Çeku tha se nuk pranon që të mbahet seanca.

Në seancë munguan edhe mbrojtësi i Qelë Gashit, avokati Gafurr Elshani, si dhe mbrojtësi i Fadil Shurdhajt, avokati Skënder Musa.

Mirëpo, mungesa e këtyre dy avokatëve, sipas klientëve të tyre, ka të bëj me arsye tjera, e jo me problemet me ID.

Derisa, i akuzuari Gashi pranoi që seanca të vazhdojë edhe pa avokatin e tij, i akuzuari tjetër Shurdhaj kërkoi që të shtyhet seanca, pasi që siç tha, në këtë seancë do të administrohen provat dhe e sheh të nevojshme që të jetë prezent edhe mbrojtësi i tij.

Lidhur me këtë, gjykatësja Kuka-Mekaj tha se avokati Musa ka qenë i njoftuar për këtë seancë, e për mos prezencën e tij duhet të ndëshkohet.

Me situatën e krijuar, reagoi edhe mbrojtësi i Shkumbin Demaliajt, avokati Arianit Koci.

“Është e papranueshme që problemet e brendshme të Odës të ndërhyj gjykata dhe të na ndaloj hyrjen neve avokatëve. Kjo është fyerje për profesionin e lirë të avokaturës dhe me neve nuk bëhet lojë në këtë formë, që njëherë të na ndaloni e pastaj ta thirrni në telefon. Sidoqoftë, gjithmonë në janar është toleruar që të lejohet hyrja me kartelat e vitit paraprak në muajin e parë të vitit. Kjo është hera e parë që po ndodh. E keqja ma e madhe, e gjykatës, po shtyhet seanca sot, po zvarritet procedura dhe po pësojnë klientët tanë.” , tha Koci.

Fillimisht, gjykatësja Kuka-Mekaj tha se do të njoftojë me telefon avokatin Gashi, se urdhri për ndalim të hyrjes në gjykatë për avokat është tërhequr.

Mirëpo, për këtë reagoi mbrojtësi i Nuredin Lushtakut, avokati Tahir Rrecaj, i cili tha se avokati Gashi është shumë i ofenduar dhe të njëjtit i kishte thënë se nuk kthehet më në gjykatë.

“Ramë Gashi është jashtëzakonisht i ofendum dhe nuk besoj që vjen sot. Edhe ne të gjithë jemi të ofenduar. Avokati Gashi tha se jam i ofenduar shumë dhe në asnjë rrethanë nuk vi sot. Këtë ja tha klientit të tij në prezencën time.”, tha Rrecaj.

Si përfundim, gjykatësja tha se në mungesë të kushteve ligjore, seanca e së enjtes ndërpritet, për të vazhduar nesër, sipas agjendës së paraparë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.

“Petrol Company” në natën e “Kurban Bajramit” e bën me shtëpi të re familjen nga Skenderaj

Të tjera