Qeveria australiane do të vendosë dënime të ashpra, përfshirë burgimin dhe gjobat në të holla, për ata që mundohen të kthehen në atdhe nga India. Kjo masë po cilësohet drastike por e nevojshme.
Vendimi erdhi pasi dy lojtarë australianë, të cilët kishin qenë në Indi, u kthyen në shtëpi pasi e kishin thyer rrugëtimin përmes Katarit, ndonëse qeveria më herët gjatë kësaj jave i ndaloi të gjitha fluturimet e drejtpërdrejta nga India e kapluar nga koronavirusi.
Ministri federal i Shëndetësisë, Greg Hunt, njoftoi për ashpërsimin e kontrolleve kufitare të premten në mbrëmje, duke thënë se kushdo që mundohet t’i shkelë rregullat do të gjobitet me shuma deri në 66.600 dollarë ose me pesë vite burgim ose me të dyjat.
“Qeveria nuk i merr këto vendime me lehtësi. Megjithatë, është jetike që integriteti i shëndetit publik australian dhe i sistemeve të karantimit të jetë i mbrojtur dhe që numri i rasteve me Covid-19 në qendrat e karantinimit të zvogëlohet në nivele të menaxhueshme”, deklaroi zyrtari i lartë.
Masat e reja do të hyjnë në fuqi nga e hëna e 3 majit, ndërsa do të rishikohen më 15 maj. Ministri i shfrytëzoi kompetencat që ia jep Akti për Biosiguri për ta marrë vendimin. I njëjti akt u shfrytëzua për mbylljen e kufijve, shkruan The Guardian.
Përmes këtij akti, autoritetet kanë të drejtë që të kërkojnë nga qytetarët hollësi të kontakteve, informata rreth statusit shëndetësor, vevndosje të kufizimit të lëvizjes, përfshirë izolimin në shtëpinë e individit, kryerje të dezinfektimit të detyrueshëm, marrje të dozave për diagnostikim, qëndrim të detyrueshëm në Australi deri në 28 ditë ose izolim në një qendër mjekësore.