Kandidati për deputet nga LDK-ja, Bajrush Ymeri, për FrontOnline, ka kritikuar premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti lidhur me shtesat për fëmijët, duke i cilësuar ato si premtime populiste që nuk janë realizuar.
Ai tha se Kurti katër vjet më parë kishte dhënë premtime edhe më të mëdha për qytetarët, të cilat, sipas tij, nuk janë përmbushur.
“Kurti para katër vjetëve ka dhënë premtime edhe më të mëdha se këto që po jep tani. Ne i kemi parë si premtime populliste dhe mjerisht një masë e madhe e qytetarëve iu besuan atyre, pasi ndoshta kanë qenë në një situatë që duhej të besonin,” tha Ymeri.
Ai e theksoi se shumica e premtimeve të Kurtit nuk janë realizuar, dhe tani, sipas tij, VV po akuzon LDK-në për përmendjen e këtyre premtimeve të pa mbajtura.
“Shumicën e premtimeve as nuk i kanë realizuar tani po na akuzojnë neve se ato premtime po jua përmendim dhe nuk ju vjen as marre as turp dhe me u ndje pak në faj para këtyre qytetarëve që nuk i kanë realizuar ato premtime se kanë qenë program i tyre. Po na akuzojnë se po i përmendim premtimet që ata nuk i kanë mbajtur, dhe nuk ju vjen as turp. Ata nuk e ndjejnë asnjë përgjegjësi për qytetarët që besuan në këto premtime,” shtoi Ymeri.
Kandidati nga LDK përmendi gjithashtu mungesën e projekteve kapitale dhe e cilësoi si zhgënjim faktin që buxheti nuk ka sjellë ndryshime të prekshme për qytetarët.
“Kanë thënë që buxheti s’ka qenë asnjëherë më i lartë dhe mos me u duk asnjë projekt i madh kapital kjo dhe këto premtime për familjet e fëmijët këto do duhej të ishin zhgënjim i madh për qytetarët dhe duhet ta ndëshkojnë më 9 shkurt’’ përfundoi Ymeri.