Për dallim nga ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili ka vendosur që të mbrohet në heshtje në rastin e njohur si “Pronto”, bashkëpartiaku i tij, Besim Beqaj, ka thënë se nuk ka qenë kompetencë e tij zgjedhja e drejtorëve apo e kryshefave ekzekutivë në ndërmarrjet publike.
Në seancën e së hënës, pasi që trupi gjykues ka administruar si prova, propozimet e prokurores së rastit, Drita Hajdari, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarve në rastin “Pronto”, në të cilin akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët.
Ata akuzohen për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Derisa, Adem Grabovci, Arbenita Pajaziti, e Ilhami Gashi, kanë thënë se do të mbrohen në heshtje, rreth akuzave në rastin e njohur “Pronto”, është deklaruar ish-ministri i Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Besim Beqaj, njëherësh ish-deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Beqaj që në vitin 2011, ka qenë ministër i Zhvillimit Ekonomik, periudhë kjo për të cilën bënë fjalë aktakuza në rastin “Pronto”, është përgjigjur në pyetjet lidhur me kompetencat e tij, për konkurset në ndërmarrjet publike.
Ai ka thënë se nuk e din dhe as nuk ka pasur mundësi të informohej se kush kanë qenë kandidatë për kryeshef ekzekutiv në ndërmarrjet publike “Trainkos” dhe Infrakos”.
“Do të ishe jokorrekt ndaj vetvetes nëse nuk e them se personalisht ndihem i përndjekur politik, i persekutuar politikisht, sepse veprimet të cilat bëhen për shpallje, rishpallje, çdo vendim tjetër, janë vendim të parapara me ligj dhe kjo nuk nënkupton asnjë rrethanë që ka asnjë lloj kriteri, përkatësia politike në përzgjedhje dhe nëse do të anulohej, do të anulohej vetëm për kandidatë që i përkasin kësaj po asaj partie politike. Këtë gjuhë dhe legjislacion, nuk e kom parë as dëgjuar edhe pse konsideroj se kam shumë përvojë në udhëheqje institucionale”, ka thënë Beqaj, teksa është përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij, Besnik Berisha.
Ai ka treguar lidhur me procedurat e udhëheqjes së ndërmarrjeve publike si dhe emërimet e drejtorëve të tyre.
“Ndërmarrjet udhëhiqen nga bordet e tyre. Këto borde zgjedhën përmes zyrës së Kryeministrit, i cili për ta përmbushur programin qeverisës emëron disa sekretar permanent të ministrive të ndryshme në komisione për vlerësim të këtyre bordeve. Pra, ndërmarrjet publike menaxhohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga bordet që përfaqësojnë aksionarin, në këtë rast, Qeverinë”, ka thënë Beqaj.
Ai ka thënë se konkursin për drejtor të ndërmarrjeve publike e cakton zyra e kryeministrit.
“Po, e shpall zyra e kryeministrit, i gjithë procesi administrohen në kuadër të zyrës së kryeministrit. Komisioni përcakton një listë, i propozon Qeverisë për një nga mbledhjet e radhës të merr një vendim, lidhur me përzgjedhjen e drejtorëve. Vendimi merret me shumicë të thjeshtë votash. Konform ligjit votojnë krejt ministrat”, ka thënë Beqaj.
Sipas tij, në rast të anulimit të konkursit, atë prapë e shpallë Qeveria, ndërsa e tërë procedura administrative shkon përmes zyrës së kryeministrit.
Duke u përgjigjur ne pyetjet e avokatit të tij, Besnik Berisha, i akuzuari Beqaj ka thënë se pas zgjidhjes së bordeve të ndërmarrjeve publike, anëtarët e tij i raportojnë komitetit ndërministror, respektivisht për çdo vendim të rëndësishëm, sipas tij, vendimet shkojnë në Qeveri. “Pra komiteti nuk ka fuqi vendimmarrëse për çështje vitale të ndërmarrjeve publike, çdo vendim merret në nivel të Qeverisë”, ka thënë ai.
Kurse, ka thënë se pozita e kryeshefit ekzekutiv, për dallim nga ajo e drejtorit, zgjidhet përmes bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike.
“Sipas prokurorisë, Qeveria ka shpall konkurs për drejtor të Trainkos dhe Infrakos, me 31.10.2011, ndërkaq sipas tyre, ju edhe zoti Grabovci, përmes bisedës telefonike 9.11.2011, keni bashkëpunuar për rishpallje të konkursit për drejtorët e ndërmarrjeve publike Trainkos dhe Infrakos. E para, ky konkursi për drejtor a mund të shpallet, anulohet, rishpallet nga kompetencat e juaja si ministër?”, ka qenë pyetja e avokatit Berisha.
