Sot në Kuvend është diskutuar për rritje ekonomike.
Kryeministri Albin Kurti para deputetëve ka thënë se ekonomia asnjëherë nuk ka parë rritje më të lartë ekonomike sesa më 2021.
E, ndaj këtyre deklaratave ka reaguar zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.
Ai, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se nëse ka rritje ekonomike kaq të madhe sikundër pretendon Qeveria sot, si ka mundësi që për këtë rritje nuk ju paska pengu e kaluara e këtij vendi ‘e keqe me tona të këqijat’ siç trumbeton kjo Qeveri pa ndal.
Sipas tij, për çdo ngecje, dështim apo gabim sot, Qeveria aktuale ka përgjigje alaminut ‘smund t’i përmisojmë ne për pak muaj gabimet e juaja për shumë vite’.
Postimi i tij i plotë:
‘Syzat populiste’ të Qeverisë
Nëse paskemi rritje ekonomike kaq të madhe sikundër pretendon Qeveria sot, si ka mundësi që për këtë rritje nuk ju paska pengu e kaluara e këtij vendi ‘e keqe me tona të këqijat’ siç trumbeton kjo Qeveri pa ndal. Për çdo ngecje, dështim apo gabim sot, Qeveria aktuale ka përgjigje alaminut ‘smund t’i përmisojmë ne për pak muaj gabimet e juaja për shumë vite’. Mos more. E keqja është se, edhe për krejt të kaluarën e vendit tonë edhe për gjendjen ekonomike sot ju keni ‘syza populiste’ dhe as nuk shihni mirë dhe as nuk jepni vlerësim të drejtë.