Opinione

Biden shpërdoron marrëveshjen historike të Trump për negociatat Kosovë-Serbi

Biden shpërdoron marrëveshjen historike të Trump për negociatat Kosovë-Serbi
10:26 | 08 Shtator 2021

Një vit më parë, më 4 shtator, bota festoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Normalizimit Ekonomik Kosovë-Serbi në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Trump kishte sjellë së bashku presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti, për të ndërmarrë një hap të madh drejt zgjidhjes së konfliktit të tyre historik.

Ishte vizioni i Donald Trump për Kosovën dhe Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe për të ndihmuar në krijimin e një rigjallërimi të plotë në të gjithë Ballkanin. Presidenti Trump besonte se konflikti i perceptuar po ndikonte në krijimin e vendeve të punës dhe në zhvillimin ekonomik për të gjitha vendet e përfshira. Ai gjithashtu besonte se strategjia e bisedimeve të vazhdueshme politike, të udhëhequra nga evropianët, nuk po funksiononte.

Fatkeqësisht për Ballkanin, administrata e Biden ka marrë qëndrime të kundërta. Presidenti Joe Biden po vazhdon ta injorojë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe të gjithë rajonin dhe ka vendosur që të thjesht të mos përfshihet. Ai nuk ka të dërguar presidencial për negociatat dhe nuk ka diskutime e as plane për rajonin brenda Shtëpisë së Bardhë. Nuk ka të planifikuara vizta të nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe asnjë datë për udhëheqësit e Ballkanit kur do të vijnë në SHBA.

Sidoqoftë, ekziston një pajtim i plotë nga Biden me procesin e Bashkimin Evropian në Bruksel, Belgjikë. BE-ja është përgjegjëse për strategjitë e rizhvillimi të Ballkanit dhe për bisedimet e normalizimit.

Por Presidenti Trump ende beson se secila palë duhet të vazhdojë zbatimin e Marrëveshjes së Normalizimit Ekonomik 2020, pavarësisht mungesës së udhëheqjes së Biden. Administrata Trump besonte se hapat e palës kosovare dhe asaj serbe drejt normalizimit ekonomik do të zbehnin fuqinë dhe rëndësinë e çështjeve të nxehta dhe emocionale politike të mosmarrëveshjes dhe ishin parakushte për një zgjidhje të përhershme të mosmarrëveshjeve politike. Dhe vizioni i Presidentit Trump po funksiononte. Përmes negociatave, palët kishin rënë dakord të ndërtonin një rrugë dhe linjë hekurudhore, si dhe të krijonin një fluturim direkt midis kryeqyteteve të tyre respektive, Beogradit dhe Prishtinës.

Nën Trump, Serbia dhe Kosova ranë dakord gjithashtu për të hapur dhe vënë në funksion objektin e Pikës së Përbashkët të Kalimit Merdare. Ky vendkalim kufitar tani i hapur duhet të jetë vetëm fillimi i rrjedhës së nevojshme dhe efikase të njerëzve dhe mallrave midis Serbisë dhe Kosovës. Trump ende beson se secila palë duhet të njohë diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës dhe të bashkohet me “zonën mini-Shengen” të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor 2019.

Premtimet e mëparshme për të mbrojtur dhe promovuar lirinë e fesë, duke përfshirë rinovimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe kthimin e vazhdueshëm të pronës hebreje të trashëguar dhe të pakërkuar të epokës së Holokaustit janë të denjë për zbatim edhe nëse administrata e Biden nuk po i kushton vëmendje. Dhe kështu është marrëveshja për të caktuar Hizballahun në tërësi si një organizatë terroriste dhe për të zbatuar plotësisht masat për të kufizuar operacionet dhe aktivitetet financiare të Hizballahut në juridiksionet e palëve. Ekipi Trump shpreson se të dyja palët do të vazhdojnë me angazhimet e tyre për të ndihmuar në dekriminalizimin e homoseksualitetit në 69 vendet ku aktualisht është i paligjshëm dhe zgjerimin e marrëdhënieve të tyre diplomatike me Izraelin.

Ndoshta më e rëndësishmja – për njerëzit në terren, palët e përfshira në negociata, dhe për historinë dhe të ardhmen e rajonit – Trump beson se palët gjithashtu duhet t’i përmbahen angazhimeve të tyre për të përshpejtuar përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar eshtrat e personave të zhdukur nga lufta e cila përfundoi dy dekada më parë.

Por hapja historike e krijuar nga marrëveshja Trump e 4 Shtatorit 2020 ka një dispozitë që tashmë është shpërdoruar nga Administrata e Biden. Ka qenë zemëruese të shikosh se si Biden i ka injoruar paralajmërimet e mia në fillim të këtij viti për njëren nga pikat më të nxehta të marrëveshjes: moratoriumi njëvjeçar mbi kërkimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe një moratorium njëvjeçar për fushatën e çnjohjes së Serbisë kundër Kosovës.

Mjerisht, ai  angazhim njëvjeçar ka përfunduar dhe palët nuk janë më të detyruara ta mbajnë atë zotim. Është tepër zhgënjyese që Joe Biden nuk u përpoq as të zgjaste premtimin e tyre. Është sikur Joe Biden ka harruar që ekziston Ballkani.

Pikëpamja e presidentit Trump që nga fillimi ka qenë se besimi është ndërtuar së pari në procesin e krijimit të mundësive dhe të ardhmes për të rinjtë, sesa në zgjidhjen e rezultateve, simbolizimi, ose ndreqjen e gabimeve historike.

Richard Grenell është ish -drejtori në detyrë i inteligjencës kombëtare dhe ish Ambasador i SHBA-së në Gjermani.

(Botuar në The Federalist, përkthyer nga Klankosova.tv)

 

Kush janë parakushtet efektivitetit dhe efiçiencës?

Të tjera