×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Drejtori i Prokurimit në ShSKUK: Nuk jam i informuar për kontratat e nënshkruara nga Ministria e Shëndetësisë

    FrontOnline
    25 Nëntor 2020

    Drejtori i Prokurimit në ShSKUK, Selami Krasniqi ka thënë se në këtë institucion aktualisht është vetëm një operator për oksigjen. Ai ka njoftuar se kontrata e parë për furnizim është bërë në prill, ndërsa kontrata e rregullt është nënshkruar në fillim të qershorit. Krasniqi ka theksuar se nuk është i informuar për kontratat e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe as për duplikimin e tyre. Ndërkohë, që ka shtuar se të gjitha kontratat janë bërë më procedurë të hapur, ndërsa ajo për blerjen e oksigjenit me negocim.

    Krasniqi është intervistuar të mërkurën nga anëtarët e Komisionit Hetimor për Pandeminë, i cili është pyetur për procedurat e kontratave dhe për furnizimin me oksigjen. Selami Krasniqi ka qenë i shkurt në përgjigjet e tij, derisa ka shtuar se që nga fillimi i pandemisë e deri në qershor, kanë kryer procedura të rregullta për barna, duke thënë se nuk kanë pasur diçka të veçantë.

    “Oksigjeni është kontraktuar një kontratë ka qenë në prill, me 23 prill 2020, dhe kontrata e rregullt ka qenë në fillim të qershorit, me 2020. Edhe tani kemi dashur sa i përket oksigjenit një kontratë, sepse kemi kontratë të rregullt me një operatorë, mirëpo janë paraqitur kërkesa shumë të mëdha për oksigjen, dhe është e pamundur që një operator t’i përballojë kërkesat e njësive të ShSKUK-së, mirëpo nuk kemi pasur operator për këtë ”, ka thënë Krasniqi.

    Krasniqi ka theksuar se të gjitha kontratat janë publike, mirëpo në rast se kërkohet nga ky komision do të dërgojnë listë të tërë për krejt këtë periudhë.

    Nënkryetari i këtij komisioni, Bekim Haxhiu theksoi rastet e kontratave të duplikuara, për çka ka kërkuar përgjigje edhe nga Krasniqi.

    “Pse atëherë Ministria e Shëndetësisë ka bërë blerjen e pajisjeve mbrojtëse edhe barnave gjatë kësaj periudhe kohore kur ShSKUK ka pasur zyrën e Prokurimit dhe ka pasur, si është realizuar? Pse njëkohësisht janë realizuar dy procedura të prokurimit?”, ka pyetur Haxhiu.

    Për këtë Krasniqi tha se nuk kanë informacion pse janë zhvilluar procedura prej Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë, që shtoi se nuk ka qenë i informuar as për kontratat e kësaj ministrie.

    Tutje, Haxhiu ka pyetur edhe për dallimet në çmime të dorezave të kontratave të MSh-së dhe çmimit real.

    “Për shkak se ne kemi blerje të barnave, të cilat ju si ShSKUK i keni pasur kontratë valide. Pra disa deri në muajin korrik, disa deri në muajin tetor, disa deri në fund të muajit, keni pasur kontratë valide për barna dhe disa pajisje mbrojtëse. Pse është lejuar që të bëhet duplifikimi i kontratave sepse edhe kontratën të cilën ju e keni dërguar, e keni nënshkruar tek Drejtoria e Farmacisë edhe Furnizimit edhe kontrata e Ministrisë së Shëndetësisë të nënshkruara nga zyra e Prokurimit të MSh-së prapë është dërguar atje. Dhe tani kemi duplifikim për disa pajisje mbrojtëse dhe barna të kontratave të dyfishta, a jeni në dijeni për këtë dhe a keni ndërmarrë që të ndalohet një gjë e tillë”, ka pyetur Haxhiu.

    “Jo unë nuk kam qenë i informuar, unë vetëm për kontratat e mia kam bërë propozim përmes menaxherëve të kontratës dhe është aprovuar, ka ardhur vendimi, më kanë dhënë informata për çdo fazë të furnizimit të kontratës. Mirëpo, për kontrata të MSh-së nuk kam informata”, është përgjigjur Krasniqi para anëtarëve të komisionit.

    Veç tjerash, sa i përket këtyre kontratave, anëtarja e opozitës Fatmire Kollçaku-Mullhaxha tha se ish-drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu para komisionit kishte thënë se ky institucion kishte nënshkruar kontratë me operatorë ekonomikë.

    “Në një pjesë të dëshmisë të ish-drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiu ka cekur që SHSKUK ka pasur kontratat të nënshkruara me operatorë ekonomikë, të cilët gjatë fillimit të pandemisë edhe pse kanë pasur të nënshkruara me ShSKUK-në nuk kanë bërë furnizimin e këtij institucioni në bazë të kontratave që i kanë pasur. Ju si drejtues i Zyrës së Prokurimit, a e pohoni a po e mohoni këtë deklaratë të ish-drejtorit”, ka pyetur ajo.

    Edhe për këtë, Krasniqi tha se nuk është informuar, veçse shtoi se operatorët kanë pasur probleme në liferimin e mallit, meqë siç theksoi ai, kërkesat kanë qenë të mëdha. Ai tha se nuk ka pasur operatorë të cilët kanë kërkuar për shkëputjen e kontratës, në pamundësi të liferimit të mallit.

    Veç tjerash, u zotua se në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës të gjitha procedurat e prokurimit janë transparente, dhe se të gjitha kontratat janë bërë në procedurë të hapur vetëm kontrata për blerjen e oksigjenit është bërë me negocim.

    BAD NEWS EAGLE BËJNË HISTORI NË LIGËN E LEGJENDAVE DHE DY FINALE FANTASTIKE BASKETBOLLISTIKE TREPÇA – PEJA
    Nga Rubrika
    Lajme28 Mars 2024
    Një person është therur rreth orës 7:30 të mëngjesit të enjten në Istog. Policia ka dalë në vendngjarje menjëherë dhe të lënduarin...
    Lajme28 Mars 2024
    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, tha se qëndrimi i Qeverisë është i qartë për qëndrimin...
    Lajme28 Mars 2024
    Kryeministri Albin Kurti bëri homazhe te familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë dhe më pas shkoi në fshatin Izbicë të Skenderajt...
    Të tjera
    Front TV28 Mars 2024
    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se falë “punës së jashtëzakonshme të Qeverisë Kurti”, Kosova ka avancuar drejtë anëtarësimit në...
    Lajme28 Mars 2024
    Në përvjetorin e 25-të të masakrës së kryer në Podujevë nga njësiti serb “Skorpionët”, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe te varrezat e...
    Lajme28 Mars 2024
    Njësia e Antidrogës së Policisë së Kosovës kanë zhvilluar sot një aksion në rajonin e Prizrenit dhe Gjakovës. Gjatë bastisjeve në këto...
    Lajme28 Mars 2024
    Ish-deputeti i VV’së, Fatmir Humolli ka folur nëse Bedri Hamza ka mundësi ta mposhtë Albin Kurtin.Por, sipas Humolli garat duhet të bëhen...
    Lajme28 Mars 2024
    Lidhja Demokratike e Kosovës “është dashuruar” në frazën “Hajnat n’burg” – frazë kjo e përdorur shumë nga Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në...
    Lajme28 Mars 2024
    Këshilli Drejtues i PDK-së, me ftesë të kryetarit Memli Krasniqi, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar për...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.