[wp-story]

Kronika

Dënohet me 20 vjet burg i akuzuari për vrasje të rëndë në veri të Mitrovicës

Dënohet me 20 vjet burg i akuzuari për vrasje të rëndë në veri të Mitrovicës
15:41 | 06 Shtator 2019

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të premten, e ka dënuar me 20 vjet burg, të akuzuarit Miqa Urosheviq, pasi e ka shpallur fajtor për kryerjen e veprave penale “vrasje e rëndë”, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme”.

Për veprën penale të vrasjes, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vjetësh, ndërsa për armëmbajtje pa leje, është dënuar me tre vjet burg, si dhe për legalizim të përmbajtjes së rreme, është dënuar me tre vjet burg.

Për të tri veprat penale, gjykata i ka shqiptuar dënimin unik në kohëzgjatje prej 20 vjetësh burgim, si dhe i është konfiskuar arma, me të cilën është kryer vepra penale.

Krahas kësaj, të pandehurit Urosheviq, i është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Gjykata e  ka obliguar të pandehurin me shpenzime procedurale në shumën prej 800 euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave të paguajë shumën prej 50 euro.

Gjykatësi Tomisllav Petroviq, e ka njoftuar tashmë të dënuarin me të drejtën e tij në ankesë, ndërsa palën e dëmtuar e ka udhëzuar në kontest civil.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 12 tetor 2018,  Miqa Urosheviq, akuzohet se më 27 dhjetor 2017, në veri të Mitrovicës, me dashje ka privuar nga jeta të dëmtuarin, tani të ndjerin Dejan Steljiq.

Bazuar në aktakuzë, vrasja është kryer në atë mënyrë që pas një fjalosje, i akuzuari Urosheviq,  i pajisur me armë në të cilën ka pasur pesë fishekë, ka shtënë pesë herë në të ndjerin Dejan Steliq, i cili nga predhat është goditur katër herë në trup duke pësuar plagë të rënda trupore nga të cilat ka mbetur i vdekur.

Në pikën e dytë të dispozitivit, i akuzuari Urosheviq, ngarkohet për kryerjen e veprës penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, që në pikën tretë të aktakuzës, ai akuzohet se më 26 gusht 2014, ka vënë në lajthim personin zyrtar, Hamdi Ademi, zëvendëskordinator në zyrën administrative në Lagjen e Boshnjakëve,  ashtu që për tu pajisur me letërnjoftim ka prezantuar ekstraktin e lindjes në emër të Darko Peroviq, me shënime ekzakte si në ekstraktin e lindjes të lëshuar më 25 maj 2014 nga zyra e gjendjes civile në Zubin Potok, ku më pas është fotografuar dhe i është lëshuar letërnjoftimi i Republikës së Kosovës në emër të Darko Peroviq.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rreme”  nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përveç kësaj, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, thuhet se i akuzuari Miqa Urosheviq, më parë ka qenë i gjykuar në Republikën e Serbisë, në Gjykatën e Lartë në Nish, për  kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” nga neni 114 të Kodit Penal të KPS-së dhe “prodhim i palejuar, mbajtje, posedim i armëve dhe materieve eksplozive” nga neni 348 të Kodit Penal të KPS-së, ku thuhet se është dënuar me 20 vjet burgim.

“Petrol Company” në natën e “Kurban Bajramit” e bën me shtëpi të re familjen nga Skenderaj

Të tjera