×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    Biznesmeni Ahmet Kurtolli fiton me gjyq 2.2 milionë € nga komuna e Prishtinës, kontrata ishte shkëputur në mandatin e Shpend Ahmetit

    Fatlum Berisha
    09 Dhjetor 2022

    Komuna e Prishtinës ka humbur 2.2 milionë euro në betejën gjyqësore që pati me kompaninë AMM, pronë e biznesmenit Ahmet Kurtolli, i njohur me nofkën “Lara”, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    E para ishte paditur nga e dyta për shkëputjen e njëanshme të një kontrate. Ujdia ishte nënshkruar në kohën e Isa Mustafës më 4 prill të vitit 2013, kurse ishte shkëputur në kohën e pasardhësit të tij në Komunë, Shpend Ahmeti. Ajo parashihte që AMM të ketë të drejtën e shfrytëzimit të hapësirave reklamuese në kryeqytet. Këtë të drejtë ekskluzive kompania e mbante që nga viti 2001.

    Pronari i saj, Kurtolli ishte financues i LDK-në në kohën kur ky subjekt udhëhiqej nga Isa Mustafa.

    Nga komuna e Prishtinës e kanë konfirmuar për “Front Online” se kanë humbur rastin në Gjykatë ndaj kompanisë AMM.

    “Miratohet, pjesërisht kërkesëpadia e paditesit/kundër të paditurit “AMM”, shpk, ashtu që detyrohet i padituri/kunderpaditesi “Komuna e Prishtines” që t`ia paguajë shumën prej 2,267.956.00 Euro me kamatë ligjore 8%, duke filluar nga 18.10.2017 në emër të dëmit material (fitimit të humbur) për shkak të mos dorëzimit të numrit të kontraktuar të stacioneve reklamuese si dhe moslargim i operatorëve ilegal në fushën e reklamimit të jashtëm në Prishtinë, sipas kontratës Nr. 12/04, dt. 24.04.2013”, thuhet në përgjigjen e komunës për “Front Online”.

    Apeli refuzoi ankesën e Komunës, fitoi Kurtolli

    Nga komuna kanë treguar se ndaj vendimit të Themelores kanë paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

    Kjo e fundit ka aprovuar ankesën e komunës vetëm tek pjesa e llogaritjes së kamatëvonesës. Ndërsa ka vërtetuar se duhet të kompensohen kërkesat e aprovuara financiare në aktgjykimin e shkallës së parë.

    Si rezultat, kompanisë AMM i ka lindur e drejta për të filluar me procedurën e përmbarimit.

    Gjykata ka refuzuar Prapesimin e debitorit Komuna e Prishtines ashtu qe mbetet ne fuqi Urdheri Permbarimor P.nr. 733/2020, i dates 21.10.2020, me te cilin Komuna e Prishtines obligohet qe te permbushe detyrimin ne vlere prej 2,266,271.30 euro se bashku me kamatë ligjore”, theksohet në përgjigjen e Komunës për Front Online.

    Autoritetet komunale prishtinase kanë thënë se kanë shfrytëzuar të drejtën për paraqitjen e mjetit të jashtëzakonshëm dhe brenda afatit të paraparë ligjor kanë paraqitur revizion me datë 19.10.2020 dhe se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

    Deri në këtë kohe që jemi duke komunikuar, nuk kemi pranuar ende vendim nga Gjykata Supreme e Kosovës”, thuhet tutje në përgjigjen e zyrtarëve prishtinas.

    Sidoqoftë, as ankesa ndaj aktvendimit për refuzimin e prapesimit e as revizioni si mjet i jashtëzakonshëm nuk e ndalin ekzekutimin e urdhrit përmbarimor.​

    Kurtolli e Shpend Ahmeti nuk japin detaje

    Front Online ka kontaktuar me Ahmet Kurtollin, pronar i kompanisë, AMM.

    I pyetur nëse ka filluar me procedurat përmbarimore, ai ka thënë se nuk mund të përgjigjet tash me arsyetimin se është jashtë vendi.

    “Jam në Amerikë. Kur kthehem, javën tjetër, iu lajmëroj”, ka thënë shkurt Kurtolli.

    Teksti do të plotësohet me përgjigjet e tij, në momentin që Kurtolli i nis ato.

    Front Online ka dërguar pyetje në adresë të ish-kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti për ta pyetur nëse ndihet përgjegjës për humbjen e këtyre 2.2 milionë eurove.

