×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Kërkohen kushte më të mira të trajtimit për gratë e prekura me kancer të gjirit

    FrontOnline
    09 Tetor 2020

    Për gratë e Kosovës të atakuara me sëmundjen e kancerit të gjirit po kërkohet përkujdesje më e madhe institucionale. Këtyre të fundit po u mungon mbështetje e nevojshme psiko-sociale, e pajisje të tjera, ku shëndetin e tyre mendor më shumë po e rëndon faza pas trajtimit, kur ato po ndjehen keq pa flokë dhe kanë mungesë edhe të parukave dhe protezave gjokësore. Këto nevoja po kërkohet që të rregullohen me ligj, dhe të mos priten vetëm ‘lëmoshat’ e organizatave dhe njerëzve vullnet-mirë.

    Kështu u tha në një diskutim të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, kushtuar muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit.

    Arnisa Osmani, e cila është e mbijetuar e sëmundjes së kancerit të gjirit ka pasur një mesazh sot për të gjitha gratë.

    “ Jeta është e shkurtër, kështu që ju lutem bëni kontrollet sa më herët që të mbijetoni, ashtu siç kam mbijetuar edhe unë”, u shpreh ajo.

    E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se ky takim është për të dhënë mesazhet për të shërbyer si qasje për plotësimin nevojave por edhe luftimin e hershëm të kësaj sëmundje. Ky muaj sipas tij, duhet të shërbejë si respekt për heroinat dhe të jetë udhërrëfim për gratë dhe vajzat tjera.

    “Luftimi i kancerit të gjirit është luftë që fillon por nuk mbaron vetëm me tetorin. 12 muaj të vitit duhet të jemi të përgjegjshëm për rrezikun nga kanceri i gjirit. Nuk është e lehtë, por nëse i respektoni rekomandimet, gjasat të fitojmë betejën i ka secila grua dhe vajzë. Gatishmëria juaj për të hetuar herët, për të mos u nënshtruar është hapi i parë drejt suksesit të përbashkët. Jemi dëshmitarë për rastet e shumta fatale. Patjetër duhet të ulim këtë fatalitet me ndërgjegjësime për rrezikun nga kanceri i gjirit. Me hetimin e hershëm të kësaj sëmundje tinëzare fitohet beteja, lufta ndaj kancerit të gjirit është kauzë e përbashkët dhe jemi bashkë. Jemi këtu për të dhënë mesazhe se sëmundja tinëzare ka shërim, vetëm duhet që të bëhet zbulimi i hershëm”, tha ministri Zemaj.

    Ish-presidentja, Atifete Jahjaga ka theksuar se këtë vit nuk po organizohet ecja tradicionale, me qëllim të mbrojtjes së grave nga përhapja e korona virusit, por që sipas saj, ky muaj duhet të reflektojë për shëndetin dhe rrezikun e kësaj sëmundje.

    “Fatkeqësisht viteve të fundit kemi parë statistika që janë në rritje sa i përket kancerit të gjirit, por është edhe muaj i cili na rikujton nevojën dhe domosdoshmërinë për një përkrahje të vazhdueshme institucionale që u nevojiten gjitha këtyre nënave dhe motrave. Sepse nuk janë vetëm gratë që janë të prekura nga kanceri i gjirit, por kanceri i gjirit i prek edhe botën mashkullore. Dhe kjo përkrahje institucionale sado pak ju zbut dhimbjen dhe ju lehtëson këtë rrugëtim të të mbijetuarve, por veçanërisht familjarëve të tyre që barrën ndoshta e kanë shumë të madhe, se sa që e kanë të prekurit”, theksoi ajo.

    Sipas saj, ky muaj duhet të shërbejë për avokim të kujdesit ndaj shëndetit dhe që gratë të kenë prioritet kujdesin ndaj vetës.

    Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit Jeta/Vita, Nafije Latifi, e cila ishte ballafaquar vet më këtë sëmundje, theksoi se që 15 vjet si organizatë janë duke pasqyruar gjendjen jo të mirë të grave në përballjen me këtë sëmundje. Madje, ajo kërkoi që institucionet mos të presin vetëm lëmoshat e organizatave dhe njerëzve vullnet-mirë.

