×
  • Opinione
  • Opinione

    Boris Johsoni po e përdor Ukrainën për ta filluar rikthimin britanik në Evropë

    FrontOnline
    16 Maj 2022

    Oh, çfarë ironie! Boris Johnsoni, lideri i Brexit-it që ia ktheu shpinën BE-së, sypatrembur po e udhëheq mbrojtjen e Evropës përballë agresionit rus. Ekzagjerim? Po, por pas këtij publiciteti fshihet një histori intriguese. Edhe pse e rrezikon një tjetër përçarje të madhe me Brukselin për shkak të Irlandës së Veriut, Johnsoni po e përdor krizën e Ukrainës për të bërë paqe me disa aleatë të vjetër evropianë. Qëllimi i tij është: ta rivendosë Mbretërinë e Bashkuar si fuqi kontinentale.

    Nënshkrimi i javës së kaluar i pakteve dypalëshe të mbrojtjes me aspirantët e NATO-s, me Suedinë dhe me Finlandën – “miqtë tanë në veri” – ishte manifestimi i fundit i përpjekjes, në dukje të bashkërenduar britanike, për t’i ringjallur lidhjet politike me vendet e Evropës lindore, qendrore dhe ato nordike që ishin aleatë natyralë të Mbretërisë së Bashkuar para shkëputjes përmes Brexit-it. Johnsoni dhe ministrat kryesorë i kanë vizituar disa herë Poloninë dhe republikat baltike, teksa kriza e Ukrainës po eskalonte.

    Vendosja e shpejtë e trupave dhe pajisjeve shtesë nga Britania përgjatë “vijës së frontit” të NATO-s me Rusinë, dhe premtimi i këtij muaji për 1.6 miliardë dollarë shtesë në armatim të sofistikuar dhe ndihmë për vetë Ukrainën, është vlerësuar mirë nga qeveritë rajonale dhe nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i cili e priti Johnsonin muajin e kaluar. Për dallim nga ky, “dy të parët” e BE-së, Emmanuel Macroni i Francës dhe Olaf Scholzi i Gjermanisë, nuk e kanë vizituar Kievin e kohës së luftës.

    Në qendër të mësymjes britanike në Evropë është Forca e Përbashkët Ekspeditore (JEF), grupim ushtarak jashtë BE-së dhe i lidhur me NATO-n, që përfshin Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, Danimarkën, Finlandën, Suedinë, Islandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë dhe Holandën. JEF është shumë i përfshirë në mbrojtjen që ndërlidhet me Ukrainën. Në një mënyrë kjo është “ushtria evropiane” për të cilën BE-ja shpesh flet, por nuk arrin kurrë ta organizojë – dhe ajo drejtohet nga Britania.

    Johnsoni padyshim është i sinqertë kur thotë se humbja e Rusisë do të jetë prioritet. Për të kjo luftë e simbolizon luftën globale mes demokracisë dhe autoritarizmit. Prandaj, qëndron pranë ShBA-së, liderit të NATO-s dhe aleatit kryesor të Britanisë për Brexit-in, pa marrëveshjen e të cilit pak gjë do të guxonte të bënte.

    Megjithatë, konkurrimi me Francën dhe Gjermaninë për pushtet dhe ndikim në Evropë, si dhe sfidimi i emrave më me ndikim në Bruksel në një kohë të trazirave të thella gjeopolitike, është çështje tjetër – dhe cak me potencial shpërblyes politik.

    Përpara se Ukraina të shpërthente, Johnsoni ngatërrohej me qeveritë e djathta në Varshavë dhe në Budapest të cilat, ashtu si Britania, luftonin me BE-në. Viktor Orbani, lideri i djathtë i Hungarisë i cili po i bllokon sanksionet e naftës ndaj Rusisë, vitin e kaluar u mirëprit ngrohtësisht në Kryeministri.

    Mbështetja e Britanisë për krahët lindorë dhe veriorë të Evropës daton nga periudha mes viteve 1995 dhe 2004, kur shumë aplikantë të BE-së u mbështetën nga Londra për ta kompensuar dhe dobësuar boshtin dominues Francë-Gjermani-Beneluks. Që atëherë, Parisi e ka kundërshtuar më së shumti zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Javën e kaluar, Macroni e paralajmëroi Ukrainën se mund të presë dekada të tëra për anëtarësim të plotë.

    Aktiviteti pozitiv i Johnsonit për Ukrainën vlerësohet mirë në Londër, në Uashington dhe në pjesë të Evropës Lindore, shumë më shumë nëse krahasohet me hezitimin, ndarjen dhe dobësinë e perceptuar në zemrën e BE-së.

    Scholzi i Gjermanisë, i kapur pas rrënojave të Ostpolitik-ës, është bërë sinonim i zvarritjeve. Pavarësisht se me vonesë pranoi të furnizonte me armë të rënda dhe të ndalonte importet e naftës, gjermanët i ka lënë goxha të nënshtruar, dhe tregues për këtë është rënia e partisë së tij në zgjedhjet në Shlesvig-Holshtajn.

