Pa ndonjë marrëveshje ka përfunduar edhe takimi i 14 shtatorit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
Ani, pse që të dy nuk ishin takuar për më shumë se 4 muaj.
E, në bazë të kësaj se si po ec ky proces deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami në një intervistë për Front Online ka deklaruar se arritja e marrëveshjes finale nuk varet vetëm nga Kosova, por edhe nga Serbia.
Madje, Bajrami thotë se arritja e marrëveshjes finale varet nga ajo se sa Bashkimi Evropian do të bëjë presion tek shteti serb.
“Ne nuk e mbajmë veten kështu me pritje se do të kemi marrëveshje finale me Serbinë për shkak se kjo nuk varet vetëm nga ne, por varet edhe nga Serbia, por në masë të madhe edhe nga presioni që Bashkimi Evropian do të arrijë t’i bëjë Serbisë, për shkak se ne kemi nënshkruar disa marrëveshje të cilat ata nuk po i zbatojnë, prandaj këtu kemi një vështirësi do të thoja të re nga vështirësitë e së kaluarës për të arritur një marrëveshje me Serbinë”, ka thënë Bajrami për Front Online.
Deputeti i VV-së: Kushtetuta e ndalon Asociacionin me kompetenca ekzekutive
Njëra prej çështjeve e cila po e mban pezull dialogun edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Pala serbe po kërkon që ky i fundit të bëhet siç ata po kërkojnë, deri sa pala kosovare nuk e pranon një gjë të tillë.
E, që Asociacion me kompetenca ekzekutive nuk do të ketë në Kosovë, e thotë për Front Online, deputeti i VV-së, Alban Bajrami.
“Asociacion me kompetenca ekzekutive nuk mund të bëjmë, jo se është kjo çështje vullnetesh, pro është çështje kushtetute. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ndalon një Asociacion të tillë. Gjykata Kushtetuese me leximin që i ka bërë një asociacion të tillë e vë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, prandaj është i pamundur për t’u zbatuar”, ka thënë ai për Front Online.
Bajrami thotë se në Kosovë nuk mund të krijohet një pushtet i tretë.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është i cekur edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe si i tillë duhet të ekzistojë, por ne nuk mund të krijojmë një pushtet të tretë, pra kemi pushtetin qendror dhe atë lokal, nuk mund të krijojmë super-komuna të serbëve që i mbivendosen shtetit të Kosovës. Prandaj Asociacion me kompetenca ekzekutive është e pamundur dhe nuk do të ketë pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Serbisë kjo nuk mund të bëhet edhe për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar ai.
Alban Bajrami: Sanksionet që iu vendosën Kosovës të padrejta, s’do të vazhdohet me to
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami sanksionet që i janë vendosur Kosovës nga Bashkimi Evropian i ka quajtur të padrejta.
“Unë mendoj se më shumë është e padrejtë për shkak se ne edhe sot në Bruksel po jemi të gatshëm që të arrijmë marrëveshje por të cilat duhet të jenë të ligjshme dhe obligative ashtu siç thuhet në marrëveshjen e Ohrit të cilën ne jemi zotuar që ta nënshkruajmë, kurse ata nuk e bëjnë një gjë të tillë”, ka deklaruar ai në një intervistë për Front Online.
Ndërsa, i pyetur për paralajmërimet për sanksione të reja është shprehur i bindur se nuk do të vazhdohet me to.
“Prandaj, sanksionet e paralajmëruara janë për vitin 2024 dhe ato kemi marrë sinjale të cilat janë pozitive për shkak të qasjes pozitive që shteti i Kosovës është duke pasur në raport me kërkesat që ka pas Bashkimi Evropian. Janë reduktuar në dy raste nga 25% forcat policore në veri dhe po synohet që të gjendet si solucion i cili është në vijë me kërkesat e Bashkimit Evropian, prandaj mendoj që nuk do të vazhdohet me punën e sanksioneve”, ka shtuar nder të tjera Bajrami.
Herën e parë votoi kundër, cila do të jetë votat e deputetit të VV-së për Kodin Civil?
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami vitin e kaluar ka votuar kundër Kodit Civil.
Por, tashmë kur ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu ka paralajmëruar që Kodi Civil përsëri këtë vit do të hidhet për votim në Kuvend, Bajrami ka thënë se beson se do të ketë një Kod Civil të ripërpunuar, pa dashur të tregojë se a ka ndryshuar qëndrim.
