Lajme

“Der Spiegel”: Një intrigë e rrëzoi Albin Kurtin, politikanin që deshi të luftonte korrupsionin

“Der Spiegel”: Një intrigë e rrëzoi Albin Kurtin, politikanin që deshi të luftonte korrupsionin
22:15 | 28 Mars 2020

Revista e njohur gjermane “Der Spiegel”, thekson se politikanët vendorë dëshironin ta hiqnin qafe Albin Kurtin për shkak se ai paralajmëroi një luftë të ashpër kundër elitës së korruptuar. Ndërsa diplomacia amerikane nga prapavija bëri presion për rrëzimin e tij për shkak se Kurti kundërshton planet për shkëmbimin e territoreve që synohet nga SHBA-të.

Kosova, një ndër vendet më të varfra të Europës, është e shqetësuar këto ditë, shkruan revista gjermane “Der Spiegel”. Ndonëse Kosova nuk është shumë e prekur nga koronavirusi, numri i të infektuarve po rritet. Sistemi shëndetësor do të mbingarkohej nëse rritet numri i pacientëve që kanë nevojë për kujdes intensiv. Në pothuaj të gjitha spitalet mungon personeli dhe pajisjet mjekësore, shpesh pacientët duhet t’i sjellin me vete ilaçet dhe ushqimin.

Pikërisht në këtë situatë kur urgjentisht kërkohet një menaxhim i përbashkët i krizës, establishmenti politik kosovar ka shkaktuar një krizë të rëndë shtetërore: të mërkurën shumica e parlamentit votoi një mocion mosbesimi ndaj politikanit të majtë reformator Albin Kurti. Ai tani është ushtrues detyre i kryeministrit. Qeveria e Kurtit do të ishte e para qeveri vërtet reformatore e Kosovës që nga fundi i luftës para 20 vitesh. Ajo qëndroi në pushtet 51 ditë.

Mocionin e dorëzoi partneri i koalicionit i Kurtit, LDK, dhe shkas nominal për mocionin ishte gjoja menaxhimi i keq dhe i paligjshëm i krizës së koronës nga ana e qeverisë. Por, nënvizon “Der Spiegel”, në prapavijë u zhvillua një intrigë e kurdisur nga kundërshtarët politikë të Kurtit në Kosovë dhe nga diplomacia e SHBA-ve, transmeton KOHA.

Revista e njohur gjermane thekson se politikanët vendorë dhe administrata amerikane dëshironin ta hiqnin qafe Kurtin për dy arsye. Partia e Kurtit angazhohet për një politikë strikte kundër korrupsionit, për qeverisje transparente dhe për reforma në sektorin social, të shëndetësisë dhe arsimit. Me sa duket për pjesën më të madhe të LDK-së kjo ishte e tepërt.

Sipas “Der Spiegel” arsyeja e dytë e rrëzimit të Kurtit ishte për shkak se ai kundërshton zgjidhjet diplomatike sekrete të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë si dhe shkëmbimin e territoreve që synohet nga SHBA-të. Presidenti Donald Trump synon një zgjidhje të shpejt të konfliktit që këtë ta shfrytëzojë para zgjedhjeve në nëntor si kryevepër diplomatike.

Javëve të kaluara, sipas “Der Spiegel”, erdhi deri te një konflikt i hapur mes Kurtit dhe Richard Grenellit, të dërguarit të presidentit amerikan për Kosovën. Grenell kërkoi që Kurti t’i heq tarifat ndaj importeve nga Serbia pa asnjë parakusht. Kurti pranoi t’i heq tarifat pjesërisht, por me kusht që Serbia të lëshojë pe në çështje diplomatike.

Rënia e Kurtit nisi kur ai javën që shkoi e shkarkoi ministrin e Brendshëm Agim Veliu për shkak se ai kokë më vete përkrahu shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kësisoj do të merrte kompetenca shtesë kryetari Hashim Thaçi, një kundërshtar i rreptë i Kurtit dhe njëri nga koka e establishmentit të korruptuar kosovar. “Der Spiegel” citon eurodeputeten Viola von Cramon-Taubadel, e cila tha se rrëzimi i qeverisë ishte një “manovër krejtësisht e papërgjegjshme”. “BE tani duhet të mbajë qëndrim dhe të marrë punët në dorë në aspektin diplomatik në Kosovë”, tha ajo.

Albin Kurti i tha “Der Spiegel” se qeveria e tij u rrëzua nga një “elitë politike e korruptuar”, e cila prej vitesh i ka parasysh së pari interesat e veta. “Pasi që gjatë mandatit tim gjërat ndryshuan, ata po e kanë vështirë të pajtohen me këtë”. Kurti u tregua i rezervuar me kritika ndaj diplomacisë amerikane. Ai tha se beson që i ngarkuari i Trumpit, Grenell, “është mashtruar nga disa udhëheqës politikë”. “Der Spiegel” shkruan se si do të ecin gjërat në Kosovë tani është vështirë të parashikohet. Është e mundshme të mbahen zgjedhje të reja apo të krijohet një koalicion i ri.

Benzinë vetëm 1.05 euro në Petrol Company e shumë zbritje tjera në “Be Happy Restorant” dhe Market

Të tjera