×
  • Lajme
  • Lajme

    Anesteziologja që la QKUK-në: Nuk ika për rrogë, u lodha, u dërmova

    FrontOnline
    26 Shtator 2022

    Mungesat e anesteziologëve dhe të infermierëve janë më të vërejtshmet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe, sipas të gjitha gjasave, ato nuk do të mund të adresohen së shpejti.

    Kjo qendër ka mbi dyfish më pak anesteziologë se do të duhej të kishte, përkatësisht 48 – ndërsa, bazuar në nevojat dhe kërkesat, do të duhej të kishte 120.

    Arsye për këtë gjendje është largimi i vazhdueshëm i stafit mjekësor nga ky institucion publik i shëndetësisë.

    Myziene Kryeziu, anesteziologe, është prej atyre që kanë marrë një vendim të tillë këtë vit. Pas më shumë se 15 vjetësh punë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, Kryeziu është larguar këtë muaj, për të nisur punë në një klinikë private në Prishtinë.

    “Nuk kam ikur për shkak të rrogës”, thotë ajo.

    “Aq jam lodhur e dërmuar, saqë nuk mundem më… Llogarite të kujdestarosh çdo të tretën ditë, 24 orë në punë”, thotë Kryeziu.

    Në kushte normale, një anesteziolog do të kujdestaronte, mesatarisht, një herë në tetë ditë.

    Kryeziu e përshkruan gjendjen në QKUK si “krizë”.

    “Normalisht që është krizë kur për 700 operacione [në muaj] punojnë 48 anesteziologë”, thotë ajo.

    “Jemi ankuar dhe kemi diskutuar në çdo mbledhje, por askush nuk është marrë me ne… Shteti nuk është lodhur me ne për asgjë, për asnjë stimulim”, thotë Kryeziu.

    Paga bruto, apo e pataksuar, e një mjeku në Kosovë është 630 euro.

    Dhjetë anesteziologë kanë ikur nga QKUK-ja këtë vit

    Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 580 mjekë janë larguar nga Kosova – vend me 1.7 milion banorë – në periudhën 2018-2021.

    Pleurat Sejdiu, kryetar i kësaj ode, thotë se, deri më tash këtë vit, nga QKUK-ja dhe spitalet rajonale publike kanë dalë mbi 60 mjekë. Sipas tij, në nëntë muajt e parë të këtij viti, nga QKUK-ja janë larguar 10 anesteziologë.

    Të larguarit, thotë ai, ankohen kryesisht për kushtet e punës, përfshirë pagat.

    Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë në QKUK, Gazmend Spahija, thotë se mungesa e anesteziologëve e ka vështirësuar tej mase koordinimin me sallat e operacioneve.

    “Jemi duke punuar me rastet urgjente, në mënyrë që pacientët të mos vuajnë… Këtë situatë e kemi lajmëruar shumë herët edhe në Ministri [të Shëndetësisë], edhe në drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, por, fatkeqësisht, nuk ka anesteziologë që presin dhe që janë pa punë”, thotë Spahija.

    Dyzet e tetë anesteziologët në QKUK janë të angazhuar për kryerjen e operacioneve në mbi 30 salla të operacioneve, në qendrat intensive dhe në emergjencën e QKUK-së.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar në mes të këtij muaji se, në mungesë të anesteziologëve, ndodh që pacientët të presin me muaj apo vite për operacion.

    Spahija thotë se edhe anesteziologë të tjerë mund të largohen së shpejti.

    “Cilido që merr ofertë, mund të joshet. Ata po shkojnë për disa arsye, këtu kemi pagën e ulët dhe kujdestari të shpeshta”, thotë Spahija.

    Një mjeku i duhen pesë vjet për t’u specializuar në anesteziologji.

    Vitin e ardhshëm, vetëm një do të jetë i gatshëm për të nisur punën, ndërsa të tjerët janë në vitin e dytë të specializimit.

