Bota/Rajoni

Basha akuzon Berishën për nxitjen e dhunës në betejën partiake

Basha akuzon Berishën për nxitjen e dhunës në betejën partiake
18:25 | 14 Janar 2022

Kreu i Partisë Demokratike (PD) të Shqipërisë, Lulzim Basha, është paraqitur të premten, 14 janar, para Prokurorisë së Shtetit, për të dëshmuar mbi ngjarjet e dhunshme të javës së shkuar në selinë e kësaj partie në Tiranë.

Pas dëshmisë së dhënë prapa dyerve të mbyllura në zyrat e prokurorisë në Tiranë, e cila po heton sekuencat e dhunshme të protestës së simpatizantëve të ish-kryeministrit shqiptar dhe ish-liderit të PD-së, Sali Berisha më 8 janar, Basha tha se selia blu, ku ai qëndronte, “ishte objekt i një sulmi barbar dhe të dhunshëm.”

Ai kërkoi nga prokuroria zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen para drejtësisë “të autorëve, organizatorëve, frymëzuesve të dhunës,” duke shtuar se “demokratët u thirrën për t’u përdorur si fasadë” dhe akuzoi Berishën për përçarjen e partisë dhe përkrahësve të saj.

“E cilësoj si një nga dëmet e mëdha që po i shkaktohet familjes tonë politike për shkak të egoizmit të pakufi të Sali Berishës dhe mbivendosjes së hallit të tij personal mbi interesat e demokratëve dhe shqiptarëve”, tha Basha, duke kërkuar nga përkrahësit e PD-së që t’i kthehen “betejës për ta çliruar Shqipërinë nga ky makth”, transmeton REL

Basha dëshmoi në Prokurori një ditë pasi aty u ftua ish-kreu i PD-së, Berisha, në cilësi të deklaruesit.

Berisha ka akuzuar Bashën për nxitje të dhunës dhe lidhje të tij me figura të krimit dhe ka theksuar se kishte ofruar dëshmi te hetuesit se dhuna është nxitur nga njerëz të armatosur brenda selisë së PD-së, duke aluduar që përplasja ishte provokuar nga kampi i përkrahësve të Bashës.

Lufta direkte politike brenda PD-së së ndarë në këto dy kampe, ka hyrë në muajin e dytë të zhvillimeve, të cilat kanë parë përplasje të ashpra mes përkrahësve të dy liderëve me veprime dhe kundër-veprime për të testuar fuqinë e dy prijësve të PD-së.

Përçarja e tyre ka filluar pas vendimit të Bashës që ta largojë Berishën nga grupi i deputetëve demokratë në Parlamentin e Shqipërisë, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara, për ta shpallur Berishën persona non-grata për lidhjet e tij me korrupsionin dhe presionit amerikan ndaj PD-së për t’u distancuar nga Berisha.

Konflikti mes Berishës dhe Bashës është përçarja më serioze në radhët e Partisë Demokratike, grupit më të madh opozitar në Shqipëri, dhe njëherësh partisë, e cila përmbysi komunizmin në Shqipëri.

 

1 abonim, 3 paisje, 240 kanale shqip – NimiTV në gjithë Evropën për vetëm 99.90€ për 12 muaj

Të tjera