Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë apel tek institucionet e vendit që të heqin ndalesën e qarkullimit për mërgimtarët.
Ai, ka thënë se kjo duhet të bëhet të paktën deri pas festave.
Haradinaj, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, u ka uruar mirëseardhje të gjithë bashkatdhetarëve.
Postimi i tij i plotë:
Festat e fundvitit e gjallërojnë jetën në Kosovë, familjet tona dhe po ashtu ekonominë e vendit. Zakonshëm po ndodh edhe këtë vit, pavarësisht rrethanave pandemike, sikurse edhe në rrethanat e vështira historike për shqiptarët, mijëra bashkatdhetarë ia kanë mësyrë Kosovës.
Apeloj tek institucionet e vendit, që të hiqet ndalesa e qarkullimit, të paktën deri pas festave. Kjo do mundësonte qarkullimin e lirë të motrave e vëllezërve tonë që jetojnë jashtë vendit, e që po hasin në vështirësi të arrijnë në shtëpitë e tyre.
Mirë se vini bashkatdhetarë! Atdheu ju mirëpret!
RH