“Jo, as nuk mund të shpallet, e as të anulohet, e as të rishpallet. Kompetenca i takon Qeverisë, përmes zyrës së kryeministrit. Detyrë e ministrit është që të zbaton programin e Qeverisë së një vendi dhe kjo kërkon këmbime të mendimeve me synim që informacioni të jetë i plotë dhe të gjitha veprimet të bëhen konform ligjeve, por nuk e kuptojë se çka është deficioni i bashkëpunimit dhe s’kom mundur të kuptojë se si një bisedë mund të shndërrohet në krim. As nuk ka pasur kompetencë, as përgjegjësi ligjore dhe për të gjitha vendimet, i përcakton forma ligjore, e cila është aktuale dhe mbi të cilat udhëhiqet ndërmarrja publike”, është përgjigjur Beqaj.
“Prokuroria bashkëpunimin e ka definu dhe deshifru, në një bisedë telefonike të përgjuar siç pretendohet, “a ti thom atyne dyve, dytë t’i rishpallim, Trainkos dhe Infrakos”, dhe “Sjedes i thash por edhe atij tjetri nëse don thuj, dyte tja rishpallim tani t’shhoim”, ka lexuar avokati Berisha pjesë të bisedës së përgjuar ndërmjet Grabovcit dhe Beqajt.
“Mu më vjen keq që prokuroria nuk ka mundur të bëj dallimin në mes të procedurës ligjore të zgjedhjes së një kryeshefit ekzekutiv dhe bordit të ndërmarrjes. Ndërsa, çdo vendim dhe veprim i imi ka qenë në kuadër të bazës ligjore. Nëse më kujtohet mirë, edhe prokuroria në dy raste, ka thënë që këta kanë biseduar për gjëra që nuk janë kompetentë. Nuk e di cili është roli më esencial i një ministri që krejt veprimet të bëhen konform ligjeve dhe rregullave dhe në interes të ndërmarrjeve publike. Secili veprim është bërë në kuadër të normave juridike”, ka thënë Beqaj.
“Po të kishte tendencë për keqpërdorim, nashta fjala do të duhej të tingëllonte “do t’i zgjedhi”. Do t’i zgjedhim nënkupton që ministri i Zhvillimit Ekonomik ka qenë pjesë e Qeverisë dhe vendimet e tilla shkojnë përmes vendimit në Qeveri ku edhe unë kam dhënë mendimin tim përmes votës”, ka thënë tutje Beqaj.
Ndryshe, në seancën e së hënës, prokurorja Drita Hajdari, ka propozuar që të administrohen si prova, dokumente të ndryshme që lidhen me përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trainkos” dhe “Ifrakos”, procese këto që kishin ndodhur në vitet 2011 dhe 2012.
Prokurorja Hajdari, ka thënë se këto prova janë pjesë e raportit policor, i propozuar që të administrohet si provë në aktakuzë.
“Në disa shkresa të këtij raporti është thirr edhe avokati mbrojtës në seancën e kaluar. Kur i kom listuar në shkesat përcjellëse këto prova nuk i kom përmend, por këto lidhen edhe me dëshmitarët që jon dëgju seancën e kaluar”, ka thënë prokurorja Hajdari.
Ajo ka përmendur më pas provat që ajo propozon që të administrohen si prova.
“Në kuadër të këtij raporti propozoj që të administrohen si provë, shkresa e Ndërmarrjes ‘Trainkos’, nr741 i datë 11.10.2016. Konkursi për pozitën e shefit ekzekutiv. Raport mbi vlerësimin, rangimin dhe krijimin e listës së ngushtë të kandidatëve në konkursin për pozitën kryeshef ekzekutiv në ‘Trainkos’, i datës 07.12.2011. Vendimi për përzgjedhjen e Ruzhdi Morinës si kryeshef i ‘Trainkos’, i datës 27.12.2011. Lista e të punësuare në ‘Trainkos’”, ka thënë prokurorja Hajdari.
Gjithashtu, ajo ka propozuar që të administrohen si prova edhe punësimet që kanë të bëjnë me ndërmarrjen publike “Infrakos”.
