[wp-story]

Lajme

21-vjetori i masakrës së Reçakut, qytetarët kujtojnë tmerrin

21-vjetori i masakrës së Reçakut, qytetarët kujtojnë tmerrin
20:18 | 15 Janar 2020

Kumrije Asllani ka mbetur e vetme me dy jetimë, pasi forcat serbe ia vranë burrin në Reçak. Ajo rrëfen për se si Mustafë Asllani u nxor me dhunë nga shtëpia, teksa kërkon drejtësi për të gjithë të vrarët në Kosovë. Në 21-vjetorin e masakrës së Reçakut edhe qytetarët kanë rrëfyer për tmerrin që kanë parë.

Kumrije Asllanit, forcat serbe ia morën burrin nga shtëpia duke e lënë atë të vetme më vajzën dhe djalin. Ajo rrëfen se si burri i saj Mustafai, u nxor me dhunë nga shtëpia e më pas u masakrua në Reçak.

“Ne kemi qenë me familje kur e ndanë burrin nga ne. Unë isha me vjehrrën kur ma morën burrin. Ma lanë fëmijën një vjeçar”, tregon për RTV Dukagjinin, Kumrije Asllani.

Tash e 21 vjet, Asllani viziton Kompleksin Përkujtimor në Reçak, për të kujtuar burrin e saj të vrarë dhe viktimat e tjera të këtij krimi makabër.

“Vij çdo vit këtu me 15 janar për të kujtuar atë ditë”, thotë më tej Kumrije Asllani.

Data 15, kur kujtohet vrasja masive e 45 shqiptarëve civil, mbledhë edhe shumë qytetarë të tjerë për të kujtuar viktimat e kësaj masakre.

Ilaz Hysiqi nuk e kishte përjetuar luftën në Kosovë, pasi kishte migruar në mërgatë. Por pavarësisht kësaj, ai vjen çdo vit nga Zvicra, për të nderuar ata që humbën jetën.

“Kur ka ndodhur masakra në Reçak unë kam qenë në Zvicër. Bashkë me familje e kemi ndjerë atë dhimbje edhe kombëtare por edhe shpirtërore pasi edhe vet jam i kësaj ane. Ndërsa për çdo vit unë bëj vizitën te varrezat e dëshmorëve. Kjo masakër ka tronditur gjithë botën pasi është bërë mbi popullatën civile”, deklaron Ilaz Hysiqi.

Qytetarët kanë hedhur akuza ndaj palës serbe për mohimin e krimeve që kanë bërë gjatë luftës. Pikërisht në këtë ditë, ata kërkojnë që Serbia të përgjigjet për të gjitha krimet, përfshirë edhe këtë masakër që kanë bërë në Kosovë.

“Petrol Company” ndihmon më shumë se 200 familje për festën e Fitër Bajramit (VIDEO)

Të tjera