Lajme

769 ditë kanë kaluar kur Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova ka plotësuar kriteret për viza

769 ditë kanë kaluar kur Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova ka plotësuar kriteret për viza
11:19 | 25 Gusht 2020

Kanë kaluar më shumë se 2 vjet që kur Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave.

Më 18 korrik 2018 KE propozoi që të hiqen vizat për kosovarët pasi ishin plotësuar edhe dy kriteret e fundit, krijimi i një regjistri të hetimeve, vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe konfiskimeve lidhur me rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Por kanë kaluar 769 ditë nga propozimi i Komisionit Evropian kurse i njëjti ende nuk ka kaluar në Këshillin e Bashkimit Evropian aty ku edhe merret vendimi për heqjen e vizave, shkruan Gazeta Express.

Edhe përkundër rekomandimit të para më shumë se dy viteve, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor ku akoma është në fuqi regjimi i vizave shengen.

Shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë marrë liberalizimin e vizave para një dekade në vitin 2010.

Kosova shpreson që gjatë gjashtë mujorit të presidencës gjermane të Bashkimit Evropian, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të futet në agjendën e Këshillit të Bashkimit Evropian, pasi Gjermania është shprehur vazhdimisht pro heqjes së vizave për kosovarët.

Në qershor 2020, deputetët e Parlamentit Evropian kanë nënshkruar një letër përmes të cilës i kanë kërkuar kancelares Angela Merkel të vendosë në agjendë të Këshillit Evropian çështjen e libëralizimit të vizave për Kosovën.

Letrën e kanë nënshkruar 33 deputetë të PE’së nga parti të ndryshme të përfaqësuara në organin ligjvënës të BE’së./Express/

Loja e madhe ka filluar nga 31 Janar dhe vazhdon deri me 2 Shkurt në Petrol Company

Të tjera