×
  • Kronika
  • Kronika

    Babë e bir deklarohen të pafajshëm për vrasjen e Abit Jasharit në Prishtinë

    FrontOnline
    08 Tetor 2020

    Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten, babë e bir, Baki Shkodriqi e Besnik Shkodra janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që lidhen me vrasjen e rëndë që kishte ndodhur në shkurt të vitit të kaluar, në Prishtinë.

    Besnik Shkodra po akuzohet për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje, kurse babai i tij, Baki Shkodriqi po akuzohet për shtytje në vrasje të rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj, dy të akuzuarit kanë deklaruar se e kuptojnë aktakuzën.

    I akuzuari Besnik Shkodra ka deklaruar se i pranon veprimet e tij, mirëpo jo kualifikimin juridik të veprës penale.

    “Veprimet i pranoj që i kam, ama veprën se pranoj”, ka thënë ai, duke shtuar se e pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje.

    I pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë u deklarua edhe i akuzuari tjetër, Baki Shkodriqi.

    “Me gjithë respektin për trupin gjykues dhe prokurorinë, këtë vepër nuk mund ta pranoj”, ka thënë ai.

    Pas deklarimit të të akuzuarve, avokati Skender Musa, i cili mbron të akuzuarin Besnik Shkodra, tha se pranimi i fajësisë nga ana e klientit të tij, për veprën penale më të cilën e ngarkon dispozitivi i dytë i aktakuzës, është bërë në pajtim me dispozitat ligjore.

    “Jemi konsultuar mjaftueshëm me të mbrojturin tim, ja kam sqaruar se pranimi i fajësisë është rrethanë lehtësuese, mirëpo gjithashtu ja kam sqaruar se këtë vepër do të marr edhe sanksion penal. Sa i përket veprës penale nga dispozitivi i parë, e mbështes qëndrimin e të mbrojturit tim dhe gjithashtu pranimi i veprimeve nga ana e të mbrojturit tim është konsultuar dhe kualifikimi juridik nuk qëndron dhe të njëjtën do ta elaborojmë në seancat e ardhshme”, ka thënë ai.

    Kurse mbrojtësja e Baki Shkodriqit, avokatja Sadije Mjekiqi deklaroi se aktakuza me të cilën ngarkohet klienti i saj nuk është e mbështetur në prova dhe argumente.

    “Klienti im është konsultuar me mua për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me akuzimin e tij, por e mbështes në tërësi mohimin e kryerjes së veprës penale për të cilën është akuzuar, ngase aktakuza lidhur me të nuk është e mbështetur në prova dhe argumente siç e ka kërkuar ligjvënësi që do të thotë pjesa e aktakuzës për të nuk i përmban elementet qenësore të aktakuzës sipas nenit 241, paragrafi 1,pika 4 dhe 1.7”, ka thënë ajo.

    Në anën tjetër, prokurorja Sadikaj është pajtuar me pranimin e fajësisë së të pandehurit Besnik Shkodra, për dispozitivin e dytë të akuzës, duke thënë se është në përputhje të plotë me provat që gjenden në shkresa të lëndës.

    Pranimi në fjalë është aprovuar edhe nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Violeta Namani, pasi ka konsideruar se është bërë vullnetarisht nga i akuzuari, pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësin e tij.

    “Mbështetet në provat materiale që janë pjesë e shkresave të lëndës, aktakuza lidhur me këtë vepër penale nuk ka shkelje teknike e as procedurale ligjore. pezullohet shqyrtimi i dënimit për këtë vepër penale deri në përfundimin e kësaj çështje penale”, ka thënë ajo.

    Gjykatësja Namani i ka udhëzuar të akuzuarit për të drejtën e tyre, që brenda afatit prej 30 ditësh të dorëzojnë kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kurse sa i përket seancës së shqyrtimit të dytë, avokatja Mjekiqi tha se konsideron se nuk është e domosdoshme të mbahet.

    “Në mënyrë që të mos kemi pengesë për shkak të akuzuarit Besnik Shkodriqi nëse nuk mund të vjen nga Austria, derisa në anën tjetër unë si mbrojtëse do ta paraqes kundërshtimin e aktakuzës, e kjo është në marrëveshje me vet të akuzuarin që sapo u konsultuam”, ka thënë ajo.

    Me këtë propozim të saj janë pajtuar edhe palët e tjera në procedurë, për çka më pas u vendos se pas pranimit të kundërshtimeve e kërkesave për hudhje të aktakuzës, si dhe përgjigjes së prokurorisë lidhur me pretendimet e mbrojtjes, gjykata do të marrë vendim jashtë seance.

    Ndryshe, me aktakuzën e ngritur me 22 shtator 2020 nga Prokruoria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohet se me 27 shkurt 2019, rreth orës 11:30, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, ditë kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ngjyrë e gjelbër, i pandehuri Shkodra ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”, ku i pandehuri për pak kohë e ka vëzhguar të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte i dyshuari, ku me tu afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i pandehuri me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit Abit Jashari i cili gjendej në veturë.

    Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë, ku pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

    Për këtë, Besnik Shkodra akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

    Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e papërcaktuar e deri me 27 shkurt 2019, i njëjti paautorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.

    Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohet se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryej veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës, ashtu që gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kryet”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja.

    Për këtë, ai akuzohet për shtytje në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

    Cilësi, gatim dhe shpërblim
    Nga Rubrika
    Kronika24 Prill 2024
    Policia në Vushtrri ka arrestuar vozitësin serb – shtetas i Serbisë, i cili në gjendje të dehur, me veturën e tij me...
    Kronika24 Prill 2024
    Policia ka gjobitur shoferët që kanë drejtuar automjete të cilat janë të paregjistruara qe më shumë se 30 ditë. Ata janë gjobitur...
    Kronika24 Prill 2024
    Është arrestuar zyrtari i komunës në Ferizaj pasi dyshohet se duke keqpërdorur pozitën e tij, i kishte mundësuar një turkut të pajiset...
    Të tjera
    Lajme25 Prill 2024
    Sot do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi...
    Lajme25 Prill 2024
    Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët votuan të mërkurën për të zgjedhur presidentin e vendit. Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00...
    Lajme25 Prill 2024
    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq pritet të takohen sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së,...
    Lajme25 Prill 2024
    Ky është parashikimi i motit për sot në Kosovë Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se sot mban mot i vranët dhe vende-vende...
    Bota/Rajoni25 Prill 2024
    Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në konferencë për shtyp u shpreh se në këto zgjedhje, qytetarët kanë dënuar me votë pushtetin dhe...
    Lajme24 Prill 2024
    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se mësimi kryesor që duhet ta marrë kryeministri i vendit, Albin Kurti, nga...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.