Front TV

A do të lirohen të burgosurit për Festën e Bajramit, flet drejtori i Burgjeve të Kosovës

A do të lirohen të burgosurit për Festën e Bajramit, flet drejtori i Burgjeve të Kosovës
10:57 | 23 Maj 2020

1 mijë e 550 persona janë duke e vuajtur dënimin në burgjet e Kosovës. Prej tyre 455 janë të paraburgosur.

E të njëjtit pritet që Festën e Fitër Bajramit ta presin prapa grilave, kjo për shkak të situatës me Covid-19, e që ka bërë që për të burgosurit të ndalohen daljet jashtë ambientit të burgut dhe vizitat e tyre me familjarë.

Drejtori i burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi, në një intervistë për Front Online, ka thënë së kërkesat e të burgosurve për lirim nuk do të aprovohen gjatë kësaj periudhe.

“Fatkeqësisht jo, për shkak se me urdhrin operativ i kemi ndaluar të gjitha vizitat dhe në të njëjtën kohë i kemi ndaluar të gjitha vikendet ku të burgosurit shkojnë në shtëpi të tyre, prandaj edhe kësaj radhe nuk do të mundemi që të aprovojmë”, ka thënë Thaçi.

Por për të gjithë të burgosurit, që këtë Festë pritet ta presin me shokët e tyre të qelive, Thaçi ka thënë që do të ketë një racion më specifik se sa zakonisht.

“Do të ketë lehtësime si zakonisht, përveç një pjesë të ushqimit që do ta kenë një racion pak më specifik se sa në ditët e zakonshme, sigurisht që ata në formën e vet do ta festojnë Bajramin afër njëri-tjetrit, me të gjithë ata kolegë apo miq të tyre që janë në Qendrat Korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, ka thënë ai.

Drejtori i burgjeve u ka kërkuar falje të gjithë të burgosurve që këtë Festë pritet ta presin, pa vizita familjare, e pa shfrytëzim të vikendeve.

“Po e shfrytëzoj mundësinë që të gjithë të burgosurve të ju kërkoj ndjesë dhe t`u kërkojë mirëkuptim nga ta që kësaj radhe të bashkëndjenjë, të bashkëpunojnë me ne që kësaj radhe nuk do të mund ta shfrytëzojnë mundësinë e vikendeve për festën e Bajramit”, ka deklaruar Thaçi për Front Online.

 Thaçi: Po bëhet përpjekje që të bëhet Ligji që amniston të burgosurit

Në prag të kësaj feste nuk pritet të ketë as amnisti për të burgosurit.

Tërë kjo pasi që sipas Nehat Thaçit ende nuk është krijuar mundësia për procedimin e një ligji i cili i amniston të burgosurit.

“Çështja e amnisitimit pothuajse është në përfundim e sipër si temë dhe rrjedhimisht ne i kemi bërë disa tentativa dhe përpjekje, do të thotë Ministria e Drejtësisë, gjithashtu edhe institucionet gjegjëse si Presidenca dhe të tjerë që të procedohet një ligj i cili amniston të burgosurit, mirëpo për shkak të pamundësisë dhe situatës pandemike atëherë nuk ka mundur që të realizohet kjo rrethanë që të krijohet një ligj i veçantë, që të amnistohen të paraburgosurit”, ka thënë Thaçi për Front Online.

Amnisti për të burgosurit, sipas Thaçit, nuk ka pasur as gjatë periudhës së pandemisë.

“Nuk është paraqitur nevoja që të amnistohen për shkak se është menaxhuar në mënyrën më profesionale dhe në mënyrën më të mirë të mundshme. Fatbardhësisht ne deri më sot nuk kemi pasur të shfaqur ndonjë të infektuar pozitiv me Coronavirus”, ka deklaruar ai për Front Online.