    Posa e fitoi mandatin e dytë presidencial dhe duke i vëzhguar vështirësitë e Berlinit, Macronit tani po i duket vetja se është shefi i Evropës. Por, për çështjen më urgjente të kontinentit, realiteti është krejt ndryshe. Vlera e ndihmës ushtarake franceze për Kievin (105 milionë dollarë) është më pak se gjysma e asaj të Estonisë së vogël (220 milionë dollarë). Rezultoi keq edhe “diplomacia telefonike” e kotë e Macronit para fillimit të luftës, kur Putini ia luajti keq – në të vërtetë, ai u tall. Dhe, Presidenca franceze e BE-së është ende duke u munduar për të rënë dakord për sanksionet e energjisë.

    Për më shumë, planet e preferuara të Macronit për ta krijuar një Evropë “strategjikisht autonome”, të pavarur nga ShBA-ja (dhe Kina), u bënë copë-copë në mes të vorbullës së Ukrainës. Në vitin 2019, ai e shpalli NATO-n “tru të vdekur”, një pretendim i pamatur që, siç u pa më vonë, ka mundur ta bindte Putinin se kjo është e vërtetë.

    Tani, në këta muaj të furishëm, NATO-ja e përtërirë, e mbështetur nga pakot e armëve prej shumë miliarda dollarëve të ShBA-së, dhe me Britaninë në ballë, e shpëtoi sa Evropën aq edhe Kievin. Natyrisht, BE-ja nuk është dakord me këtë. Brukseli po mendon se po bën punë të mirë, për shembull me refugjatët – ndryshe nga Hom-Ofisi i Priti Patelit. Në të vërtetë, secili mundet dhe duhet të bëjë më shumë.

    Megjithatë, përfundimi për shumëkënd i pakëndshëm është ky: po të mos ishin përkushtimet e shpejta, të guximshme dhe bujare nga ShBA-ja dhe nga Britania e Madhe, plus vendet e anglosferës si Kanadaja dhe Australia, Ukraina tashmë mund ta kishte humbur luftën, Evropa e lirë dhe demokratike do të zmbrapsej dhe Putini do t’ia vinte syrin viktimës së radhës, ndërkohë që Macroni do të priste për ndonjë lidhje telefonike.

    Ndryshimet e mëdha dhe të pasigurta në ekuilibrat relativ të fuqisë në gjithë Evropën, tashmë po zhvillohen si pasojë e luftës. BE, nën presion të fortë të brendshëm për t’u reformuar nga Konferenca e saj për të Ardhmen e Evropës, e cila u raportua javën e kaluar, përballet me dilema të mëdha në lidhje me rëndësinë, kohezionin dhe vendimmarrjen.

    Udhëheqësit francezë dhe gjermanë duhet ta krijojnë një vizion të përbashkët. ShBA-ja është riangazhuar në Evropë – por për sa kohë? Sa i përket Mbretërisë së Bashkuar, ngjarjet e fundit me siguri ua kanë kujtuar breksiterëve se Evropa është shtëpia e Britanisë, fqinjësia e pashmangshme ku shtrihen interesat kryesore kombëtare. Në lidhje me këtë, fatmirësisht më pak po dëgjojmë gjëra për animin e “Britanisë globale” në Azi-Paqësor ose për nirvanën e tregtisë së lirë të ShBA-së.

    Ukraina ia dha Johnsonit të izoluar një mundësi dhe ai e shfrytëzoi. Por, kurrë mos e nënvlerësoni aftësinë e tij dhe të sekretares së tij të jashtme që kërkon vëmendjen, Liz Truss, për t’i hedhur poshtë të gjitha këto. Pezullimi i aspekteve të protokollit të Irlandës së Veriut dhe shfuqizimi i traktatit të Brexit-it, siç kërcënojnë ta bëjnë këtë javë, është mënyrë e sigurt për të bashkuar Evropën kundër Britanisë – përsëri – dhe për të shkatërruar aleancën anti-Putin.

    Nga: Simon Tisdall / The Guardian
    Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

    Për shkak të punimeve në rrjet në këto zona do ketë ndërprerje të rrymës
    Nga Rubrika
    Opinione18 Prill 2024
    Burimi: The Guardian (Titulli origjinal: Netanyahu faces tough questions on Iran – because we Israelis don’t need any more forever wars) Shkruan:...
    Opinione17 Prill 2024
    Nga Xhezair Zaganjori: Pak ditë më parë, më 9 prill 2024, Dhoma e Madhe e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut...
    Opinione16 Prill 2024
    Nga Shlomo Ben-Ami: E ndodhur përballë kërcënimit të një fitoreje ruse në Ukrainë, Evropa duhet të vendosë se si të përballet me...
    Të tjera
    Sport19 Prill 2024
    Deri në këtë fazë të kampionatit, për Dritën si pretendente e titullit kampion, flitej pak, pasi gara ishte fokusuar te Ballkani dhe...
    Lajme19 Prill 2024
    Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së...
    Lajme19 Prill 2024
    Ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se rruga Kijevë – Zahaq po bëhet dhe ka filluar...
    Sport19 Prill 2024
    Një raportim i ri ka pretenduar se Pep Guardiola mund të largohet nga Manchester City, teksa një emër befasues është duke u...
    Lajme19 Prill 2024
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka reaguar Qeverisë së Kosovës për projektin e zgjerimit të rrugës Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, për të cilën qeveria...
    Sport19 Prill 2024
    Gjyqtarë të huaj në bashkëpunim me vendorë do të gjykojnë ndeshjet e basketbollit kosovar nga faza gjysmëfinale e play off-it. Nga burime...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.