“1. Shkresa e ‘Infrakos’, e datës 23.09.2016. Nën 2. Konkursi për kryeshef ekzekutiv. 3. Regjistri i aplikantëve për kryeshef ekzekutiv, i datës 30.11.2011. Nën 4, raporti për vlerësim dhe rangimin dhe krijimin e listës së ngushtë të aplikantëve në konkursin për pozitën e kryeshefit ekzekutiv, i datës 19.12.2011. Nën 5, vendimi për përzgjedhjen e Agron Thaqi si kryeshef ekzekutiv i ‘Infrakos’, me 13 janar 2012 dhe nën 6, lista e të punësuarve në vitin 2011”, ka thënë prokurorja Hajdari.
Ajo ka deklaruar se arsyeja se pse i propozon këto prova është që dëshmitarët e dëgjuar në seancën e kaluar, njëri si kryesues i bordit në “Trainkos”, e tjetri në “Infrakos”, kanë dëshmuar për procedurat e përzgjedhjes së bordit dhe kryeshefit ekzekutiv në këto ndërmarrje publike.
Mirëpo, sipas saj, është parë se këtyre dëshmitarëve nuk u kujtohen datat kur janë përzgjedhur kryeshefi në ndërmarrjen “Trainkos”, e as data e zgjedhjes së kryeshefit të ndërmarrjes “Infrakos”.
“Në një moment ata thanë se bordet në ndërmarrjet e tyre ishin të kompletuara, andaj kishin fuqi ligjore për ta zgjedhur kryeshefin ekzekutiv. Bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, për anulimin e konkursit për drejtorë të Ndërmarrjeve Publike Qendrore dhe vazhdimin e mandatit të tyre, vendim ky i datës 21 dhjetor 2011, i propozuar që të administrohet si provë në aktakuzë, rezulton se pas kësaj date, nuk ka ekzistuar asnjë pengesë juridike, për përzgjedhjen e kryeshefave ekzektuivë, meqë bordeve u është vazhduar mandati dhe ata dispononin me fuqinë juridike për përzgjedhjen e kryeshefave ekzektuvë. Që të dy janë siç kam cekur më herët, në ndërmarrjen “Trainkos”, është zgjedhur kryeshefi më 27 dhjetor 2011, dhe në “Infrakos”, më 13 janar 2012, do të thotë që të dy pas 21 dhjetorit kur bordeve u është vazhduar mandati”, ka thënë prokurorja Hajdari.
Ajo ka thënë se për vërtetimin e plotë të gjendjes faktike, konsideron se këto prova duhet të administrohen.
Por, këto prova i kanë kundërshtuar mbrojtësit e të akuzuarve në këtë rast.
Mbrojtësi i Adem Grabovcit, avokati Florent Latifaj, ka thënë se nuk e din se çfarë ndikimi ka pasur klienti i tij në këto konkurse.
“Në arsyetimin se këtu u fol për dy dëshmitar se ata kanë thënë se ata kanë bo, ata kanë zgjedh, ata kanë pas të drejtë me zgjedh, Qeveria i ka rishpall konkurset, nëse ka të bëj me dëshmitar diçka tjetër, kanë bishtnu diçka, është një procedurë krejt tjetër. Sa i përket të mbrojturin tim, Adem Grabovcit, nuk e di çfarë ndikimi ka pas në Qeveri për këto konkurse. Atëherë cila është lidhmëria e këtyre provave me Adem Grabovcin. Nëse prokuroria mendon që Ademi ka pas ndonjë ndikim në kryeministrin e Kosovës, atëherë ky nuk akuzohet për ushtrim ndikimi”, ka thënë avokati Latifaj.
Kurse, mbrojtësi i Besim Beqajt, avokati Besnik Berisha, ka thënë se prokurorisë i ka “humb topi”.
“Të vetmet pyetje që i ka pas prokuroria për dëshmitarët e kaluar i ka pas “a ju kujtohet” dhe “a jeni në dijeni për vendimin e Qeverisë për anulimin e konkurseve për ndërmarrjet publike. Sot, aktakuza po kthehet për kryeshef ekzektuiv të cilat në kundërshtimin e tyre thoshte se këta nuk jon këtu për kryeshefa ekzekutiv. E drejtë fondamentale për dikë që akuzohet është të ketë saktësi për akuzën sepse nuk mund të mbrohet në mënyrë efikase. Për me saktësu edhe për neve, a është zoti Beqaj dhe Grabovci këtu për përzgjedhjen e kryeshefave ekzekutiv në Trainkos dhe Infrakos, apo jon këtu për shkak të anulimit të një konkursi të Qeverisë së Kosovës, për të cilin prokuroria nuk ka guxu me thirr shefin e tyre asnjëherë për anulimin e atyre konkurseve”, ka thënë Berisha.
Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.
Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.
Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.
Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.
Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.
Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.
Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.