Thaçi: Asnjë i burgosur nuk është prekur nga Coronavirusi

Drejtori i burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi, ka bërë të ditur se asnjë i burgosur nuk është prekur nga Coronavirusi gjatë kësaj periudhe.

“Deri më tash ne nuk kemi asnjë të burgosur apo të paraburgosur të prekur nga Coronavirusi. Besoj që gjendja e tyre është shumë mirë, shumë e shëndetshme, pasi që janë marrë masa të shumta qoftë në racionet ushqimore, qoftë në pastërtinë e tyre, dhe në të gjitha aspektet”, ka thënë ai.

Por të infektuar me këtë virus pati brenda burgjeve, vetëm se në stafin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Ne i kemi pasur deri më tash, 10 zyrtarë të Shërbimit Korrektues që kanë qenë të infektuar me Coronavirus. 7 prej tyre kanë qenë në Mitrovicë dhe që janë të shëruar. Një ka qenë në Dubravë dhe një në Gjilan. Të gjithë janë të shëruar përveç një nga ta i cili është në karantinë dhe që shumë shpejt do të dal nga vet izolimi”, ka pohuar ai për Front Online.

Pandemia me Covid-19, fillojnë masat lehtësuese edhe në burgje

Fillimi i masave lehtësuese  për pandeminë Covid-19, ka filluar edhe në burgje. Nehat Thaçi, drejtor i burgjeve të Kosovës ka thënë për Front Online, se masat lehtësuese në burgje veçse kanë filluar.

“Ne kemi filluar me disa masa lehtësuese do të thotë, para një jave ne kemi lejuar që t`u sillen rrobat të burgosurve, gjithashtu ne kemi lejuar qasjen në organizatat monitoruese që ne i monitorojmë Shërbimin Korrektues. Gjithashtu ne kemi lejuar edhe avokatët që t`i kontaktojnë të paraburgosurit”, ka bërë të ditur Thaçi.

Ai ka bërë të dituar poashtu që nga java e ardhshme i gjithë stafi i Shërbimit Korrektues do të dal në punë.

“Sot kemi nënshkruar Urdhrin Operativ ku nga e marta e ardhshme i gjithë stafi i Shërbimit Korrektues do t`i kthehet punës së vet, rutinave të përditshme ku besoj që pas një vlerësimi të situatës pandemike që do të marrim rekomandimet edhe nga organet kompetente që e bëjnë këtë vlerësim dhe ne do t`i ndërmarrim hapat konform. Kështu që në këtë moment nuk kam ndonjë datë të caktuar kur do të lirohet, por shpresojmë që nuk do të jetë larg data kur  do t`u mundësohet edhe vikendet”, ka thënë Thaçi për Front Online.

Gjatë pandemisë me Coronavirus, për takimet e të burgosurve me familjarët e tyre është mundësuar edhe komunikimi virtual.

Gjithashtu edhe i kemi instaluar komunikimin virtual. Kemi përdorur Skype si mundësi dhe të burgosurit kanë pasur qasje të vazhdueshme me familjarët e tyre përmes Skype.

Ndërsa  për ta gjatë kësaj periudhe janë dërguar edhe lojëra të ndryshme për ta kaluar kohën.

“Gjithashtu ne kemi parë programe të ndryshme në sisteme korruptive globale dhe më kujtohet një periudhë kohore kur ne pasi që nuk kemi pasur mundësi që t`u dërgojmë gazeta dhe revista të ndryshme, janë printuar formate të lojërave të ndryshme si Puzzle e të ngjashme dhe u kemi shpërndarë të burgosurve dhe ku ata kanë pasur mundësinë që përmes këtyre aktiviteteve shumë më pak të keni një periudhë më të lehtë të tejkalimit të kësaj situate”, ka thënë ndër të tjera ai./Front Online/

 

 

 

Petrol Company në muajin e shenjtë të Ramazanit, dhuron pako ushqimore per familjet nevojtare në qytetin e Vitisë

Të tjera