Prokuroria Speciale e Hagës ende nuk e ka të gatshme aktakuzën ndaj krerëve të OVL-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. E njëjta pas përpilimit do të dorëzohet në gjykatë.
Kanë kaluar 17 ditë nga arrestimi i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe nënkryetarit, Nasim Haradinaj.
Në seancën e parë dëgjimore ndaj Hysni Gucatit e cila ishte mbajtur më 1 tetor të këtij viti, prokurorja speciale, Valeria Bolici, kishte thënë se shumë shpejtë do të dorëzojë në Gjykatën Speciale aktakuzë ndaj Gucatit dhe Haradinajt, madje në rastin e Gucatit kishte thënë që brenda 30 ditësh, që i bie më së largu në fund të muajit tetor apo në ditët e para të muajit nëntor.
Mirëpo Prokuroria Speciale ende nuk ka ngritur kurrfarë aktakuze ndaj tyre.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, i pyetur nga lajmi.net, se kur pritet të ngrihet aktakuzë ndaj Gucatit e Haradinajt, nuk ka dhënë ndonjë detaj e as datë, duke thënë se gjithçka e ka thënë prokurorja Bolici në seancën e 1 tetorit.
“Unë nuk mund t’ju jap më shumë informacione sesa ato që ka dhënë në gjykatë zonja Bolici”, ka deklaruar shkurt për lajmi.net, Christopher Bennett.
Në anën tjetër, avokati i OVL-së së UÇK-së, Tomë Gashi, kishte deklaruar të hënën për lajmi.net, se akoma nuk kanë parë asnjë provë nga Prokuroria Speciale që do të mund të ngrihej aktakuzë ndaj Gucatit e Haradinajt.
Mirëpo akoma nuk dihet se kur do të mbahet ndonjë seancë e radhës për Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Salih Mustafën, pasi që në kalendarin e publikuar në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ndonjë datë, përveç seancave dhe konferencave që janë mbajtur deri më tani.
Theksojmë që Zyra e Prokurorit të specializuar ka thënë se ndaj Gucatit e Haradinajt do të ngrihet shumë shpejt aktakuzë, madje në rastin e Gucatit është thënë që brenda 30 ditësh, që i bie në fund të muajit tetor dhe në ditët e para të muajit nëntor.
Ndryshe, sipas fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara, Gucati, dyshohet për pengim të drejtësisë përkatësisht “për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.
Gucati u arrestua në Prishtinë më 25 shtator nën dyshimet për pengim të drejtësisë. Ai u arrestua në zyrat e OVL të UÇK-së, në kohën kur Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu bastisje në këto zyra. Po të njëjtën ditë u arrestua edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, i cili po ashtu dyshohet se ka penguar drejtësinë.
Tri herë radhazi gjatë muajit shtator, OVL e UÇK-së mbajti konferenca për media ku u shpërndanë materiale që pretendohet se janë dokumente konfidenciale të Gjykatës Speciale.
Përmbajtja e këtyre dokumenteve është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.
Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, më 29 shtator ka bërë paraqitjen e tij të parë para Dhomave të Specializuara. Mbrojtja e tij kërkoi lirimin e menjëhershëm të Haradinajt nga paraburgimi, ndërkaq Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se shumë shpejt do të bëjë gati aktakuzën ndaj Haradinajt.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 24 shtator, Gjykata Speciale ka bërë arrestimin e parë në Kosovë. Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa është personi i parë që u arrestua dhe u transferua në Hagë. Ndaj tij është ngritur aktakuzë për krime lufte. Gjatë paraqitjes së parë para gjykatës, Mustafa nuk është deklaruar se nëse e ndjen veten të pafajshëm apo fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij.