Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka folur edhe për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, në konferencën e Ambasadorëve të BE’së për vitin 2025.
Costa në fjalimin e tij ka përmendur gjashtë shtetet e Ballkanit Përëndimor, si dhe Ukrainën e Moldavinë, duke thënë se e ardhmja e tyre është brenda BE’së. Ai ka thënë se ka momentum të ri për zgjerim.
“Është gjithashtu e qartë se zgjerimi është investimi më i mirë gjeostrategjik në paqen, sigurinë dhe stabilitetin tonë që ne të gjithë mund të bëjmë. Me Ukrainën, Moldavinë dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sepse e ardhmja e tyre qëndron brenda Bashkimit Evropian. Kjo dëshmon se Bashkimi Evropian është tërheqës dhe i fuqishëm. Tani kemi një momentum të ri për zgjerim, le të krijojmë kushtet e nevojshme, nga të gjitha anët, për të përfituar”, ka thënë Costa.
Fjalimi i tij është shpërndarë edhe në faqen e Zyrës së BE’së në Kosovë, në platformën “x”.
Duke iu drejtuar ambasadorëve të BE’së, Costa ka thënë se roli i tyre është vendimtar.
“Të sigurt, bashkë, kreativë. Kështu duhet t’i qasemi një bote të vështirë. Kështu do të kemi sukses. Dhe për këtë roli juaj, të nderuar ambasadorë, do të jetë vendimtar, ju jeni Bashkimi Evropian në të gjitha anët e botës. Ne duhet ta shfrytëzojmë atë rrjet edhe më shumë, së bashku me ambasadat e vendeve anëtare, së bashku me partnerët tanë”, ka deklaruar Costa.