×
  • Lajme
  • Lajme

    Borrell: Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, çështje muajsh

    FrontOnline
    12 Tetor 2020

    Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha të martën se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces kompleks, por ai u shpreh se arritja e një marrëveshjeje finale është çështje muajsh, e jo vitesh.

    Këto komente Borrell i bëri pasi ministrat e Jashtëm të BE-së u takuan në Luksemburg, takim në të cilin, i dërguari i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, raportoi për rrjedhën e këtij procesi dhe vazhdimin e tij.

    “Ky është një proces kompleks dhe dialogu nuk është i lehtë. Bisedimet po vazhdojnë, kemi pasur dy takime në nivel të lartë dhe nuk ka qenë gjithmonë lehtë. Të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar këtë dialog të vështirë. Të dy liderët, presidenti i Serbisë (Aleksandar Vuçiq) dhe kryeministri i Kosovës (Avdullah Hoti), kanë thënë se i japin prioritet të lartë perspektivës evropiane të rajonit. Dialogu është një kusht i domosdoshëm për rrugën e tyre evropiane”, është shprehur Borrell, raporton REL.

    Ndonëse tha se BE-ja nuk do të vendosë afate artificiale për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, Borrell tha se një marrëveshje e tillë mund të arrihet shpejt, nëse palët angazhohen.

    “Unë personalisht besoj se arritja e marrëveshjes përfundimtare është çështje muajsh e jo vitesh, me kusht që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive. Ne nuk e shkruajmë paraprakisht se cila është zgjidhja. As nuk do të caktojmë afate artificiale për të përshpejtuar procesin. Ne mirëpresim të gjitha nismat në mbështetje të dialogut. Mirëpresim edhe angazhimin e SHBA-së, por është BE-ja ajo që e udhëheqë këtë proces”, tha Borrell, duke përkujtuar se kusht është edhe forcimi i fqinjësisë së mirë.

    Shefi i politikës së jashtme të BE-së tha se përmbyllja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të konsiderohej sukses edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Mbetemi të përkushtuar që ta sjellim dialogun në një përmbyllje të suksesshme. Suksesi është kyç jo vetëm për Prishtinë dhe Beogradin, por për rajonin në tërësi. Në takim është shprehur një mbështetje e fuqishme për punën që po bën Mirosllav Lajçak”, tha Borrell.

    Ai u ka bërë ftesë liderëve që të punojnë së bashku në ndërtimin e mirëbesimit dhe pajtimit. Po ashtu, ka përsëritur qëndrimin se perspektiva evropiane është për të gjithë dhe në rastin e Kosovës dhe Serbisë kjo shkon edhe përmes dialogut.

    Ndërkaq, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak deklaroi të hënën se është mirënjohës për interesimin e ministrave të Jashtëm të BE-së dhe mbështetjen e fuqishme për dialogun Kosovë-Serbi.

    “Diskutimi i sotëm konfirmoi se dialogu është qartazi i lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në një postim në Twitter.

    Lajçak të martën pritet të qëndrojë në Prishtinë dhe pastaj pritet të vizitojë edhe Beogradin për, siç u tha në Bruksel, “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

    Pala kosovare ka thënë se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e këtij Asociacioni, por Serbia insiston që të bisedohet për të.

    Formimi i tij është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

    Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni.

    Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

    Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përsëritur në disa raste se çështja e Asociacionit është një temë tashmë e mbyllur.

    Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur në vitin 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Së fundmi, Shtetet e Bashkuara janë angazhuar po ashtu në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku në kuadër të këtij angazhimi, u arrit edhe një marrëveshje për normalizim ekonomik më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

    Për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti amerikan, Donald Trump, qysh në tetor të vitit 2019, ka emëruar Richard Grenellin, si të dërguarin e tij të posaçëm për këtë proces.

    Nga Rubrika
    Lajme15 Janar 2025
    Ish-nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj ka deklaruar se ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi e shohin...
    Lajme15 Janar 2025
    Avokati që përfaqëson familjen e Liridona Ademaj, Leutrim Syla, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares....
    Lajme15 Janar 2025
    Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka marrë pjesë sonte në takime me qytetarë në lagjen “Kodra e Trimave” dhe “Kalabri”...
    Të tjera
    Lajme15 Janar 2025
    Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku ka përmbyll ditën në lagjen Bregu i Diellit. Nga kjo lagje, Abdixhiku...
    Lajme15 Janar 2025
    Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci në përmbyllje të vizitës në ShBA, ka vizituar fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të...
    Zgjedhjet 202515 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka thënë se nuk i vjen turp që...
    Zgjedhjet 202515 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj ka njoftuar se ka mbyllur ditën sot në Korishë të Prizrenit, duke falënderuar...
    Lajme15 Janar 2025
    Nol Nushi nga PSD-ja ka njoftuar se është liruar pas arrestimit në stacionin policor në kufirin Kosovë-Maqedoni. Nushi ka shkruar se arsyeja...
    Zgjedhjet 202515 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Artan Nimani ka njoftuar se sonte ka qëndruar në fshatrat Gramacel dhe Jasiqi...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.