    Në një deklaratë të shkurtër, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se “anesteziologjia do të jetë lëmi me prioritet në ndarjen e specializimeve të reja që janë duke u përgatitur”.

    Kosova me mbi 500 infermierë më pak

    Përveç mungesës së këtyre mjekëve specialistë, situatën në QKUK është duke e rënduar edhe numri në rënie i infermierëve.

    Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj, bën të ditur  se vetëm gjatë këtij viti, më shumë se 500 infermierë, nga sektori publik dhe ai privat, kanë kërkuar dokumente nga kjo odë për t’u larguar nga Kosova.

    “Kushtet e punës, paga jo e dinjitetshme bëjnë që edhe ata që kanë punuar nga 20 e 30 vjet, të largohen”, thotë Rrustemaj.

    Sipas tij, QKUK-ja funksionon me rreth 2.400 infermierë, ndërsa do të duhej të kishte mbi 3.000.

    Paga bazë e një infermieri në Kosovë është rreth 400 euro në muaj.

    “Paga që marrim, është shaka”, thotë Muhameti, një infermier 25 vjeç, që ka lënë punën në QKUK dhe po përgatitet për t’u transferuar në Gjermani.

    Paga e infermierit në Gjermani është rreth 2.400 euro në muaj, ndërsa e mjekut rreth 4.000. Gjermania është bërë destinacion për shumë mjekë dhe infermierë nga Kosova.

    Këtë opsion thotë se është duke e menduar edhe Enlirat Duraku, infermier në QKUK dhe nënkryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë.

    “Që nga muaji mars kam nisur me planifikime, por jam duke e zvarritur këtë punë, sepse po mbaj shpresë se do të ndryshojnë gjërat”, thotë Duraku.

    Një projektligj i ri për pagat, që parasheh rritje për punonjësit e sektorit publik, aktualisht është në procedurat e konsultimeve publike, që do të zgjasin deri më 6 tetor.

    Qeveria e Kosovës ka thënë se ky projektligj do të dalë në miratim së shpejti. Në rast se kalon, ai do të hyjë në fuqi tetë muaj pas miratimit.

    Këtë muaj, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka formuar edhe Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, i cili do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

    Është thënë se përgjegjësitë e këtij komisioni do të përfshijnë zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë./REL

    Prince Caffe: Hape dhe fito preminë kryesore, çdo muaj nga një Fiat 500
    Nga Rubrika
    Lajme28 Mars 2024
    Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se kanë ndarë tetë milionë euro në 11 komuna të Kosovës. Krasniqi...
    Lajme28 Mars 2024
    Policët të mbështetur edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë në Ferizaj kanë arritur ta arrestojnë personin e kërkuar, i moshës 38...
    Lajme28 Mars 2024
    Komiteti për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e ka miratuar dje raportin për Kosovën, duke i hapur...
    Të tjera
    Lajme28 Mars 2024
    Megjithë propozimet që u bënë të hënën nga Kosova e Serbia për dinarin, nuk u arrit asnjë dakordim. Sipas Kryenegociatorit të Kosovës,...
    Lajme28 Mars 2024
    Sot do të mblidhet Komisioni parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Ata do të diskutojnë rreth organizimit të një tryeze për shëndetin...
    Lajme28 Mars 2024
    Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme. Seanca do të mbahet për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat...
    Bota/Rajoni28 Mars 2024
    Ka ndërruar jetë sot në moshën 82-vjeçare ish-senatori amerikan, Joe Lieberman, i cili para gati dy dekadave kishte vizituar Kosovën. Ai ishte...
    Lajme27 Mars 2024
    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka treguar se fondi për blerjen e sistemit anti-tank “Javelin”, është fond shtesë i ndarë nga qeveria....
    Bota/Rajoni27 Mars 2024
    Votimi kundër raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nga përfaqësuesja e Malit të Zi në Komisionin e Asamblesë Parlamentare...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.