    “Në vazhdimësi edhe këtu sot bëjë kërkesë që të shtohen mundësitë që gratë t’i kenë më shumë kushtet për diagnostikim me ultrazë dhe mamografë. Të ketë staf profesionalë në çdo Qendër të Mjekësisë Familjare. Që të mos ketë pritje të gjata për intervenime kirurgjike, si dhe për trajtime onkologjike. Krahas kësaj të krijohen kushte që pacientët me kancer të gjirit të kenë mbështetje shumë të nevojshme psiko-sociale, fizioterepautike në institucionet që trajtohen. Dhe përfundimisht të kenë pajisje ndihmëse që pacientët pas trajtimit të mos ndjehen keq pa flokë dhe pa proteza gjokësore, gjë që e dëmton shumë psiken e tyre. Këto nevoja duhet të sigurohen nga institucionet përgjegjëse dhe duhet të rregullohet me ligj, në mënyrë që të mos priten vetëm lëmoshat e personave të shoqatave vullnetmira”, ka deklaruar Latifi në këtë takim.

    Në këtë tetor, Latifi ka theksuar se janë reduktuar aktivitetet që të mos rrezikohet shëndeti i grave. Kështu nuk do të mbahet as ecja tradicionale për herë të 13-të me moton “Zbulimi i hershëm, mbijetesë”.

    Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi theksoi se pasurimi i listës esenciale me barna do të ndihmonte shumë në trajtimin më të mirë të sëmurëve.

    “ Pasurimi i listës esenciale me barna dhe modernizimi i aparaturës do të sjellë një kualitet edhe në trajtim të këtyre të sëmurave, edhe një komoditet dhe jetëgjatësi shumë më të madhe të pacientëve tona, të cilat nga dita në ditë numri i tyre rritet. Dhe një përqindje prej 3 deri në 4 për qind nga viti në vit i rritur i këtyre rasteve me kancer të gjirit neve na detyron që të modernizojmë dhe të rrisim kapacitetet edhe institucionale por edhe hapësinore, dhe kapacitete të tjera mjekësore që t’iu dalim ballë këtyre rasteve që kanë nevojë për shërbim”, ka theksuar Kurtishi.

    Për gjendjen jo të mirë të sektorit të shëndetësisë, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj tha se është e vetëdijshme. Për çka tha se Klinika e Onkologjisë ka nevojë për përkrahje.

    “ Sot para jush shprehi shqetësimin dhe njëherit të bëjë ftesë që në Kosovë, jo vetëm në muajin tetor, por tërë vitin duhet të jetë muaj i ndërgjegjësimit dhe përkrahjes kundër kancerit të gjirit. E them këtë sepse janë një varg problemesh dhe nevojash që kanë gratë e prekura por edhe burrat, e ata të mbijetuar ndaj kësaj sëmundje që kërkon trajtim. Kështu para jush po zotohem se do të jem zëri juaj në çdo kohë dhe jo vetëm në një muaj. Do të jem zëri juaj edhe në kuvend ku do të paraqes kërkesat që i duhet Klinikës së Onkologjisë dhe trajtimit të grave me kancer të gjirit”, ka premtuar ajo.

    Gjatë këtij viti janë diagnostikuar 250 raste me kancer të gjirit. Gjatë këtij muaji Qendra për Luftimin e Kancerit të Gjirit, Jeta/Vita do të shpërndajë maska me simbolikën e kancerit të gjirit, të cilat do të shpërndahen në sheshet e kryeqytetit dhe Institutin Onkologjik. Po ashtu, do të dekorohen më shumë se 90 drunjë të shesheve me fjonga roze.

    Comodita me dyshekët e saj në Panairin MOW, fiton klientë të rinj në Gjermani
    Nga Rubrika
    Lajme24 Prill 2024
    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar deputetët e Parlamentit të Finlandës, njëherit anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, kryesuar nga...
    Lajme24 Prill 2024
    Orë më parë ka filluar takimi i anëtarëve të komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe komisionit për Punë të Jashtme...
    Lajme24 Prill 2024
    Në kuadër të vizitës dhe pjesëmarrjes së bizneseve nga Kosova në panairin Hannover Messe 2024, nën organizimin e Agjencisë për Investime dhe...
    Të tjera
    Lajme24 Prill 2024
    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren...
    Sport24 Prill 2024
    Prishtina i është bashkuar Ballkanit në finalen e Kupës së Kosovës në futboll. Kjo pasi të mërkurën e ka eliminuar Dritën në...
    Lajme24 Prill 2024
    Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka dhënë një përgjigje në reagimet e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti...
    Lajme24 Prill 2024
    Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit Elbert Krasniqi për grantin e performancës. Ajo i ka thënë Krasniqit që mos...
    Lajme24 Prill 2024
    Dy persona janë arrestuar nga policia sot të dyshuar për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Marrja e ryshfetit”. Në njoftimin e...
    Lajme24 Prill 2024
    Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli tashmë deputet i pavarur i Kuvendit të Kosovës është deklaruar për raportet e “Freedom Houese” dhe DASH-it...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.