×
  • Lajme
  • Kronika
  • Kronika

    Anulohet rigjykimi për korrupsion ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve

    FrontOnline
    27 Tetor 2021

    Me kërkesë të prokurorit special, Atdhe Dema, i cili gjendet në Kroaci, mbrojtësit të Pal Lekajt, avokatit Arianit Koci, i cili është në Hagë dhe mbrojtësit të akuzuarit Ismet Isufi, avokatit Bajram Morina, i cili ishte i angazhuar në tjetër seancë, është shtyrë seanca e rigjykimit e paraparë që të mbahet të mërkurën, në rastin ku ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, po akuzohet për korrupsion.

    Lekaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune.

    Bashkë me ish-kryetarin Lekaj, për keqpërdorim të pozitës po akuzohet edhe ish-zyrtarët komunal, Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione po akuzohet Veli Hajdaraga.

    Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, njoftoi se kjo seancë është shtyrë pasi që prokurori special, Atdhe Dema, gjendet në një trajnim në Kroaci, avokati Arianit Koci në Hagë, ndërsa avokati Bajram Morina i angazhuar në një seancë tjetër në Prishtinë.

    Në këto rrethana, seanca e paraparë që të mbahet të mërkurën është shtyrë për 8 nëntor 2021.

    Në shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në Gjakovë, e kishte dënuar Lekajn me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Të akuzuarin Rama e kishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, ndërsa i akuzuar Isufi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Ndaj tyre ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, që përfshinte ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

    Ndërsa, ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi ishte shqiptuar dënimi unik me gjobë në shumën prej 8 mijë euro, si dhe dënimi me burgim me kusht prej 1 viti. Po ashtu, ishte obliguar që në emër të dëmit të shkaktuar t’ia kompensojë ATK-së shumën totale prej 24 mijë e 718 euro e 59 centë.

    Katër të akuzuarit ishin obliguar që Komunës së Gjakovës t’ia kompensojnë dëmin në shumën prej 69 mijë e 786 euro.

    Mirëpo, Apeli e ka prishur këtë aktgjykim të gjykatës së shkallës së parë dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.

    Apeli e ka lënë në fuqi vetëm pjesën e dënimit për shmangie nga tatimi për të akuzuarin Veli Hajdaraga, duke ia vërtetuar dënimin prej 3 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht, si dhe e ka obliguar t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar ATK-së.

    Në aktgjykimin e Apelit thuhet se ka paqartësi për kohën se kur janë kryer veprat penale të pretenduara nga ana e ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ish-zyrtarëve komunal, Gani Rama dhe Ismet Isufi dhe të akuzuarit Veli Hajdaraga.

    Në gusht të vitit 2019 lënda e të akuzuarit Gani Rama ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të tjerëve pas propozimit që kishte bërë prokurori special, Atdhe Dema që këto dy lëndë të bashkoheshin me arsyetimin se këto çështje janë të njëjta dhe të ndërlidhura.

    Kjo është hera e dytë që rasti ndaj të akuzuarit Rama është kthyer në rigjykim, pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë, atë dy herë e kishte liruar nga akuza.

    Gjykata Themelore në Gjakovë më 13 shkurt 2017, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

    Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata e Apelit rastin ndaj të akuzuarit Rama e kishte kthyer në rigjykim.

    Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Gjakovë, me aktgjykimin e 9 shkurtit të vitit 2018, e kishte liruar përsëri nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetim se nuk është arritur të provohet se ai e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

    Mirëpo, më pas, Gjykata e Apelit më 1 nëntor 2018, e ka kthyer rastin përsëri në rigjykim, duke e aprovuar kështu ankesën e PSRK-së.

    Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

    Në arsyetim Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ka mbështetur tërësisht në mendimin e ekspertit financiar, mirëpo sipas Apelit, eksperti nuk ka dhënë mendim të qartë dhe konkret lidhur me pozitën që ka mbajtur dhe kompetencat që ka ushtruar i akuzuari Rama.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 26 maj 2016, Gani Rama, po akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Në aktakuzë thuhet se gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare.

    Sipas aktakuzës, kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT Union-VL”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta.

    Sipas prokurorisë shuma e keqpërdorur pretendohet të jetë 218 mijë e 956 euro e 67 centë.

    Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzën ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve e kishte ngritur më 10 prill 2016.

    Para se aktakuza pjesërisht të hudhej poshtë, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

    Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

    “Vendimet që i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631.671.82 euro”, thuhet ndër të tjerash në aktakuzë.

    Tutje në aktakuzë thuhet se subvencionet janë autorizuar nga të akuzuarit pa mbikëqyrje nëse pagesat janë bërë ndaj fermerëve dhe duke mos pasur fare kontratë me kompaninë “UNION-VL” me ç’rast rreth 40% e mbi tre mijë fermerëve nuk kanë pranuar fare pagesat që janë autorizuar ndaj tyre.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.

    Ndërsa, të pandehurit Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi, akuzohen se duke e qenë në cilësinë e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve për mbikëqyrjen e shpërndarjes së subvencioneve, kanë përpiluar raporte se kinse shpërndarja në teren e subvencioneve është bërë ashtu siç duhet, megjithëse rreth 40% e aplikuesve nuk kanë pranuar subvencionet.

    Gjashtë të pandehurit akuzohen se me këto veprime, në periudha të ndryshme nga viti 2008 e deri në vitin 2014, në vazhdimësi kanë kryer veprat penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Në këtë rast, akuzohet dhe Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.

    I akuzuari Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh, sepse sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “UNION-VL”.

    Prokuroria Speciale në aktakuzë ka treguar se numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi tre mijë, andaj me një numër të të intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato.

    Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 70 mijë euro, raporton Betimi për Drejtësi.

    Ndryshe, Gjykata e Apelit, në mars të vitit 2019, e kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, të marrë më 10 janar 2019, e cila kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSKR), me të cilën aktakuzë, Lekaj dhe Isufi akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kurse Hajdaraga për mashtrim në subvencione dhe shmangie nga tatimi.

    Ndryshe, edhe në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Apelit kishte vendosur në lidhje me ankesat e mbrojtësve në këtë rast, duke e kthyer në rivendosje rastin ndaj Lekajt dhe të tjerëve për sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, për të cilën pikë, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën.

    Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme kur e kishte konfirmuar akuzën për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ndaj të akuzuarve dhe kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të tyre.

    Kurse, sa i përket veprës tjetër të përvetësimit në detyrë, për të cilën edhe Themelorja kishte hudhur këtë pikë të aktakuzës, të njëjtën gjë e kishte vërtetuar edhe Apeli.

    Ish-kreu i Komunës së Gjakovës Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 31 maj të vitit 2018.

    Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë nesër ndërprerje të rrymës
    Nga Rubrika
    Lajme20 Prill 2024
    Prokuroria e Ferizajt në kërkesën për paraburgim, ka ngarkuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje Valon Aliun, i cili dyshohet...
    Lajme20 Prill 2024
    Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim ka drejtuar kritika në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, lidhur me marrëveshjet e arritura me Serbinë....
    Lajme20 Prill 2024
    Përfaqësues së koalicionit VLEN që po garon në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, ku përfshihet edhe Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, kanë...
    Të tjera
    Lajme19 Prill 2024
    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot diell dhe vranësira të pakta në orët e para të mëngjesit, më pas pritet shtim...
    Lajme19 Prill 2024
    Miroslav Lajçak së shpejti do ta lë postin e emisarit special të BE’së për Ballkanin Perëndimor dhe ndërmjetësit të dialogut Kosovë -Serbi....
    Lajme19 Prill 2024
    Gjendja shëndetësore e 20-vjeçarit që u ther me thikë para pak orësh të premten nga një 17-vjeçar në Ferizaj është stabile. Këtë...
    Vip19 Prill 2024
    I ulur në gjunjë, Bardhi i ka propozuar për martesë partneres së tij, Sarës, dhe përgjigja e saj ishte padiskutim: Pooo! Ata...
    Lajme19 Prill 2024
    Analisti dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, profesori amerikan Daniel Serwer, ka thënë se Serbia është aktualisht e angazhuar në një fushatë...
    Lajme19 Prill 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar zhdukjen e intelektualëve të Mitrovicës, 25 vjet më parë. Ndër të tjera Kurti thotë se...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.