    Deri tash ka munguar një përgjigje prej tij, ndonëse pyetjet i janë dërguar në rrjetin social Facebook dhe në numrin e tij kontaktues.

    Humbjet e komunave nëpër Gjykata, shkaqet

    Avokati Skender Musa ka shpjeguar se pse autoritetet sipas tij po humbasin lëndët nëpër gjykata.

    “Humbjet e parave po ndodhin për shkak se në shumicën e rasteve zyrtarët komunalë nuk po kryejnë shërbimet në mënyrë profesionale e ligjore. Po ashtu kjo po ndodh për shkak se komuna nuk po përfaqësohet mirë para Gjykatës. Gjithmonë po paraqiten dobët në procedure si palë”, theksoi Musa për “Front Online”.

    Ky pati edhe një ankesë tjetër.

    “Komunat kur po hapin tenderët për shërbime ligjore nuk po i njoftojnë të gjitha zyrat e avokatisë, por vetëm avokatët që janë të afërt me ta. Kështu kompanitë më të mëdha e profesionale nuk janë të njoftuara hiç”, u shpreh Musa.

    Rreth AMM

    Kompania AMM” mbante monopolin e hapësirave reklamuese në kryeqytet.

    Mediet kanë raportuar vite më parë se kontrata mbi të cilën ajo punonte nuk ishte publikuar ndonjëherë nga Komuna e Prishtinës. Asnjëherë nuk u lejua qasje në këtë kontratë, përderisa e njëjta ishte vazhduar në vitin 2006 mbi një tender që ishte hapur për ndërtimin e qoshqeve ku do të kishte edhe hapësira reklamuese. Por, edhe në vitin 2006, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, gjeti parregullsi në kontratën me AMM-në.  Auditorët që në vitin 2006 në mes tjerash gjetën se çmimet e kësaj kontrate, të lidhur mes komunës në fjalë dhe “AMM-së” janë për 50% ma të ulëta se tarifat komunale ekzistuese. Ndër shkeljet e tjera që ishin gjetur në këtë kontratë, ishte se në panot e ekspozuara reklamohet duhani dhe alkooli edhe përkundër asaj se në rregulloren komunale për taksa e tarifa është e ndaluar të reklamohen këta artikuj, se ishin lëshuar dy akt-vendime të kundërligjshme mbi këtë kontratë, njëra për vendosjen e posterit të Bill Klintonit, ndërsa tjetra për promovim të albumit muzikor.

    “Për asnjërën nuk janë përdorur procedura të prokurimit. Mos-respektimi i kushteve të kontratës për artikujt që dëmtojnë shëndetin, mungesën e transparencës dhe devijim nga rregullat për taksa dhe tarifa”, ishin disa nga gjetjet e ZAP për kontratën, deri tash sekrete, në mes të Komunës së Prishtinës dhe financuesve të LDK-së, Kurtolli e Salihu.

    Ndryshe, Kurtolli ka qenë edhe nënkryetar i klubit futbollistik, “Fc Prishtina”.

    /Front Online/

    Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ LKIA me rekord të ri në nr. të udhëtarëve dhe fluturimeve
    Nga Rubrika
    Lajme19 Prill 2024
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës sepse sipas tij ai dha Asociacionin për Këshillin...
    Lajme19 Prill 2024
    Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri në një deklarim për FrontOnline thotë nuk pret sukses nga ky votim dhe se Komisionet Komunale...
    Lajme19 Prill 2024
    SHBA-së iu thanë planet e Izraelit për të goditur Iranin, por ata nuk e miratuan veprimin, thonë zyrtarë të cilët deshën të...
    Të tjera
    Lajme18 Prill 2024
    Njohësja e zhvillimeve politike, Magbule Shkodra ka komentuar  veprimet e ditëve të fundit të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Ajo ka thënë...
    Lajme18 Prill 2024
    Policia serbe ka arrestuar një mërgimtar që jeton në Angli me pretendimet se i njëjti ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe....
    Lajme18 Prill 2024
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot nënkryetaren e komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Adjançiq, nënkryetaren e komunës së...
    Lajme18 Prill 2024
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Në një...
    Vip18 Prill 2024
    Pas konfirmimit të shtatzënisë, Sara Gjordeni ka publikuar një video me barkun e rrumbullakosur. “Dritë, mami dhe babi shpresojnë që për ty...
    Lajme18 Prill 2024
    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është liruar nga autoritetet serbe, pas ndalesës që iu bë një ditë më parë në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.