×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti optimist për fitore të thellë

    FrontOnline
    27 Dhjetor 2020

    Vetëvendosje sot ka mbajtur takimin me Këshillin e Përgjithshë, ku kreu i saj, Albin Kurti ka shprehur optimizëm për fitoren në zgjedhje duke theksuar se do të fitojnë 2/3 e deputetëve në Kuvend.

    Madje ai ka theksuar se do të fitojnë edhe kryeministrin por edhe presidentin me 65 deputetë.

    Fjalimin e plotë të Kurtit e gjeni më poshtë:

    Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

    I nderuar Kryesues i Këshillit, z. Hydajet Hyseni,

    E nderuara Sekretare Organizative, znj. Vlora Haxhimehmedi,

    Të dashur aktivistë,

    Kjo është mbledhja e fundit e Këshillit të Përgjithshëm për vitin 2020, i cili ka qenë vit fort i vështirë për njerëzimin, por edhe për të gjithë ne veç e veç, në familjet e në shoqëritë tona, e sigurisht edhe për Kosovën si shtet, e për kombin shqiptar.

    Kemi humbur gjatë kësaj pandemie njerëz të dashur, shoqëria e kombi ka humbur anëtarë me vlerë. Edhe pse, sigurisht, për nga profesioni apo pozita, secili nga ne jemi të zëvendësueshëm, në aspektin e gjerë njerëzor e në aspektin e thellë shpirtëror, njeriu është i pazëvendësueshëm dhe humbja e secilit, për ne që mbijetojmë, është një dhimbje që shtresëzohet brenda nesh, por kurrë nuk shërohet e as nuk harrohet. Ngushëllime të gjitha familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre, dhe uroj forcë e shpresë për ata që janë të sëmurë e përballen me virusin.

    Para se të flas për politikë, dëshiroj shumë shkurt të falënderoj disa njerëz që i kam pranë zemrës.

    Falënderoj punëtorët që transportojnë, prodhojnë e shesin ushqimin dhe sendet e domosdoshme për jetën tonë. Falënderoj punëtorët e pastrimit. Padyshim, mjekët, infermierët, që në kushte shumë të vështira, me spitalet e mbingarkuara, shpesh pa pajisjet e nevojshme, kurrë nuk e ndalën punën. Shumë nga ne të tjerët, patëm mundësi të punojmë nga shtëpitë tona, duke iu falënderuar teknologjisë. Por, këta që përmenda, nuk janë ndalur kurrë. Po të ishin ndalur këta, po të ishin mbyllur në shtëpi, do të ishte ndalur vërtet gjithçka. Këta janë zemra e shoqërisë, dhe zemra nuk mund të ndalë kurrë. Le të shërbejë kjo pandemi, që të kuptojmë se sa të varur jemi prej këtyre kategorive të punëtorëve, e që t´u jemi mirënjohës atyre në të gjitha aspektet.

    Ky vit, të dashur miq, po të mos kishte qenë tragjik, do të kishte qenë interesant. E mbaj mend, në fillim të vitit, prisnim nga LDK-ja të na përgjigjej. Ne kishim fituar zgjedhjet, më 6 tetor 2019, por atyre nuk i pëlqente rezultati. Ju dukej se kishim fituar me shumë pak diferencë, dhe kur diferenca të duket e vogël, fillon ta bindësh veten se je edhe vetë një lloj fituesi. Kështu që nisën të na vinin kusht pas kushti, pengesë pas pengese, kërkesë pas kërkese. Nuk donin të pajtoheshin me faktin se ndryshimi kishte filluar e se qytetarët donin Lëvizjen VETËVENDOSJE! në drejtimin e vendit.

    Ata nuk e kuptonin një gjë atëherë, të cilën besoj se sot e kanë kuptuar të gjithë. Sa herë që vendosin pengesa të padrejta, sa herë përpiqen ta ndalin me hile Lëvizjen, ajo vetëm rritet. Populli shqiptar nuk i do hileqarët, dhe i dënon ata. Por, populli shqiptar i do të drejtët, i mbështet ata që e kanë qëllimin e mirë dhe e thonë të vërtetën. Le të shërbejë kjo si mësim, kurdo që duan t´i reformojnë partitë e tyre të vjetra apo të krijojnë parti të reja: me intriga, me prapaskena, me shërbime sekrete e projekte okulte, nuk ka më përparim në politikë. Nuk i ha më populli mashtrimet, sepse ka ndodhur një emancipim popullor. Ky emancipim i gjerë i qytetarëve e ka sjellë Lëvizjen në mbështetjen e sotme, ku synojmë që të arrijmë në zgjedhjet e ardhshme, ndoshta edhe 2/3 e votave.

    Bëmë si bëmë, u desh të lëshonim pe në shumë aspekte, madje gjej rastin ta falënderoj dhe Glauk Konjufcën i cili u tërhoq edhe nga pozita e Kryetarit të Kuvendit, dhe në fund e arritëm këtë marrëveshje. Kjo është fryma e shumë aktivistëve, të cilët janë tërhequr nga pozita e poste të ndryshme, kur këtë e ka kërkuar nevoja e Lëvizjes. Ne nuk jemi karrieristë e për pozitë e për para, por jemi aktivistë e për ideal e për popull. Megjithatë, e përmenda rastin e zotëri Konjufcës, sepse tash besoj e kuptoni të gjithë se këmbëngulja e LDK-së për të marrë atë pozitë, lidhej në fakt jo me vetë Kryetarin e Kuvendit, sa me Presidentin. Sot do të kishim patur Glaukun ushtrues të detyrës së Presidentit, dhe kjo e tmerronte gardën e vjetër. Fati ynë i mirë, dhe i gjithë Kosovës, që edhe ajo që zëvendësoi Glaukun, nuk ishte servile por ishte dinjitoze dhe konsistente në qëndrimet e saj. E kam fjalën për znj. Vjosa Osmani, e cila i përket atij grupi njerëzish në LDK që vendosën, jo të pajtohen me mua, por të mbajnë fjalën që ua dhanë votuesve të tyre, në zgjedhjet e 2019.

    Me 3 shkurt e krijuam qeverinë. Pati shumë punë të mira ajo qeveri, edhe pse qëlloi në kohë shumë të vështirë. Jo vetëm që ndodhi pandemia, por në mes të ballafaqimit fillestar me këtë sfidë globale, këta ish partnerët tanë e parti të tjera, filluan të na sabotonin dhe ngritën mocion kundër nesh. Na lanë pa shumicë në parlament, në kohën më delikate të pandemisë, kur vendet e tjera merrnin masa të forta për ruajtjen e shëndetit dhe të ekonomisë. E kuptoj që s´na donin, sepse ne mbanim fjalën, mirëpo ta sabotosh e të përpiqesh ta rrëzosh qeverinë kur sapo ka nisur një pandemi dhe e gjithë bota është në panik, është papërgjegjësi e madhe ndaj qytetarëve dhe ndaj vendit tënd. Kështu pra, nga 3 shkurti deri në 25 mars ishte në gjendje ta mbante fjalën dhe marrëveshjen LDK-ja. Vetëm 50 ditë.

    Por ne vazhduam të qeverisnim deri me 3 qershor, sepse ata që na rrëzuan nuk kishin vota që të krijonin qeveri. Madje edhe me 3 qershor nuk i bënë votat. U detyruan të shkonin natën nëpër shtëpi deputetësh, për t´i bindur ata me premtime të ndryshme, deri edhe duke u dhuruar konsullata për djemtë. Por, prapë nuk ia dolën. U desh të marrin edhe votën e deputetëve të dënuar me burg. Prandaj i thamë qeveri Koti. Se ishte e pafuqishme, e paligjshme dhe jokushtetuese.

    Gjatë katër muajve që qeverisëm, me gjithë pengesat që unë përmenda më sipër, arritëm rezultate të shkëlqyera në menaxhimin e pandemisë. Nën drejtimin e ministrit të shëndetësisë Arben Vitia, Kosova u bë një ndër vendet që përmendeshin si shembull i mirë në mediat prestigjioze globale. Jo vetëm që e sheshuam lakoren, por arritëm në maj ta çonim numrin ditor të të infektuarve, në zero. Njëkohësisht, spitalet që i trashëguam në gjendje jo të mirë, të paktën i ruajtëm prej mbingarkesës.

    Meqenëse në secilin sondazh të bërë në vendin tonë në 10 vitet e fundit korrupsioni e papunësia dalin si probleme kryesore, brenda atyre katër muajve në qeverisje ne morëm mbi 200 vendime energjike, me të cilat zvogëluam kabinetin qeveritar, përgjysmuam pagat për qeverinë, ulëm shpenzimet dhe privilegjet, si dhe parandaluam keqpërdorimin e parasë publike.

