Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, për FrontOnline, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin Kurtit lidhur me mosrealizimin e premtimit për ndihmën financiare për fëmijët dhe familjet me të ardhura të ulëta, duke e cilësuar këtë si një dështim skandaloz që tregon paaftësinë e qeverisë për të udhëhequr me përgjegjësi dhe për të mbajtur premtimet ndaj qytetarëve.
“Ky është një dështim skandaloz dhe tregues i qartë i paaftësisë totale të qeverisë Kurti për të udhëhequr me përgjegjësi dhe për të mbajtur premtimet ndaj qytetarëve. Premtimi për ndihmë financiare për fëmijët e familjeve me të ardhura të ulëta ishte një masë bazike dhe jetike, por ai nuk u realizua për shkak të mungesës së një plani të qartë, papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë për të menaxhuar ekonominë e vendit” tha Muhaxheri.
Ai deklaroi se ndihma financiare për fëmijët ishte një masë bazike dhe jetike, por dështimi në realizimin e saj është për shkak të mungesës së një plani të qartë dhe papërgjegjshmërisë.
‘’Kjo qeveri ka treguar se nuk i kupton prioritetet e qytetarëve dhe nuk ka as kapacitetin më të vogël për të bërë analiza të qëndrueshme financiare. Premtimet ishin propagandë elektorale për të mashtruar qytetarët, pa asnjë bazë reale për t’i zbatuar. Kur një premtim kaq elementar dështon, çfarë mund të presim nga qeveria për sfidat më të mëdha ekonomike dhe sociale që ka vendi’’ deklaroi ai.
Ai e quajti këtë si dështim politik të Qeverisë Kurti
“Kjo nuk është vetëm një dështim politik, por edhe një goditje e rëndë për familjet që kishin shpresuar tek ky premtim,” përfundoi Muhaxheri.