“Deri në prill 2022, kur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen në Serbi, Beogradi sigurisht nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq kur u pyet nëse ai e përjashtonte mundësinë që Serbia ta njihte Kosovën.
Kjo deklaratë e tij po bie në kundërshtim të ashpër me atë të kryeministrit kosovar Avdullah Hoti i cili vazhdimisht përsërit se marrëveshja me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke.“Deklaratat se fqinji ynë verior nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës nuk i kontribuojnë dialogut. Dialogu ka rifilluar mbi parime të qarta për marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, dhe nuk do të ketë marrëveshje të pjesshme. Nëse nuk do të ketë njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje”, ishte kundërpërgjigjja e Hotit për Vuçiqin.
Por, megjithatë dialogu duket se do të vazhdojë. Të paktën nga pala kosovare.Drejtoresha për Informim në Zyrën e Kryeministrit, Antigona Baxhaku, ka thënë për klankosova.tv se Kosova do t’i përgjigjet thirrjeve të BE-së që thotë se nuk do të ketë kushtëzime në këtë proces.“Kosova do t’i përgjigjet pozitivisht çdo ftese të BE-së për takime në kuadër të procesit të dialogut”, tha Baxhaku.
Qëndrim të njëjtë me shefin e saj nuk ka ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla. Ajo para se Hoti të reagojë tha se Serbia po e përjashton veten nga dialogu deri më 2022.“Deklarata se Serbia nuk do ta njehë Kosovën deri në prill 2022 ngre dy hipoteza të përbashkëta ekskluzive: Serbia përjashton vetveten nga procesi i dialogut i lehtësuar nga BE-ja deri më 2022. Ndërmjetësuesi beson se ‘normalizimi i plotë’ nuk nënkupton domosdoshmërisht njohje reciproke”, ka shkruar Haradinaj në Tëitter.Ndryshe prej Qeverisë, pozicionimi i diplomacisë kosovare ka gjetur mbështetje nga partia e ministres.AAK-ja po këmbëngul se dialogu me Serbinë duhet të pezullohet, ashtu siç kërkoi pas zhvillimeve të Specialës që sollën situatë të re politike në vend.“Kryetari Haradinaj ka kërkuar pezullim të dialogut, menjëherë pas dorëheqjes së Presidentit Thaçi, për shkak të gjendjes së re politike. Qëndrimi nuk ka ndryshuar deri më tani”, ka thënë zëdhënësi i partisë Lulëzim Blaka për portalin.
Megjithatë, po filloi dialogu në nivel politik, AAK-ja nuk ka qëndrim të qartë nëse do të dërgojë në tryezën e bisedimeve ndonjë përfaqësues të tyre.Pavarësisht se AAK-ja edhe më herët ka kundështuar dialogun, Selim Selimi si i deleguar i kësaj partie, u bë pjesë e delegacionit kosovar në Bruksel.Nga PDK-ja erdhi një mendim nga deputetja Blerta Deliu se pas deklaratës së Vuçiqit duhet të pezullohet dialogu.“Nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaron publikisht se ai nuk do ta njoh Kosovën gjatë mandatit të tij, atëherë prania e Kosovës në çfarëdo dialogu me Serbinë, nuk ka më asnjë kuptim. Ky deklarim i presidentit serb është kushtëzim i hapur ndaj dialogut ndërkohë që gjithë kohën është proklamuar nga ndërmjetësuesit se dialogu duhet zhvilluar pa kushtëzime. Kosova nuk mund as guxon të bëhet pjesë e një procesi dialogues ku zbatohen standarde të dyfishta”, ka thënë ajo.Klankosova.tv ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma nëse duhet vazhduar dialogu ose jo, por që të dyja partitë s’janë përgjigjur.Ndërkaq, për analistin Faton Abdullahu dialogu duhet të vazhdojë në mënyrë që të mos fajësohet Kosova për ngecje të procesit.Ai deklaratën e Vuçiqit e lidhi edhe me ndërrimin e Administratës së SHBA-së derisa kritikoi politikanët e Kosovës se po brengosen më shumë me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri sesa për dialogun.“Me atë çfarë ka deklaruar Vuçiq dëshmon se Serbia po mendon gjerë e gjatë për dialogun dhe po merr qëndrim rreth tij dhe këtë në prag të ndryshimeve që do të bëhen në politikat e Uashingtonit zyrtar. Për dallim, klasa jonë politike e ka hall Presidentin apo zgjedhjet, riformatimin apo vazhdimin kështu siç jemi, e nuk jemi hiç mirë. Kjo klasë politike nuk e ka idenë se si t’ia bëjë me dialogun, sepse dialogu në rend të parë kërkon unitet politik e vetëm përçarje partiake si duket atyre po ju krijon terren për tu sulmuar ndërmjet veti e përfituar simpati politike parciale. E kuptueshme, sepse dialogu me Serbinë nuk është terren i mirë për populizëm, e populizmi sot sjell vota me pak e hiç investim, sidomos blihet me naivitet nga ata që vazhdojnë të mos e kuptojnë se politika matet me vepra jo me fjalë”, ka thënë Abdullahu në një përgjigje për klankosova.tv.“Në anën tjetër duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos biem në grackën e Vuçiqit. Ne duhet të jemi për dialogun dhe të përgatitemi për të”.Abdullahu rekomandon që pas kësaj çfarë ka deklaruar Vuçiqi, institucionet duhet të gjejnë forma të mira e të besueshme që ta akuzojnë Serbinë se është ajo që refuzon dialogun dhe ajo që nuk do të punojë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.Nuk dihet nëse këto qëndrime krejtësisht të kundërta të palës kosovare dhe asaj serbe do të arrijnë që të balancohen nga BE-ja si lehtësuese e këtyre bisedimeve. Këtë e fundit e ka kontaktuar klankosova.tv dhe është një pritje të përgjigjes për hapat e radhës në procesin e dialogut.