Ky është postimi i plotë i kësaj shoqate:
KËRKESË PËR LEJIMIN E VEPRIMTARISË “DELIVERY” PAS ORËS 19:00
Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës me Nr. 01/42 të datës 11.11.2020, ndalohet veprimtaria e gastronomisë nga ora 19:00 deri në 05:00 në komunat me rrezikshmëri të lartë. Shprehimisht në këtë vendim nuk ndalohet shërbimi me porosi “Delivery”, mirëpo gjithsesi shprehimisht lejohet ushtrimi i këtij shërbimi në zonat komunale të tjera.
Sa i përket ndikimit të pandemisë në aspektin ekonomik, tashmë është evidente që sektori i gastronomisë është më i godituri në vend. Sipas të dhënave të Agjensionit Statistikor të Kosovës (ASK), të hyrat dhe qarkullimi i sektorit të gastronomisë në krahasim me vitin 2019 dhe 2020, vetëm në tremujorin e dytë (TM2), rezultojnë të kenë pasur rënie prej 64%, si asnjë sektor tjetër në Kosovë.
Nga dy sondazhe të bizneseve dhe punëtorëve të raportit hulumtues të ndikimit të pandemisë në gastronomi të përgaditur nga SHGK dhe Korb Marketing&Research, kemi të raportuar që 36% e bizneseve të gastronomisë, janë detyruar që të largojnë nga puna punëtorët e tyre si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe problemeve të likuiditetit. Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk mund ta mbijetojnë këtë situatë dhe 56% e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna.