[wp-story]

Lajme

Abazi komenton deklaratat e Mustafës: Emri i Presidentit duhet të bëhet i ditur për kë po rezervohet

Abazi komenton deklaratat e Mustafës: Emri i Presidentit duhet të bëhet i ditur për kë po rezervohet
19:40 | 16 Dhjetor 2019

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, gjatë ditës së sotme tha se çështja e presidentit është parimore për LDK-në, kështu që sipas tij edhe në këtë fazë duhet të diskutohet për këtë post, shkruan GazetaBlic.

Sipas Mustafës, LDK ende nuk ka vendosur një emër për këtë post, mirëpo kur të vijë koha atëherë do të marrin një vendim.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Haki Abazi, në një prononcim për GazetaBlic tha se LDK nuk po e voton Kurtin për kryeministër, sepse këtë e kanë bërë qytetarët më 6 tetor, por LDK do të votoj koalicionin që e kanë arritur dy partitë së bashku.

Ai thotë se përderisa emri i kandidatit për kryeministër dhe kryeparlamentare është i njohur, atëherë pse të mos dihet edhe për postin e presidentit se për kë po rezervohet, por nëse publikimi i emrit është ende herët për këtë fazë, atëherë e tërë kjo çështje mund të diskutohet pas krijimit të Qeverisë.

“Nuk është duke u votuar Kurti si kryeministër, Kurti është përzgjedhur për kryeministër nga votat e qytetarëve, po votohet një qeveri e koalicionit të përbashkët mes VV-së dhe LDK-së”, tha Abazi.

“VV ka mirëbesimin e plotë, mirëpo në rastin konkret Kurti është emër i njohur për kryeministër, Osmani është kandidate për kryeparlamentare, atëherë edhe emri i presidentit duhet të bëhet e ditur për kë po rezervohet nëse duhet të vendoset tani, nëse nuk duhet të vendoset tani atëherë edhe emri, edhe vendosja se nga kush dhe në çfarë forme të nominohet presidenti mund të bëhet në ndonjë fazë tjetër”, tha ai.

“Nëse insistimi nga LDK apo kushdo edhe nga VV nuk ka kuptim sepse është çështje  marrëveshjes me mirëkuptim që është emri i presidentit të bëhet i ditur”, tha Abazi.

Ai tha se negociatat duhet të jenë në një marrëveshje të përbashkët dhe se ndarja e përgjegjësie po ashtu është pjesë e negociatave.

“Mendoj se është pozitive që LDK-ja ta mirënjohë faktin se negociatat duhet prodhuar një marrëveshje të përbashkët, ndërsa sa i përket barazisë për ndarjen e përgjegjësive mendoj se është proces i negociatave. Sikur të mos ketë nevojë të definohen përgjegjësitë, atëherë do ishte e qartë se as negociatat nuk do të ishin të domosdoshme, mirëpo marrëveshja përfundimtare duhet të jetë pjesë e një procesi negociator ku të dy palët dalin me qëndrim të përbashkët dhe një marrëveshje të vetme brenda së cilës vendosin pozitat partiake në shërbim të funksioneve shtetërore”, tha ai.

Abazi tha se nuk ka ndarje perfekte pasi që për kryeministrin, kryeparlamentarin dhe presidentin është vetëm një pozitë dhe sipas kësaj nuk mund të ketë barazi të përgjegjësive.

Sipas tij, e rëndësishme është që Qeveria Kurti të ketë pozita partiake që janë në shërbim të shtetit dhe jo të interesave partiake siç kanë qenë në qeveritë e kaluara.

“Nuk mendoj se ka ndarje perfekte sepse ka vetëm një pozitë të kryeministrit, një president, një kryeparlamentar dhe është e pamundur kushdo që shkencëtarisht t’i barazojë të gjitha pozitat, mendoj se ajo që është me rëndësi kultura politike për të arritur një marrëveshje ku dy palët vendosin pozitat e tyre partiake në funksion shtetëror, ku ministrat nuk janë të VV-së dhe të LDK-së, por të Qeverisë së Kosovës në këtë rast të Qeverisë Kurti”, tha ai për GazetaBlic.

“Për këtë ne duhet të dallohemi nga qeveria e kaluar ku ministrat kanë përfaqësu interesa partiake, e në këtë qeveri ministrat, pozitat e funksionet shtetërore duhet përfaqësojnë institucionet e shtetit të Kosovës dhe jo pozitat e partive”, shtoi Abazi.

Auto Mita me një mundësi të mirë për bizneset – për çdo veturë të re, SERVISI FALAS deri në 100…

Të tjera