Deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica nuk janë më pjesë e “Lëvizjes Vetëvendosje”.
Ata të martën kanë njoftuar se janë bërë pjesë e një koalicioni me Partinë e Drejtësisë së Ferd Aganit dhe AKR-në e Behgjet Pacollit.
Deputetet Rrahmani e Korenica pas largimit nga VV kanë thënë se janë munduar që çështjet si projekt kodi civil do t’i zgjidhin brenda “Vetëvendosjes”, por për një të tillë s’ka pas vullnet e dëshirë që të tejkalohen dallimet.
Kundër disa projektligjeve të “Lëvizjes Vetëvendosje”, ka qenë edhe deputeti Gramos Agusholli i kësaj partie.
Se a do t’i bashkohet koalicionit mes PD dhe AKR-së, për Front Online është deklaruar deputeti Agusholli.
Ai deklaroi se deri në fund të mandatit do të jetë pjesë e “Vetëvendosjes”, pastaj do të vendos për më tutje.
“Unë momentalisht jam pjesë e LVV-së dhe ashtu do të jem deri në fund të mandatit ku edhe do ta vlerësoj vazhdimin tim në politikë”, u shpreh Agusholli për “Front Online”.