“Po, besoj që në të ardhmen do të kemi një kod të ripërpunuar edhe në pikat tjera të caktuara të cilat po besoj se iu ka dhënë mundësia edhe ministrisë të përmirësojë ndoshta edhe të avancojë edhe më tepër pikat e caktuara dhe besoj se do të mund të gjendet një gjuhë, kurse në raport me deklarimet se kur do të vijë unë vetëm e kam dëgjuar por nuk është se e kam parë në planin legjislativ se kur do të vijë ky kod”, ka thënë deputeti Bajrami.
I, pyetur se si do të votojë nëse i njëjti nuk ka pësuar ndryshime, ai ka pasur këtë përgjigje.
“Nuk mundem me paragjykuar. Ministrja ka deklaruar që Kodi do të vijë në Kuvend, nuk e di çfarë ka thënë tjetër, prandaj nuk mund të paragjykoj se a e ka sjellë të njëjtin, por në fakt kur një ligj bie poshtë nuk sillet i njëjti, është e paarsyeshme”, ka deklaruar Bajrami.
Bajrami i VV-së për opozitën: E kanë humbur identitetin e tyre politik
Dy partitë opozitare PDK-ja dhe AAK-ja edhe njëherë e kanë konfirmuar se nuk do të votojnë asnjë ligj dhe asnjë marrëveshje ndërkombëtare që do të vij në Kuvend.
E, deputeti i VV-së, Alban Bajrami, thotë se opozita njëjtë ka vepruar edhe më herët, pos kur kanë pasur presion ndërkombëtar për të votuar.
“Partitë opozitare nuk është se kanë vepruar ndryshe gjatë këtyre dy viteve sa kanë kaluar tashmë të këtij legjislativi, ata në raste të veçanta duke kushtëzuar në shumë raste kanë votuar bile bile edhe në afatet e fundit pasi ka pasur presion ndërkombëtar kanë votuar. Përndryshe, kemi raste kur edhe jemi marrë vesh që të kalohen projekte të caktuara dhe në fund kanë ndërruar mendje vetëm pasi kanë kaluar kërkesat e tyre”, ka deklaruar Bajrami për Front Online.
Sipas tij, opozita e ka humbur identitetin politik.
“Nuk pres diçka të re nga kjo opozitë, pres qasje bllokuese siç kanë pasur deri më tani, por mendoj se kjo është për shkak se janë në një situatë të vështirë, kanë humbur identitetin e tyre politik dhe janë duke kërkuar identitet të ri politik për të cilin s’po e gjejnë dot dhe po e manifestojnë me sjellje të dhunshme brenda Kuvendit dhe jashtë Kuvendit”, ka shtuar ndër të tjera Bajrami.
Deputeti i VV-së: Opozita po kërkon zgjedhje por vet nuk duan, po luftojnë për vend të dytë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami në një intervistë për Front Online ka thënë se nuk beson së do të ketë së shpejti zgjedhje të reja në Kosovë.
Sipas tij, jo për shkak se Vetëvendosja nuk dëshiron por se këtë nuk e dëshiron opozita.
“Gatishmëria për zgjedhje e Lëvizjes Vetëvendosje në raport me këtë opozitë është diçka për të cilën nuk mund të diskutohet, por a do të ketë zgjedhje të reja unë nuk besoj se do të ketë zgjedhje të reja, jo për shkak se ne nuk duam, por këtë gjë nuk e don opozita. Ata ën sondazhe janë shumë keq dhe arsyeja se përse diskutojnë vazhdimisht për këtë gjë është se duan ta fshehin gjendjen në të cilën ndodhen. Janë duke luftuar dy parti se kush del i dyti. Për çfarë arsye po kërkojnë zgjedhje, në zgjedhje nuk shkohet me dal i dyti, në zgjedhje shkohet për me dal i pari”, ka deklaruara Bajrami.
Sipas tij në Kosovë edhe partia që ka 6% mendon të dalë e para në zgjedhjet e ardhshme.
“Këtu tek ne, imagjinojeni në Kosovë edhe partia që ka 6% thotë në zgjedhjet e ardhshme do të dalim të parët do të thotë sikurse mos të ekzistonte matematika, fizika, mos të ekzistonin numra, statistika do të thotë me një thjeshtësi shumë të madhe e thonë se ne zgjedhjet e ardhshme do të dalim të parët, ani se kësaj here menxi e kaluam pragun”, ka shtuar deputeti.
Ai, ka folur edhe për raportet me Listën Guxo, duke thënë se nuk kanë asnjë mosmarrëveshje.
Madje, sipas tij është për t’u çuditur se si skena politike në Kosovë kur bëhet fjalë për këto dy parti ka qenë aq e sinkronizuar./Front Online