Nga një shpërthim, që dyshohet se ndodhi nga bombola e gazit, 15 veta sot kanë mbetur të lënduar në qendrën e lojërave për fëmijë “BlissVille” në rrugën Prishtinë – Ferizaj.
Shtatë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, pasi që kanë marrë djegie në fytyrë dhe duar dhe po trajtohen në Qendrën e Klinikës Universitare.
Por, i kujt është biznesi “BlissVille”?
Sipas të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit ky biznes është në emër të Ilaz Zharkut.
Ky i fundit është vëllau i ish-ministrit nga radhët e LDK-së, Lutfi Zharkut.
Këtë e ka konfirmuar për Front Online vetë ish-Ministri.
“Po biznesi është i vëllaut tim, Ilazit. Nuk është hapur akoma. Kontraktorët kanë qenë duke i kryer disa punime”, tha shkurt ai për Front Online.