Një aksident autobusi në Bullgarinë perëndimore herët në mëngjesin e së martës ka lënë të vdekur të paktën 46 persona nga Maqedonia e Veriut.
Në mesin e viktimave janë 12 fëmijë teksa kanë mbetur të lënduar rëndë shtatë persona të tjerë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka deklaruar se rreth aksidentit nuk do të ketë hetim paralel pasi kanë besim tek autoritetet bullgare.
“Ne u besojmë kolegëve tanë bullgarë. Nëse ata kanë nevojë për ndihmë, ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë në hetim. Tani gjëja më e rëndësishme është të shohim se si t’i ndihmojmë viktimat”, ka thënë Zaev.