Gjuha:
×
  • Lajme
  • Lajme

    Dënohen me 14 vjet e 10 muaj burgim të akuzuarit për vrasjen e rëndë në Lipjan

    FrontOnline
    24 Korrik 2020

    Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten pas rigjykimit, sërish i ka shpallur fajtorë të akuzuarit për vrasje dhe lëndim i lehtë trupor, Besnik dhe Bajram Bedrolli.

    Ata akuzohen se në shkurt të vitit 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin “Banullë”, të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Urim Dushullofci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica, i akuzuari Besnik Bedrolli për veprën penale “vrasje e rëndë” është dënuar me 11 vjet burgim, ndërsa për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje” me një vit e gjysmë burgim. Ashtu që gjykata, të njëjtit i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 12 vitesh.

    Për të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale nga vepra penale “vrasje e rëndë” të kryer në bashkëkryerje, në veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi.

    “Nuk kemi gjetur që Bajram Bedrolli ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1.5 të KPRK-së, në bashkëkryerje, nga neni 31. Në vështrim të nenit 360 gjykata ka gjetur se i njëjti ka kryer veprën penale, “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 paragrafi 2 të KPRK-së, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi”, ka thënë gjykatësja Krasniqi- Jashanica.

    Të akuzuarit Bajram Bedrolli, për kryerjen e veprës penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 10 muaj.

    Gjykatësja Krasniqi-Jashanica ka njoftuar se gjykata një zëri ka vendosur që ndaj të akuzuarit  Bajram Bedrolli të ndërpritet masa e paraburgimit, dhe i njëjti të lihet në mbrojtje në liri deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

    Ndërsa, për të akuzuarin Besnik Bedrolli, gjykatësja ka thënë se do i vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi por jo më gjatë se sa dënimi i shqiptuar.

    Dy të akuzuarit Bedrolli janë obliguar që të paguajnë edhe shpenzimet procedurale dhe atë, secili veç e veç nga 500 euro në emër të paushallit, dhe nga 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

    Përfaqësuesi i palës së dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

    Pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita  e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

    Gjykata Themelore në Prishtinë me 27 nëntor 2018, të akuzuarin Besnik Bedrolli, për vrasje të rëndë e kishte dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, me 1 vit burgim, ndaj tij gjykata kishte shqiptuar dënim unik prej 15 vjet burgim efektiv.

    Ndërsa i akuzuari Bajram Bedrolli, për ndihmë në kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, ishte dënuar me 9 vite e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 1 vit burgim, mirëpo ndaj tij kjo gjykatë kishte shqiptuar dënimin unik prej 10 vite burgim.

    Mirëpo, në vitin e kaluar Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke anuluar aktgjykimin e shkallës së parë.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2015, pretendohet se Besnik Bedrolli dhe Bajram Bedrolli, më 14 shkurt 2015, rreth orës 02:00, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Urim Dushullofci.

    Sipas aktakuzës, të njëjtit fillimisht ishin fjalosur e pastaj e kishin sulmuar të ndjerin Dushullovci dhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla dhe Skënder Ademi me mjete të forta, i ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të Dushullovcit katër herë dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

    Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit me veprën penale të “vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së.

    Curri: Atdheu dhe Xhuli ia kaluan për shpejtësi të krijimit të lidhjes, Vivien dhe Getinjos (VIDEO)
    Nga Rubrika
    Lajme29 Maj 2023
    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se bandat e organizuara kriminale serbe të cilat udhëhiqen nga Vuçiq nuk do të tolerohen. Ajo...
    Lajme29 Maj 2023
    Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka mbetur i bllokuar brenda objektit të komunës. Sipas burimeve të Klankosova.tv Hetemi është duke u ruajtur...
    Lajme29 Maj 2023
    Gjatë së hënës, qindra huliganë serbë përdorën dhunë të pajustifikueshme gjatë protestes pranë komunës së Zveçanit në veri të Mitrovicës. Të paktën...
    Të tjera
    Lajme29 Maj 2023
    Për të martën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku kryesisht gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes, pritet të ketë...
    Lajme29 Maj 2023
    Pas përleshjeve në veri mes protestuesve serbë dhe forcave të KFOR-it, nën arrest po mbahen të paktën tre persona. Përmes burime nga...
    Lajme29 Maj 2023
    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se dialogu është e vetmja rrugë për të ecur përpara, duke i bërë thirrje...
    Lajme29 Maj 2023
    Ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se shihet qartë që protestat në veri janë të dhunshme dhe të udhëhequra nga bandat e njohura...
    Lajme29 Maj 2023
    Ministria e Punëve të Jashtme e Austrisë i ka dënuar fuqishëm sulmet e dhunshme ndaj ushtarëve të KFOR-it, pjesëtarëve të EULEX-it dhe...
    Lajme29 Maj 2023
    Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka thënë se është e alarmuar nga dhuna në veri të Kosovës dhe veprimet e mëparshme gjatë...

    FrontOnline, © 2023 Të gjitha të drejtat e rezervuara.