Përkundër deklarimeve të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se fillimi i vitit të ri shkollor ka nisur pa probleme sa i përket furnizimit me libra shkollor , katër drejtues të Komunave të Kosovës e thonë të kundërtën. Sipas tyre, në Kaçanik nxënësit i kanë blerë librat tek një market, nxënësit që jetojnë në një fshat kufitar të Hanit të Elezit e që vijojnë mësimet në këtë Komunë, por që kanë dokumente të Maqedonisë së Veriut kanë mbetur pa libra për shkak të mungesës së dokumentacionit, ndërsa në Klinë dhe Vushtrri janë paraqitur disa raste kur prindërve nuk u kanë dalë mjetet nga Ministria e Arsimit, ndonëse mësimi ka nisur para një jave.
Zyrtari i Arsimit: Furnizimi me libra në Kaçanik i vështirë, librat janë blerë te një market
Zyrtari i arsimit në Komunën e Kaçanikut , Gafurr Guri, ka deklaruar për portalin Front Online se ka pasur vështirësi të shumta sa i përket furnizimin të nxënësve me tekste shkollore.
Ai theksoi se në Kaçanik nuk ka librari dhe me libra janë furnizuar përmes një marketi të kontraktuar nga një shtëpi botuese.
Sipas tij, ka pasur probleme me furnizimin e librave për shkolla, sidomos për nivelet e klasave 6-9. Prindërit kanë hasur gjithashtu vështirësi në kyçje në platformën e MASHT-it dhe disa prej tyre kanë pasur probleme me llogaritë në E-Kosova, veçanërisht ata që jetojnë jashtë Kosovës
“ E dimë që ka pasur vështirësi në furnizim me libra se së pari në Kaçanik nuk kemi librari , me libra janë furnizuar përmes një marketi që është i kontraktuar prej një shtëpie botuese. Shifra të sakta se sa përqindja e nxënësve janë furnizuar nuk kemi por vështirësi kanë sidomos niveli i klasave 6-9. Prindërit kanë pasur edhe vështirësi të kyçen në platformën e MASHTIT , telashet kanë qenë me ata që nuk kanë pasur llogari në E-Kosova , kemi pasur edhe raste të prindërve që jetojnë jashtë Kosovës po fëmijët ju mësojnë këtu konkretisht në Kaçanik “, tha Guri për FrontOnline.
Hysni Luri: Disa nxënës të Hanit të Elezit që jetojnë në zonë kufitare kanë mbetur pa libra
Drejtori i Arsimit në Komunën e Hanit të Elezit, Hysni Luri, për Front Online ka deklaruar se komuna e tij ka mungesë librarish, dhe prindërit janë detyruar të udhëtojnë në Ferizaj për të blerë libra, shpesh duke pritur me orë të tëra dhe pa mundur të sigurojnë librat e nevojshëm.
Megjithatë, ai theksoi se sivjet kyçja në platformën “E-Kosova” ka qenë më e lehtë, krahasuar me vitin e kaluar, falë angazhimit të administratorëve të shkollave. Sidoqoftë, ndihma për prindërit që nuk kanë mundësi të marrin subvencion është e kufizuar, sidomos për ata që jetojnë në zona neutrale si lagjja Bardhi, ku fëmijët kanë dokumente të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe për këtë arsye nuk mund të përfitojnë subvencione.
“Komuna e Hanit të Elezit ka mungesë të librarive dhe e ka më vështire të furnizohen nxënësit me libra , për shkak se duhet të shkojnë librat me i ble në qytetin e Ferizajt , problemi tjetër është se prindërit edhe kur kanë shkuar i është dashur të presin me orë të tëra edhe në fund prapë nuk kanë mundur ti sigurojnë”, ka deklaruar ai për FrontOnline.
Sipas tij, sivjet kyçja në këtë platformën E-Kosova ka qenë më e lehtë , edhe pse ankesa kemi te prindërit të cilët nuk kanë mundësi të marrin subvencionim , pra fëmijët e tyre nuk posedojnë dokumente të Kosovës. “ Kemi shembull një fshat që është në zonë neutrale është lagjja Bardhi që prindërit e tyre kanë dokumente të Kosovës, por fëmijët e tyre kanë dokumente te Republikës së Maqedonisë Veriore , ata nxënës mësim mbajnë tek ne mirëpo nuk marrin subvencion”, u shpreh Luri.
Drejtori i Arsimit në Klinë: Gjendja me furnizim të librave është e keqe, sikur vitin e kaluar
Qemajl Sejdiu, drejtori i arsimit nga komuna e Klinës, ka raportuar sfida të ngjashme në sigurimin e librave.
Ai ka theksuar se ka pasur mungesa nga shtëpitë botuese dhe se gjendja këtë vit është e ngjashme me vitin e kaluar. Edhe pse janë ndihmuar prindërit për kyçjen në platformën MASHT-it, ka pasur probleme me mjetet, si minusa në kartela dhe probleme të tjera që kanë penguar përfitimin e subvencioneve.
“Ka pasur edhe prindër që nuk kanë ditur të kyçen në platformën MASHT-it, mirëpo janë asistuar nga shkollat, ne iu kemi ndihmuar , ka pasur edhe nga ata që nuk u kane dalur mjetet , ka pasur prej problemeve më të ndryshme , disa kanë pasur minusa në star kartela iu kanë marrë shumën e subvencioneve nuk kanë ditur e këso lloj rastesh , shumë probleme ka pasur “, u deklarua Sejdiu për Front Online.
Drejtori i Arsimit në Vushtrri: Furnizimi me libra nuk është duke shkuar sipas planifikimit
Në Vushtrri, Albanez Tahiraj drejtor i Arsimit, ka raportuar sfida të vazhdueshme në furnizimin me libra. Ai ka theksuar se furnizimi nuk është duke shkuar sipas planifikimit, dhe se ka probleme të vazhdueshme me aplikimin në platformën MASHT nga disa prindër.
Tahiraj gjithashtu ka përmendur mungesën e mjeteve financiare për blerjen e librave për disa fëmijë dhe mungesën e librave nëpër librari, duke e bërë të vështirë gjetjen e teksteve shkollore.
Ankesa për furnizim me libra ka të vazhdueshme , në ,mënyre sistematike , furnizimi nuk është duke shkuar ashti siç është menduar
“Si sfidë e parë: aplikimi apo çasja në platformë për disa prind është sfidë në vete , ne si DKA jemi shndërruar në asistentë të prindërve në mënyre që ti pajisim fëmijët me libra shkollorë
Sfidë tjetër është mos transferimi i mjeteve financiare ,ka raste kur prindërit ankohen te ne që brenda familjes për disa fëmijë u kanë dalur mjetet për blerjen e librave e për disa jo, sfida tjetër është mungesa e librave nëpër librari , ka numër të konsiderueshëm të teksteve shkollore të cilat mungojnë , edhe prindërit po hasin në vështirësi që ti gjejnë edhe kur po kërkojnë nëpër komuna të tjera , tha Tahiraj për Front Online.