×
  • Lajme
  • Lajme

    Çka i ndalë gratë në Kosovë nga aplikimi për punë?

    FrontOnline
    16 Maj 2022

    Diferenca midis burrave dhe grave të punësuara në Kosovë është e madhe me mijëra veta.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tremujorin e parë të vitit të kaluar, prej më shumë se 1.2 milion qytetarëve në moshë pune, të punësuar janë rreth 360 mijë – prej tyre 261 mijë burra dhe 98 mijë gra.

    Në një hulumtim të realizuar në muajin maj nga Instituti kosovar Demokracia për Zhvillim, thuhet se në gjashtë muajt e fundit, 85.4 për qind e grave të papuna në Kosovë, nuk kanë aplikuar për punë. Si arsye për këtë është listuar përkujdesja për fëmijë dhe të moshuar.

    Teuta Haradinaj është njëra prej atyre që ndajnë këtë përvojë.

    Kjo 36-vjeçare nga Prishtina thotë se ka dy vajza – njërën dhjetë vjeçe, të dytën 6 vjeçe – dhe dy anëtarë më të moshuar në familje, për të cilët duhet të kujdeset.

    Ajo thotë se ka përfunduar shkollën e mesme ekonomike dhe se më herët ka punuar në një kompani private. Qe 11 vjet thotë se nuk punon dhe se familja varet nga paga prej rreth 500 eurosh në muaj, që merr bashkëshorti i saj.

    “I kam vajzat e vogla, i dërgoj dhe i marr nga shkolla, sepse e kanë shkollën larg… Unë jetoj edhe me vjehrrit, edhe ata kanë nevojë për kujdes”, rrëfen Teuta për Radion Evropa e Lirë.

    Diskriminimi gjinor

    Një tjetër hulumtim i Rrjetit të Grave të Kosovës ka treguar se “diskriminimi gjinor” është një tjetër arsye që step gratë nga aplikimi për punësim.

    Adelina Tërshani, koordinatore e projektit në këtë organizatë, thotë se ky lloj diskriminimi është shumë i shprehur në intervistat për punë.

    “Shumë gra pyeten për planet e tyre familjare: a janë të martuara, a kanë plane të lindin fëmijë… Këto pyetje u bëhen vetëm vajzave dhe grave, asnjëherë djemve dhe burrave”, thotë Tërshani për Radion Evropa e Lirë.

    Një tjetër pengesë për punësim, sipas saj, janë edhe punët e papaguara.

    “Punët e shtëpisë iu bien grave, për shkak të mentalitetit patriarkal në të cilin ne jetojmë. Janë punë që kufizohen vetëm në punët e shtëpisë, kujdesin për fëmijë, të moshuar, pastrimin dhe gatimin. Për to nuk ka ndonjë mekanizëm shtetëror që i mat apo i vlerëson”, thotë Tërshani.

    Disa biznese kërkojnë punësimin e grave

    Paradoksal me numrin e grave të papuna, është interesimi i disa bizneseve për punësimin e më shumë grave.

    Lumnije Ajdini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se gjatë takimeve me afaristë, ka vërejtur se ata janë më të interesuar për punëtore gra, për shkak të, siç thotë, përgjegjësisë dhe seriozitetit më të madh të tyre gjatë orarit të punës. Sipas saj, gratë janë edhe më bashkëpunuese në punë.

    Ndërsa, bizneset që kërkojnë më shumë punëtore, janë nga gastronomia dhe dyqanet e rrobave.

    “Në tregun e punës ka kërkesa të ndryshme për punëtore gra… Disa kompani të zhvilluara i vlerësojnë gratë si punëtore me më shumë përgjegjësi dhe më të angazhuara në punë”, thotë Ajdini.

    A do të përbënte dallim ndryshimi i Ligjit të Punës?

    Adelina Tërshani, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë se për të nxitur punësimin më të madh të grave, autoritetet duhet të ndryshojnë Ligjin e Punës, pjesën për pushimin e lehonisë, si dhe të ndërtojnë më shumë kopshte për fëmijë.

    Me Ligjin e Punës në Kosovë, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.

    Në bazë të këtij ligji, barra financiare e pushimit të lehonisë i bie sektorit privat, thotë Tërshani, kështu që, sipas saj, disa biznese hezitojnë të marrin gra në punë, për shkak të pagesës së pushimit të lehonisë.

    “Ne jemi duke avokuar që kostoja financiare e pushimit të lehonisë të kompensohet nga shteti”, thotë ajo.

    Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro në muaj. Në sektorin publik, paga mesatare është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gratë përbëjnë afro gjysmën e popullsisë 1.8-milionëshe të vendit.

    Ato zënë vend edhe në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2021-2025, i cili thekson “mbështetjen për fuqizimin ekonomik të grave” dhe “rritjen e punësimit të tyre, me fokus në të bërit biznes”.

    Më së keqi në rajon

    Me 15.9 për qind të grave të punësuara, Kosova ka nivelin më të ulët të grave në punë, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

    Sipas një raporti të Bankës Botërore, shkalla e punësimit të grave në Shqipëri në vitin 2019 ka qenë mbi 50 për qind, në Mal të Zi dhe Serbi afro 50 për qind, në Maqedoni të Veriut mbi 40 për qind, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë rreth 30 për qind.

    Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë është 25.8 për qind. /REL

    Avokati i Popullit Naim Qelaj dhe përfaqësueset e UN Women Kosovo vizitë në KEDS
    Nga Rubrika
    Lajme18 Prill 2024
    Opinionisti Ilir Deda, ka thënë se në 30 vitet e fundit, ndërhyrje në zgjedhje kishte në Shqipëri, gjatë kohës së shembjes së...
    Lajme18 Prill 2024
    Njohësja e zhvillimeve politike, Magbule Shkodra ka komentuar  veprimet e ditëve të fundit të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Ajo ka thënë...
    Lajme18 Prill 2024
    Policia serbe ka arrestuar një mërgimtar që jeton në Angli me pretendimet se i njëjti ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe....
    Të tjera
    Vip18 Prill 2024
    Tashmë është e konfirmuar, Sara Gjordeni dhe Bardhi së shpejti do të bëhen prindër. Lajmi është konfirmuar ekskluzivisht në emisionin e Bora...
    Lajme18 Prill 2024
    Sonte në Prishtinë ka pasur të shtëna armësh, raporton FrontOnline. Lajmin për të shtëna me armë në kryeqytet për FrontOnline e ka...
    Lajme18 Prill 2024
    Eurodeputetja holandeze Tineke Strik, ka reaguar pas maltretimeve që Serbia i bëri shtetasve të Kosovës, të mërkurën, derisa ishin duke udhëtuar transit...
    Bota/Rajoni18 Prill 2024
    Uashingtoni e ka konfirmuar dhe ka dhënë një shpjegim se pse ShBA ka vendosur të vë veton ndaj anëtarësimit të Palestinës në...
    Lajme18 Prill 2024
    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti. Ai në një moment, Kurtin e quajti argat të...
    Lajme18 Prill 2024
    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite në Austri, ka takuar disa deputetë të Kuvendit të Austrisë, përfshirë edhe...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.