Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, priti zëvendëskryeministrin dhe Ministrin për Punë, Familje, Çështje Sociale dhe Mundësi të Barabarta të Sllovenisë, Luka Mesec. Prezente në takim ishte dhe ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejčič.
Sipas njoftimit nga ekzekutivi, ata bashkëbiseduan rreth fuqizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
“Fokusi kryesor gjatë diskutimit iu dha marrëveshjes së inicuar sot mes Kosovës dhe Sllovenisë për sigurime shoqërore. Kjo marrëveshje do t’i mundësojë qytetarëve të dy vendeve të kenë mundësinë të realizojnë të drejtën e tyre për pension në vendin ku jetojnë.Zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi homologun e tij edhe me progresin që ka njohur vendi në katër vitet e fundit, veçanërisht sa i përket zhvillimit ekonomik të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në takim u bisedua edhe rreth zhvillimeve në vend dhe rajon. Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen ndaj Sllovenisë për partneritetin dhe bashkëpunimin si dhe i dëshiroi Mesec qëndrim e vizitë të frytshme në Kosovë.