[wp-story]

Kronika

Burg me kusht dhe gjobë për doganierët dhe të tjerët, njëri lirohet nga akuza për dhënie ryshfeti

Burg me kusht dhe gjobë për doganierët dhe të tjerët, njëri lirohet nga akuza për dhënie ryshfeti
15:38 | 06 Shtator 2019

Zyrtarët doganorë, Alban Krasniqi e Besnik Polloshka, janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga gjashtë muaj burgim me kusht dhe me nga 4000 euro gjobë, pasi janë shpallur fajtorë për marrje ryshfeti.

Kurse, pas ricilësimit të veprës penale nga keqpërdorim i pozitës zyrtare, në dhënie ryshfeti, Liridon Borovci është dënuar me 4000 euro gjobë.

Me 4000 euro gjobë, është dënuar edhe i akuzuari tjetër për dhënie ryshfeti, Habib Luta.

Ndërkaq, nga një akuzë e tillë është liruar i akuzuari Isak Luta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka- Mekaj, deklaroi se dënimi me burg ndaj të akuzuarve Polloshka e Krasniqi, nuk do të ekzekutohet nëse ata brenda një viti nuk kryejnë vepër tjetër.

Sa i përket dënimit me gjobë, gjykatësja Kuka-Mekaj, ka thënë se pagesa duhet të kryhet 15 ditë nga plotfuqishmëria e aktgjykimit dhe nëse kjo nuk mund të bëhet, atëherë e njëjta zëvendësohet me dënim me burgim, ku një ditë në burg llogaritet në vlerë prej 20 euro.

Gjykatësja Kuka- Mekaj, gjithashtu, ka informuar palët se gjykata sipas detyrës zyrtare ka ndërhyrë në dispozitiv, sa i përket të akuzuarve Polloshka dhe Krasniqi, duke i ruajtur elementet e veprës penale, por në bazë të gjendjes faktike i ka ndërruar e specifikuar veprimet.

Dy doganierëve tanimë të dënuar, u është ndaluar edhe ushtrimi i profesionit për një vit pas ekzekutimit të vendimit të shqiptuar.

Për të akuzuarin, Liridon Borovci, gjykatësja Kuka -Mekaj tha se gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në “dhënie ryshfeti”.

Ajo ka bërë të ditur se të dënuarit obligohen që në emër të shpenzimeve procedurale e paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 50 eurosh.

Gjithashtu, ata janë obliguar që të paguajnë edhe taksën shtesë prej 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka – Mekaj,  ka bërë një elaborim të shkurtër të aktgjykimit, të cilin tha se palët me arsyetim të detajuar do ta pranojnë brenda afatit ligjor.

Ajo ka bërë të ditur se trupi gjykues i kryesuar nga ajo, me vëmendje ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës që kanë të bëjnë me transkripte, të cilat janë gjetur rastësisht pasi Liridon Borovci ka rënë në përgjim, duke kryer vepër penale derisa ishte në përgjim për një vepër tjetër.

Sipas saj, gjykata ka gjetur se në të gjitha ato përgjime ku rezulton se nga përgjimi është përgatitur apo është duke u kryer vepër tjetër penale, janë prova të pranueshme.

Ajo ka thënë se kanë qenë informacione për lëshimin e urdhëresës dhe janë provë e pranueshme konform nenit 97 të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas kryetares së trupit gjykues, të gjithë të akuzuarit përveç Alban Krasniqit dhe Besnik Polloshkës, kanë vërtetuar të gjitha rrethanat në transkripte.

“Në një mënyrë i kanë konfirmuar si kanë biseduar në transkripte, i kanë dhënë dëshmitë e tyre”, ka thënë ajo.

Gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj, ka thënë se kanë ardhur në përfundim se ka qenë marrëveshje që t’u jepen të hollat zyrtarëve doganorë dhe se në bazë të informacionit dhe transkriptove kanë rezultuar veprimet.

“Me datë 10 ka ardh Isaku ja ka dhënë të hollat Liridonit. Edhe pse s’kemi kuptu kujt ja ka dhënë të hollat, në bazë të transkripteve thotë jam ktu tu i prit këta dhe po t’i bi nalt ku je në zyre”, ka deklaruar gjykatësja.

Në vijim, ajo ka thënë se ka rezultuar se malli është zhdoganuar pa procedurë të rregullt.

Ndryshe, në dispozitivin e ndryshuar nga ana e gjykatës për të akuzuarit Alban Krasniqi e Besnik Polloshka, thuhet se më 9 nëntor 2015, të dy në cilësinë e zyrtarëve doganorë për ekzaminim të mallit në Drejtorinë Rajonale të Doganës në Prishtinë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk kanë vepruar në pajtim me detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që të përfitojnë dobi pasurore për vete.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që gjatë ekzaminimit të mallit që ka qenë pronë e Habib Lutës, në datën e lartcekur, nga i pandehuri Krasniqi, në prezencë të pandehurit Luta, i cili e kishte sjellë mallin për ta zhdoganuar, i pandehuri Krasniqi ka vërejtur se në kamion nuk kishte vetëm mall të vjetër, ashtu siç kishte deklaruar i pandehuri Luta, por aty kishte edhe mall të ri.

Aty thuhet se më 10 nëntor 2015, pas marrëveshjes me të pandehurin Polloshka, i pandehuri Liridon Borovci, pranon shumën e të hollave prej 450 euro nga Isak Luta, sipas kërkesës së të pandehurit Habib Luta tek terminale doganor “Devolli” në Prishtinë, shumën e të cilave e kishte kërkuar i pandehuri Borovci nga i pandehuri Habib Luta, e cila shumë e të hollave duhet t’u jepej zyrtarëve doganorë, me qëllim të ikjes së procedurës kundërvajtëse doganore për mallin e ri të gjetur dhe pas dy ditësh ka rezultuar se malli ishte zhdoganuar pa procedurë të rregullt.

Ndërkaq, pas ri cilësimit të veprës penale për Liridon Borovcin, gjykatësja Kuka – Mekaj ka lexuar dispozitivin ku thuhet se më 10 nëntor 2015, i pandehuri, i cili ishte i autorizuar nga Habib Luta për zhdoganim të mallit pas marrëveshjes me të akuzuarin Polloshka ka kërkuar nga i pandehuri Luta shumën prej 450 euro.

Këtë thuhet se e kishte bërë në mënyrë që malli i dërgesës i datës 9 nëntor 2015, pronë e Habib Lutës, të cilin e kishte sjellë për ta zhdoganuar, ku gjatë ekzaminimit nga ana e të pandehurit Krasniqi ishte vërejtur se në kamion nuk kishte vetëm mall të vjetër ashtu si kishte deklaruar i pandehuri Luta, por aty kishte edhe mall të ri dhe për ta zhdoganuar mallin e ri të pa deklaruar, i njëjti ka kërkuar nga i pandehuri Habib Luta shumën e lartcekur, në mënyrë që zyrtarët doganorë të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare dhe malli të lejohej të kaloj.

Tutje, thuhet se sipas kësaj marrëveshje me kërkesën e Liridon Borovcit, i pandehuri Habib Luta, përmes nipit të tij, Isak Luta, ia dërgon paratë e kërkuara dhe të njëjtat i pranon në parkingun e terminalit doganor “Devolli” në Prishtinë dhe pas dy ditësh malli zhdoganohet sipas Dokumentit Unik Doganor ( DUD), në të cilën deklaratë nuk është vërejtur se  është deklaruar dhe malli i gjetur si i ri.

Më 20 shtator 2018, prokuroria kishte bërë zgjerimin e akuzës ndaj të akuzuarit Habib Luta, e më 22 gusht 2018, ndaj të akuzuarit Isak Luta për veprën penale “dhënie e ryshfetit”.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 14 dhjetor 2018, i akuzuari për dhënie ryshfeti, Habib Luta, kishte pranuar se u kishte dhënë ryshfet dy zyrtarëve doganorë, Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, por kishte mohuar që të ketë kontaktuar drejtpërsëdrejti me ta, siç thuhet në aktakuzë.

“Unë kam dhënë para, por jo drejtpërsëdrejti, paratë ia kam dhënë Liridon Borovcit”, kishte deklaruar Habib Luta.

Por, Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë pranim e kishte konsideruar si të pjesshëm, me ç’rast e kishte refuzuar.

Lidhur me pranimin e fajësisë, mbrojtësi i të akuzuarit Habib Luta, avokati Bahtir Troshupa, kishte deklaruar se duhet të bëhet përmirësimi i akuzës, pasi që sipas tij, i mbrojturi i tij nuk kishte dhënë ryshfet drejtpërsëdrejti, por përmes të akuzuarit tjetër, Liridon Borovci, i cili kishte qenë në cilësinë e ndërmjetësit.

Lidhur me refuzimin e pranimit të fajësisë, prokurori Kujtim Munishi kishte deklaruar se epilogu i kësaj ngjarje shihet të jetë lirimi i të akuzuarve, ngase gjykata vazhdimisht i refuzon marrëveshjet e arritura midis tij dhe të akuzuarve.

Paraprakisht, gjykata kishte mbajtur një seancë dëgjimore, për shqyrtimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, e cila ishte lidhur midis prokurorit Kujtim Munishi dhe të akuzuarit tjetër Isak Luta, marrëveshje kjo e cila ishte refuzuar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Metaj.

Në këtë rast, seancat fillestare janë bërë ndaras ndaj të akuzuarve, pasi që fillimisht i akuzuari Isak Luta, kishte pranuar të hynte në negocim të marrëveshjes për pranim fajësie, por që më pas ajo ishte refuzuar nga gjykata.

Pas refuzimit të kësaj marrëveshje, ai ishte deklaruar i pafajshëm.

Gjithashtu, ndaras ishte mbajtur edhe seanca ndaj Liridon Borovcit, që gjithashtu kishte arritur marrëveshje për pranim fajësie, por që në seancën e 7 shtatorit të vitit 2018, ishte refuzuar nga gjykata.

Shkak i mos pranimit të kësaj marrëveshje, sipas gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj, është se veprimet e të akuzuarit Borovci në raport me shkresat e lëndës nuk përkojnë me një vepër të tillë penale.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 18 korrik 2018, ndaj  Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, zyrtarë doganorë, si dhe zyrtarit të firmës “Euro Joni Kosova”, Liridon Borovci.

Sipas aktakuzës, zyrtarët doganorë Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”, ndërsa i akuzuari tjetër Liridon Borovci, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Siç pretendon prokuroria, më 9 nëntor 2015, të akuzuarit Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, të dy në cilësinë e zyrtarëve doganorë, për ekzaminimin e mallit në Drejtorinë Rajonale të Doganës në Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre e tyre e qëllim që të përfitojë dobi pasurore, ku me rastin e zhdoganimit të mallit, kishin kërkuar nga Isak Luta dhe Habib Luta, si vozitës i kamionit, shumën prej 450 euro.

Ndërsa, siç pretendon prokuroria, i akuzuari tjetër, Liridon Borovci, si zyrtar i kompanisë “Euro Joni Kosova” duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim që të fitojë çfarëdo dobie pasurore, për vete apo për personin tjetër, dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, vazhdimisht ka biseduar me të akuzuarin Besnik Polloshka, dhe atëherë të akuzuarin Habib Luta, duke i bindur që të japin ryshfet shumën prej 450 euro, me qëllim të zhdoganimit të mallit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 7 qershor 2018, kishte pranuar kallëzim penal shtesë, për dy të dyshuarit për dhënie ryshfeti, Isak dhe Habib Luta.

Kështu, Prokuroria Themelor, në Prishtinë më 20 shtator 2018, kishte bërë zgjerimin e akuzës ndaj të akuzuarit Habib Luta, e më 22 gusht 2018, ndaj të akuzuarit Isak Luta, për veprën penale dhënie e ryshfetit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Isak Luta, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar të holla në shumën prej 450 euro,  zyrtarëve doganorë, Besnik Polloshka dhe Alban Krasniqi.

Sipas prokurorisë, këto veprime i kanë bërë me qëllim që mallin e sjell nga Habib Luta, ta zhdoganojnë, duke mos e lajmëruar si mall të ri, por si të vjetër sipas parametrave që i parasheh Dogana e Kosovës.

Me këto veprime të akuzuarit Isak dhe Habib Luta, akuzohen se kanë kryer veprën penale “dhënie ryshfeti” nga neni 429 par.1 i KPRK-së.

“Petrol Company” ul çmimet për 15 %. Ja sa kushton një litër naftë

Të tjera