[wp-story]

Lajme

Banorët thonë se xhandarmëria serbe është futur në fshatin Sllubicë, policia thotë të kundërtën

Banorët thonë se xhandarmëria serbe është futur në fshatin Sllubicë, policia thotë të kundërtën
15:13 | 27 Shtator 2019

Xhandarmëria serbe sërish ka shkelur vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, duke u futur brenda territorit të Kosovës. Në fshatin Sllubicë të Gjilanit, që kufizohet me Serbinë, pardje nga banorët e fshatit janë parë pesë ushtarë të armatosur të xhandarmërisë serbe. Njëri nga banorët e fshatit, Jusuf Mustafa, ka rrëfyer për Gazetën Express ngjarjen në të cilën ka qenë personalisht prezent. Ai ka treguar se ka qenë duke qëndruar me familje në pronën e tij dhe ka parë pesë ushtarë të xhandarmërisë serbe të armatosur të cilët janë futur deri te xhamia e fshatit dhe më pastaj janë kthyer mbrapa. Policia e Kosovës për Express ka deklaruar se ka pranuar informacion për futjen e xhandarmërisë në këtë fshat, por që nuk ka hasur në ndonjë njësi policore apo ushtarake të Serbisë.

Gjatësia e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë është 381.6 kilometra. Kjo gjatësi përshin fshatra të shumtë kufitarë.

Raste të shpeshta kanë ndodhur në të kaluarën kur xhandarmëria serbe është futur në territorin e Kosovës. Më të shpeshta kanë qenë në fshatrat e Malësisë së Kamenicës, e së fundi para dy ditësh më 27 shtator në fshatin Sllubicë të komunës së Gjilanit.

Banori i këtij fshati Jusuf Mustafa ka folur për Gazetën Express ku edhe ka treguar për ngjarjen në të cilën ka qenë dëshmitar.

Ai ka treguar se ka qenë duke qëndruar në pronën e tij kur edhe i ka parë pesë ushtarë të xhandarmërisë serbe të armatosur.

“Kemi qenë së bashku me gruan, vëllaun, bashkëshorten e vëllaut dhe vajzën e tyre në pronën time në fshat ku kemi shkuar për të vjelë arra. Ka qenë ora fiks 17:15 minuta, ditën e mërkurë dhe kam parë pesë ushtarë të xhandarmërisë serbe të armatosur por jo me maska”, rrëfen banori i fshatit.

Ai tutje tregon se edhe dy çiklistë që kanë rastisur të jenë aty i kanë parë ushtarët e xhandarmërisë dhe i kanë sugjeruar atij që të mos lëvizë në drejtimin e tyre.

“Në atë moment kanë qenë edhe dy çiklistë që i kanë parë xhandarmërinë por që unë nuk i kam pyetur se kush kanë qenë ata. Ushtarët në moment janë kthyer edhe çiklistët më sugjeruan mua që të mos shkoj tutje dhe iu thashë që po i shoh por kjo është pjesë e Kosovës dhe jo pjesë e tyre”, ka thënë imami nga Gjilani.

Ai ka shpjeguar se si xhamia e fshatit Sllubicë ku edhe janë afruar ushtarët e xhandarmërisë është pjesë e territorit të Kosovës.

“Në vijën kufitare është xhamia e fshatit Sllubicë që ka shërbyer për katër fshatra dy fshatra momentalisht janë me komunën e Preshevës dhe janë dy fshatra që janë në Kosovë. Është fshati Kokaj dhe Sllubicë që janë në territor të Kosovës dhe xhamia e fshatit është në pjesën e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë po ashtu se para disa viteve xhandarmëria serbe kishte shkelur vijë kufitare duke u futur edhe më thellë në fshatin Sllubicë e për këtë ishte informuar edhe KFOR-i.

“Xhandarmëria e kanë shkelur vijën kufitare edhe më tepër dhe janë futur më thellë në fshat para 5-6 viteve ose ndoshta më shumë, atëherë kemi thirrur KFOR-in dhe ka dalur KFOR-i në vend të ngjarjes i ka intervistuar banorët. Pas kësaj i janë përmbajtur rregullave dhe nuk janë pare më deri para dy ditësh”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në momentin kur i ka parë ushtarët nuk ka pasur mundësi të shkrep ndonjë fotografi pasi i ka pasur shumë afër.

“Nuk kam mundur të marr ndonjë fotografi për shkak se Xhandarmëria kanë qenë afër dhe në shikim direkt ndaj meje”, ka thënë ai.

“Fare pranë fshatit Sllubicë, xhandarmëria serbe ka edhe bazën e tyre ushtarake. Ata non stop lëvizin  dhe përgjatë kësaj vije kufitare ata patrullojnë përreth një kilometër duke u future edhe brenda territorit të Kosovës”, ka thënë banori i këtij fshati kufitar.

Kurse Policia e Kosovës ka thënë për Gazetën Express se kanë pranuar informacion për futje të xhandarmërisë serbe në fshatin Sllubicë dhe pas daljes në vendin e ngjarjes nuk kanë hasur në ndonjë njësi policore apo ushtarake të Serbisë.

“Në rastin konkret Policia e Kosovës me të pranuar këtë informacion ka ndërmarr veprimet e menjëhershme me njësitë policore të cilat kanë dalë në vend të ngjarjes për patrullim dhe verifikim të informacionit, mirëpo nuk kanë hasur në ndonjë njësi policore apo ushtarake të Serbisë të ketë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës”.

Policia e Kosovës në përgjigjen për Express thotë se ka pranuar informacion për futjen e xhandarmërisë në këtë fshat por pas bisedimeve me disa banorë të fshatit të njëjtit kanë thënë se nuk ka pasur hyrje të ushtrisë së Serbisë në territorin e Kosovës.

Policia po ashtu ka thënë se dje  ushtria e Serbisë ka patrulluar në vijën kufitare por në asnjë moment nu ka kaluar në territorin e Kosovës.

“Policia e Kosovës ka bashkëpunim dhe koordinim të mirë me KFOR-in, ku ne vazhdimësi shkëmben informacione të ndryshme qe ndërlidhen me sigurinë e vendit dhe te qytetareve. Dje ushtria e Serbisë ka patrulluar vijën kufitare në ketë pjesë të kufirit, në fshatin Sllubicë, por në asnjë moment  nuk ka kaluar ne territorin  e Republikës te Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Super zbritje në “Petrol Company”

Të tjera