Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, thotë se nëse liderët e partive nuk arrijnë ta zgjidhin presidentin e ri, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Në një bisedë për Gazeta Blic, Bislimi thekson se LDK gjithmonë është konstruktive dhe se u takon liderëve të partive politike, që brenda afatit kushtetues të tentojnë të bëjnë zgjidhje për emrin e presidentit të ri.
“Gjasa gjithmonë ka nëse liderët politik e shohin të rrugës me gjetë zgjidhje, nëse jo ne jemi në lidhshmëri me afatin kushtetues dhe zgjedhjet janë të pashmangshme nëse nuk ka zgjidhje për presidentin, kjo është në tavolinën e liderëve të partive parlamentare të Kosovës. Ata ulen dhe munden me gjetë zgjidhje ose nuk ulen në tavolinë të përbashkët dhe vendi shkon në zgjedhje”, deklaroi Bislimi
Sipas Bislimit, Lidhja Demokratike e Kosovës, është e gatshmë për secilin opsion, qoftë edhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.Por thotë se LDK gjithashtu është në gatishmëri të gjetjes së konsensusit për emrin e presidentit.“LDK është e hapur për cilindo opsion. Ne e kemi thënë disa herë, jemi partia që ka qenë konstruktive në vazhdimësi, jemi të gatshëm me ba zgjidhje dhe me e zgjedhë presidentin. Në të njejtën kohë, në asni moment nuk i përjashtojmë zgjedhjet si opsion në bazë të të cilave ndërtohet demokracia”, thotë Bislimi
Kohëve të fundit, skema politike në vend, është polarizuar, edhe për faktin e zgjidhjes së presidentit.AAK tashmë ka zyrtarizuar kandidaturën e Ramush Haradinajt, për këtë post.Në anën tjetër, PDK dhe LDK e kanë bërë publike qëndrimin e tyre se nuk e mbështesin kandidaturën e Haradinajt.Ndërsa, vetë Haradinaj, sikurse shumica e zyrtarëve të lartë të AAK-së, publikisht kanë deklaruar se nëse posti i presidentit, nuk iu takon atyre, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.Zgjedhje të reja, po kërkon Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.
Mbetet të shihet ditëve në vazhdim, se a do të ketë konsensus për emrin e presidentit të ri