    Me zvogëlimin e numrit të ministrave, zëvendësave, këshilltarëve e asistentëve, ne do të kursenim 1.4 milion euro në vit. Me përgjysmimin e pagave të qeveritarëve, do të kursenim 1.1 milion euro në vit. Nga heqja e privilegjeve, shpenzimeve me telefona, makina, udhëtime zyrtare, dreka e darka, do të kursenim edhe 300.000 euro të tjera. Pra qeveria jonë kursente 2.8 milion euro çdo vit, vetëm si kabinet. Ishte sukses, por edhe detyrë e jona, sepse votuesit deshën një kabinet të vogël, meqenëse Kosova është vend i varfër.
    Ne i ndërruam bordet e ndërmarrjeve publike, jo për hakmarrje, por sepse i gjetëm ato në gjendje shumë të keqe. Ndërmarrjet publike kishte vite që vepronin me humbje financiare, dhe dëmtonin shtetin. Ndërkohë, janë të gjitha kushtet e mundësitë që ato të veprojnë me fitim, të mbajnë vetveten dhe ta zhvillojnë shoqërinë. Bordet e reja që u emëruan prej nesh, filluan menjëherë rigjallërimin e ndërmarrjeve. Por kjo i shqetësoi kapësit e shtetit, të cilët prej vitesh i trajtonin ato ndërmarrje publike si lopë private, duke i mjelë fshehurazi, më rrallë, e haptazi, gjithnjë e më shpesh.
    Po ashtu, ne i ndalëm kontratat abuzive të lobimit, ku qindra miliona euro përdoreshin për pastrimin e imazhit të politikanëve dhe pushtetarëve të vjetër. Të njëjtën gjë e bëmë edhe me tenderët e panevojshëm për shpronësim e asfalt, të cilët ishin sajuar vetëm për të zhvatur paranë publike. Afër 170 milionë euro janë kursyer vetëm nga ndalimi i këtyre kontratave të panevojshme.
    Ne treguam se korrupsionin mund ta luftojë edhe qeveria. Ky ishte hapi kryesor për rikthimin e besimit te institucionet tona dhe te shteti. Vendosëm në pozita njerëz të pakorruptuar, dhe askujt nuk i dhamë mandat blanko. Mbi të gjitha, nisëm procesin e vettingut në drejtësi për gjyqësor të drejtë e prokurori aktive.

    Lufta kundër korrupsionit edhe ndërkombëtarisht do të jetë njëra nga temat kryesore, për shumë vende që dëshirojnë forcimin e demokracisë e që përballen me qytetarë të pakënaqur. Prandaj, masat që ne morëm dhe politikat që ndoqëm, gjetën përkrahje të madhe prej të gjithë partnerëve tanë në BE dhe prej ShBA-ve.
    Ndërkohë, mbi 70 milionë euro i siguruam për Ministrinë e Shëndetësisë që të investoheshin nëpër spitale, e mbi 190 milionë euro i vumë në funksion të ekonomisë. Ndihmuam policët, inspektorët, punëtorët e shëndetësisë dhe grupet e ndjeshme me paga shtesë gjatë pandemisë.
    E megjithatë, nuk mundëm ta shmangnim krizën politike të shkaktuar nga ata që pushtetin e duan më shumë se atdheun. Në vend se të bëheshim të gjithë bashkë e të thoshim se reciprociteti ndaj Serbisë nuk mund të hiqet, ndodhi e kundërta. Edhe pse LDK-ja në fushatë kishte premtuar reciprocitet, edhe pse partitë e tjera që mbahen si nacionaliste, e rrëzuan VETËVENDOSJE!-n, pikërisht sepse mbajti reciprocitetin ndaj Serbisë. Me një qasje të tillë sigurisht, LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja e të tjerë, ia kanë dhënë një gëzim të madh Beogradit. Ata dhanë mesazhin se në Prishtinë ka parti që janë në gjendje të rrëzojnë edhe qeverinë e vet, që t´ia heqin reciprocitetin Serbisë.

    Ndërkohë, për reciprocitetin ne kishim arritur të gjenim edhe një mbështetje jo të vogël ndërkombëtare. Evropianët e mbështesnin, shumë eurodeputetë, por edhe politikanë qendrorë të qeverive nga vendet e rëndësishme evropiane si edhe përfaqësuesit e BE-së, ishin gati ta vazhdonin dialogun duke e mbajtur reciprocitetin.

    Edhe në ShBA arritëm të kishim shumë mbështetës të reciprocitetit, edhe në institute të ndryshme politikbërëse, por edhe zëra të rëndësishëm në Kongres e Senat. Vetëm pak punë duhej bërë, që të bindej edhe administrata e presidentit Trump, dhe sot e kësaj dite ne ende do ta kishim reciprocitetin. Por këta nuk deshën punë e bashkëpunim për Kosovën, këta deshën krizë e pengim, që t´u hapej rruga për veten e tyre. I shkruanin mesazhe pa fund ish ambasadorit Grenell, që ta nxitnin kundër meje. Përpiqeshin të më paraqitnin mua si anti-amerikan. Mirë që nuk e shpallën anti-amerikan edhe kongresmenin Elliot Engel, mikun e kahershëm të shqiptarëve, i cili po ashtu e ka mbështetur e ka qenë shumë pozitiv ndaj qasjes sonë.
    Më akuzonin mua se po prishja marrëdhëniet me perëndimin, ndërkohë që vendet më të rëndësishme evropiane, dhe kongresmenët e dëshmuar pro-shqiptarë dërgonin letra dhe demarshe, ku i thoshin këtyre «mos e rrëzoni qeverinë gjatë pandemisë. Prisni të kalojë pandemia, pastaj bëni çka të doni». Por, këta nuk duronin dot të kalonte pandemia. E kishin mizën nën kësulë, dhe deshën të kruheshin. Dikush atëherë thoshte se, po i bëjnë këto të pabëra, se duan të shpëtojnë prej Gjykatës Speciale. Por nuk shpëtuan dot nga ajo grackë të cilën ia kanë ngritur vetes. Ndërsa ne, që kemi mbajtur gjithmonë qëndrim parimor edhe në rastin e Gjykatës Speciale, ishim të vetmit që me sinqeritet e transparencë, mund të drejtonim një politikë shtetërore parimore, e cila do të mund të ishte edhe në interesin e tyre.
    Gjatë qeverisë sonë ne treguam se nuk ka nevojë të shkelësh parimet kombëtare për të ruajtur pushtetin. Nuk ka nevojë të jesh i dhunshëm për ta mbajtur pushtetin. Ai që shkel parimet e që kërcënon me dhunë, le të vijë e ta marrë pushtetin, por nuk e mban dot, sepse populli e largon. Siç do të ndodhë tani, me qeverinë që po shkon e që na i humbi një gjysmë viti.
    Gjysmë viti e humbur kot për vendin tonë. Por gjatë këtyre muajve ka ndodhur diçka pa precedent. Mbështetja për VETËVENDOSJE!-n është rritur më shumë se dyfish. Njerëzit e kanë vlerësuar punën dhe qëllimet tona. Po ashtu, të gjithë janë të zhgënjyer prej padrejtësisë që na u bë me 25 mars dhe intrigave që vazhdimisht përpiqen të bëjnë kundër nesh. Prandaj, si kurrë ndonjëherë, mund të themi me plot gojën se ka ardhur koha e VETËVENDOSJE!-n.

    Të dashur aktivistë, këtë duhet ta kuptojmë mirë dhe me kujdes. Nuk është kjo koha që të ikë një bandë e të vijë një klikë. Nuk është kohë hakmarrjesh. Është kohë drejtësie. Askush nuk do të largohet nga puna padrejtësisht prej nesh, vetëm pse i përket një partie. Askush nuk do të futet në një punë pa e merituar, vetëm pse i përket VETËVENDOSJE!-s. Por, askush nuk do të rrijë në një pozitë ku nuk e meriton, dhe askush nuk do të lihet jashtë pozitës që e meriton, gjë që ka ndodhur në vitet e shkuara rregullisht me aktivistët e VETËVENDOSJE!-s, që janë lënë pa punë edhe kur e kanë fituar konkursin. Pra, ne nuk do të kapim shtetin, por do ta çkapim atë. Ju lus të keni kujdes, që në asnjë mënyrë, të mos përsërisim veprimet e atyre që populli do t´i largojë përmes votimit masiv.
    Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet janë shumë pranë. Gjasat janë që në këto zgjedhje nga lista jonë të bëhen deputetë më shumë se 65 emra. Nga një anë, ky është lajm i mirë. Por ekziston edhe një fenomen për të cilin duhet të kemi kujdes. Nuk bën të ulim standardin e listës, dhe as të Kuvendit. Parlamentarizmi, në vitet e fundit, ka ardhur duke u përkeqësuar. Të merr malli të dëgjosh një debat vërtet politik e përfaqësues në Kuvend, sepse më shpesh ose janë përplasje banale e brutale, ose janë diskutime të thata prej studentësh që duan të tingëllojnë si profesorë. Për ta rikthyer dinjitetin e Kuvendit dhe besueshmërinë e qytetarëve në parlament, ne duhet që me shumë kujdes, të zgjedhim njerëzit më të mirë, të përgatitur e të pjekur politikisht, për detyrën e rëndësishme të përfaqësuesit, pra të deputetit. Ky është një proces për të cilin do të na duhet një bashkëpunim e një mirëkuptim, i cili fillon qysh sot. Duhet ta kthejmë në Kuvend vlerën e fjalës dhe peshën e mendimit.
    Të dashur aktivistë,
    Gjatë muajve të parë të fillimit të pandemisë kur gjithçka ishte mbyllur, ne punuam intensivisht me strukturimin në shtetet në mërgatë ku gëzonim përkrahje më të madhe sidomos pas mocionit të PLAN-it. Si rezultat, u formuan 6 qendra të reja në mërgatë dhe një qendër në Maqedoninë e Veriut. Tashmë kemi 13 qendra në mërgatë, atë në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, me mbi 4.000 anëtarë gjithsej, gjë që na bëjnë organizimin më të madh në mërgatë nga të gjitha subjektet shqiptare ndonjëherë.

    Në vjeshtë kemi filluar, në njërën anë, me projektin e Qeverisjes Alternative në pesë shtylla dhe jemi në përfundim të harmonizimit të brendshëm të temave dhe çështjeve të tyre, kurse, në anën tjetër, kemi organizimin e zgjedhjeve të brendshme, ku përkundër rrethanave të pandemisë, deri tani, aktivistët e 300 pikave kanë zgjedhur strukturat e tyre organizative. Së fundmi, nga Qendra e Besianës dhe ajo e Mitrovicës u organizua fushatë e mirë elektorale për zgjedhjet për kryetar komune, ku fituam bindshëm në Podujevë e dolëm të parët nga partitë shqiptare në komunën veriore të Mitrovicës. Përgjatë vitit 2020, në total janë anëtarësuar në Lëvizje rreth 9 mijë qytetarë, duke e çuar kështu në mbi 50 mijë numrin e përgjithshëm të anëtarësisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
    Viti 2020 është vit kur jemi anëtarësuar në Aleancën Progresiste, ku është anëtare edhe Partia Demokratike e Presidentit të zgjedhur të ShBA-ve, z. Joseph Biden. Kemi bashkëpunuar ngushtë në forumet ndërkombëtare me partitë e institutet e ndryshme, e me këtë rast dua t’i falenderohem sidomos Friedrich Ebert Stiftung-ut gjerman dhe National Democratic Insititute-it amerikan.
    Viti 2020 ishte në veçanti vit i rëndë për neve sepse ishte vit kur u nda nga jeta Adem Mikullovci dhe vit kur na e ndanë nga liria Rexhep Selimin. Baca Adem ka lënë veprat e tij të shumta dhe kujtimet tona të pashlyeshme, kurse Rexha urojmë e po punojmë që të na kthehet sa më shpejt në Kosovë e në Lëvizje, sepse ai i tillë është: i Kosovës e i Lëvizjes.
    Të dashur aktivistë e anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm. Ky vit që shkoi, me vështirësitë e krizat e veta, e hapi derën për vitet e ardhshme të cilat do të jenë vite të punës. Aty ku ka punë, ka edhe sukses e bereqet. Prandaj, secili nga ju, përveshini mëngët, bindeni veten, dhe mos mendoni shumë për pushime. Boll pushime bëmë gjatë 2020. Llogariteni dekadën e ardhshme si një dekadë të punës.
    Sot ne do të duhet të diskutojmë dhe të votojmë disa ndryshime e rregullime statutore të cilat në përgjithësi përfshijnë çështje që kemi hasur në rrugën tonë të deritanishme dhe të tjera që e forcojnë drejtimin tonë përpara. Nuk është hera e parë që bëjmë ndryshime të tilla statutore, dhe padyshim, nuk do të jetë as e fundit. Rrethanat ndryshojnë, Lëvizja rritet, dhe aktualiteti kërkon prej nesh qasje dinamike, dhe jo ngurtësim. Ngurtësimi, mosndryshimi, është dobësi. Sepse nuk duhet të jemi të fortë pa qenë edhe të fuqishëm. Të pandryshueshme duhet t´i mbajmë vetëm parimet dhe idealet. Aspiratën e Bashkimit Kombëtar, dhe synimin për shtet të drejtë e shoqëri të zhvilluar duhet ta mbajmë të pandryshuar, e jo vetet tona.
    Ne ecim duke forcuar organizimin dhe përmirësuar aty ku konstatojmë bashkërisht që duhet përmirësuar. Kësisoj, ndryshimet e propozuara sot nuk janë as të tërësishme e as përfundimtare.

    Siç jemi njoftuar, propozimet për reformë organizative janë grupuar në nëntë kategori.

    Së pari, harmonizimi i statusit të aktivistit me atë të anëtarit, për sa i përket të drejtës së votës dhe të drejtës së kandidimit, si një nevojë që realiteti në terren na e ka tejkaluar, deri te shtimi i kategorisë së tretë siç janë simpatizantët. Kjo na ndihmon të përfshijmë sa më shumë në mesin tonë, por edhe ta garantojmë përditësimin e listës së anëtarësisë.

    Një plotësim tjetër, i cili ka shumë më shumë rëndësi politike se sa organizative e elektorale, është krijimi i bazës për shtrirjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! edhe në komunat me shumicë të popullsisë nga pakicat kombëtare. Në këto komuna, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbështetje politike dhe prania e organizatës është me rëndësi të veçantë politike. Me këtë ndryshim ne ju mundësojmë edhe shqiptarëve të veriut të Mitrovicës, të Kllokotit, të Zveçanit e të vendbanimeve tjera që të bëhen pjesë e organizatës tonë.

    Së treti, me rritjen e Lëvizjes, zgjerimin e organizatës dhe shtimin e numrit të anëtarëve, është e nevojshme të ndryshojmë kriterin e përbërjes së këshillit të përgjithshëm dhe këshillave të qendrave. Sepse, siç e dini, numri i delegatëve varet nga numri i anëtarëve, kurse nuk kemi tavan për sa i përket numrit. Me këtë rritje e zgjerim, numri i anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm po rritet aq shumë sa që ky organ rrezikon të bëhet jofunksional. Andaj, ne synojmë, në njërën anë, të garantojmë përfaqësim gjeografik e të të kategorive tjera, e në anën tjetër funksionalitet e efikasitet në vendimmarrje.

    Së katërti, sa i përket organizimit në mërgatë, nuk është e përshtatshme e as e dobishme që të kemi organizim identik si brenda vendit edhe jashtë vendit. Organizimi në mërgatë nuk duhet të jetë identik me organizimin në qendrat brenda vendit, sepse specifikat janë tjera. Përmes këtij plotësimi krijohet baza e një organizimi të veçantë në mërgatë, gjithnjë për t’ia bërë më të lehtë organizimin dhe funksionimin, por edhe zgjerimin, sikurse edhe ndërlidhjen në mes të qendrave të mërgatës e përfaqësimit të përbashkët.

    Së pesti, Sekretariatin për Marrëdhënie me Jashtë e kemi strukturuar në dy segmente, në atë ndërkombëtar që mbulohet nga Sekretariati për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe atë për Zhvillim Bashkëpunimesh që mbulon marrëdhëniet me palët e treta brenda vendit. Po ashtu, drejtuesi i Sekretariatit për Medie dhe Komunikim bëhet anëtar me të drejta të plota i Kryesisë së Lëvizjes, kurse zëdhënësit marrin pjesë pa të drejtë vote.
    Së gjashti, do t´i japim pushtetit lokal rëndësi brenda Statutit e brenda Organizatës. Qeverisja lokale është tejet e rëndësishme. Aty duhet të pasqyrohen parimet dhe vlerat që përfaqësojmë. Që nga vlerat dhe parimet bazë që duhet të karakterizojnë qeverisjen lokale të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe përfaqësimin në kuvendet komunale, te raporti i përfaqësuesve dhe i të emëruarve në nivel lokal me strukturat e organizatës, koordinimin me Sekretariatin e Përgjithshëm, përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar, raportimi vjetor për punën e deri te politikat kadrovike nëpër komuna që të kemi përfaqësues dhe të emëruar të cilët përmbyllin me përkushtim përgjegjësitë e tyre.

    Së shtati, lidhur me procesin e krijimit të listës së kandidatëve për deputetë, ky ndryshim i përgjigjet idealit dhe synimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të jetë sa më gjithëpërfshirëse, jo vetëm gjeografikisht, por edhe në drejtim të përfshirjes të kategorive tjera shoqërore si të rinjtë, gratë, punëtorët e kështu me radhë. Nisur edhe nga përvoja e brendshme nga zgjedhjet e mëhershme kur bëhet fjalë për përpilimin e listës, është e parë e nevojshme që krahas pjesës më të madhe të kandidatëve që vijnë nga qendrat, dhe pjesës së propozimeve të Kryetarit, të kemi mundësinë statutore që edhe Kryesia e Lëvizjes të japë disa propozime, por gjithnjë duke siguruar që asnjë komunë nuk mbetet pa kandidat, nëse ka propozime. Kur kemi parasysh që e gjithë Kosova është një zonë elektorale, ky ndryshim është fort i logjikshëm.

    Së teti, një ndryshim tjetër i rëndësishëm që është rrjedhojë e rezolutave dhe deklaratave që ka nxjerrë Këshilli i Përgjithshëm, është themelimi i strukturave të veçanta brenda Organizatës për gratë dhe rininë. Me këto ndryshime përcaktojmë themelimin dhe organizimin e dy strukturave të ndërvarura në kuadër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!: Gratë për Vetëvendosje dhe Rinia për Vetëvendosje. Këtu përcaktohet fushëveprimtaria e përgjithshme, struktura organizative e tyre, mënyra e organizimit, zgjedhjes dhe funksionimit, domosdoshmëria që programi me qenë në linjë me programin e Lëvizjes, anëtarësia brenda këtyre strukturave, raporti me organizatën, mosha e anëtarëve për rininë, ndërtimi i solidaritetit gjinor për barazi gjinore, buxheti dhe elemente të tjera të organizimit dhe të funksionimit.

    E së nënti, kemi disa ndryshime joesenciale, por të cilat saktësojnë gjuhën, qartësojnë formulimet, harmonizojnë termet dhe nocionet, si dhe krijojnë një strukturë të sintetizuar të të gjitha organeve dhe strukturave të Lëvizjes.

    Është shumë e rëndësishme që këto ndryshime, të cilat ju i keni marrë me kohë në emailet tuaja, t´i diskutojmë duke patur parasysh të mirën e organizatës. Ne, kur i kemi menduar e propozuar, kështu kemi menduar, prandaj edhe ju ftojmë që t´i votoni këto ndryshime kaq të rëndësishme.
    Ju falemnderit të gjithëve për të gjitha.
    Urime Viti i Ri! Gëzuar 2021!

    Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë nesër ndërprerje të rrymës
    Nga Rubrika
    Lajme25 Prill 2024
    Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj...
    Lajme25 Prill 2024
    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka folur mbi suksesin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Bogujevci në...
    Lajme25 Prill 2024
    Komuna e Deçanit ka marrë leje për shfrytëzimin e tokave në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Ky vendim u miratua nga Kuvendi...
    Të tjera
    Lajme25 Prill 2024
    Zbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit nuk është kundërpeshë e mjaftueshme që Kosova të marrë përkrahjen e aleatëve sa...
    Vip25 Prill 2024
    Me kërkesë të avokatit Florent Latifaj, mbrojtës i këngëtarit Sinan Vllasaliu është anuluar seanca e së enjtes në rastin ku Vllasaliu po...
    Bota/Rajoni25 Prill 2024
    Gordana Siljanovska Davkova, kandidatja presidenciale e Maqedonisë së Veriut nga VMRO-DPMNE, në rrethin e djeshëm të parë të zgjedhjeve për shef të...
    Kronika25 Prill 2024
    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ndaluar një person për 48 orë për shkak të dyshimin të veprës penale “sulmi seksual”. Sipas njoftimit...
    Lajme25 Prill 2024
    Gjykata Kushtetuese e Speciales ka hedhur poshtë referimin lidhur me Rregulloren e Ndihmës Juridike të DHSK-së, në rastin gjyqësor ‘Januzi dhe të...
    Lajme25 Prill 2024
    Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka thënë për Ekonomia Online se mundësia që të arrihet një marrëveshje për...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.