Gjuha:
×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Partitë parlamentare larg konsensusit për presidentin

    FrontOnline
    2 vite më parë

    Zgjedhja e një kandidati për president të vendit duket të jetë vështirë e arritshme për koalicionin aktual qeverisës. Megjithëse LDK pret diskutim përtej partive në pushtet për të gjetur një zgjidhje, në Lëvizjen Vetëvendosje mohojnë kategorikisht përfshirjen, në atë që ata i quajnë, pazare për postin e kreut të shtetit. Ndërsa në PDK thonë se kjo temë është vetëm e koalicionit qeverisës dhe se nuk është diskutuar asnjëherë brenda partisë.

    Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi thotë për KosovaPress se nëse ka një marrëveshje të gjerë për një zgjidhje të caktuar do të marrin vendimet e duhura, por thotë se “votë blanco” nuk japin për askënd.

    “Kjo është çështje më gjithëpërfshirëse dhe duhet të diskutohet përtej koalicionit. Ky koalicion qeverisës e ka të pamundur të zgjidhë çështjen e presidentit dhe duhet një konsultim më i gjerë se konsultimin brenda koalicionit. […] Kjo nënkupton se duhet të ketë konsultime më të gjëra, përfshi Vetëvendosjen dhe PDK-në për të arritur një proces të suksesshëm në Kuvend. […] Nëse ka marrëveshje të gjerë për një zgjidhje të caktuar atëherë normal që ne do diskutojmë dhe do të marrim vendimet e duhura. […] Nuk mundet askush të japë ‘vota blanco’ për askënd”, thotë ai.

    Por kundër çfarëdo lloj përfshirjeje për emërimin e një presidenti të ri, pa zgjedhje të reja, u shpreh deputetja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    “Nuk mundemi të përfshihemi në pazaret të cilat i sjellin vetëm dëme vendit. E dyta të cilat nuk kanë asnjë peshë apo relevancë për qytetarët në këtë moment. Në këtë moment për qytetarët është e rëndësishme t’i kthehet legjitimiteti një qeveri të re. Të ketë vendimmarrje të mirëfilltë për qytetarët dhe natyrisht legjislatura e radhës të vendosë për një kandidat apo kandidate konsensuale dhe që reflekton unitetin në vend dhe jo që synon, ashtu siç kemi parë deri tash, vazhdimin e politikës së pazareve prej postit të presidentit”, thotë ajo.

    E deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se zgjidhja e një presidenti të ri për vendin nuk është temë brenda partisë dhe se asnjëherë nuk është diskutuar.

    “Kjo nuk është temë brenda PDK-së. As nuk është diskutuar dhe as nuk është duke u diskutuar”, tha ai ditë më parë.

    Ndërkaq, rol të rëndësishëm në votimin e një presidenti të ri, Arton Demhasaj nga shoqëria civile e sheh tek AAK-ja.

    Sipas tij, nëse kjo e fundit nuk lëshon pe në kërkesën e tyre për kandidaturën e Ramush Haradinajt atëherë vendi shumë lehtë mund të shkojë në zgjedhje të reja.

    “Duke marrë parasysh se çelësi i zgjidhjes së këtij problemi dhe krijimi i shumicës së nevojshme për t’u zgjedhur presidenti është tek AAK-ja atëherë me gjasë mund të ndodh që AAK-ja mos të lëshojë pe tek pozita e presidentit, pastaj do të lindë nevoja që PDK me LDK-në të gjejnë një zgjidhje që t’i japin më shumë hise PDK-së në qeveri në mënyrë që vendi mos të shkojë në zgjedhje. Të dyja janë të mundshme, por me gjasë për shkak të pozicionit të fortë që AAK-ja e ka në këtë moment dhe mund të mos lëshojnë pe”, thotë ai.

    KosovaPress ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga AAK-ja për këtë çështje, mirëpo nuk kanë qenë të qasshëm.

    Më 4 nëntor, pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, ish-presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i të parit të shtetit. Detyrën e kreut të shtetit po e ushtron kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

    Si të kurseni mbi 350 kilovatë/orë në muaj me një investim të thjeshtë, tregon Idriz Ferati, drejtor i Auditimit në…
    Nga Rubrika
    Lajme31 Mars 2023
    Të hënën në Gjykatën Speciale do të fillojë gjyqi ndaj krerëv të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi...
    Lajme31 Mars 2023
    Diplomati i karrierës, Agron Maloku ka paditur Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) që udhëhiqet nga Donika Gërvalla. Padia e...
    Lajme31 Mars 2023
    Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media, ku është theksuar se brenda dy vitesh qeverisje nga Albin Kurti,...
    Të tjera
    Vip31 Mars 2023
    Këtë vit ka qenë pothuajse e pamundur mospërfshirja e personazheve të njohura në historitë e krijuara brenda Big Brother Vip. Politikanë, gazetarë,...
    Lajme31 Mars 2023
    Kryeministri i Kosovës Aljbin Kurti ka mbështetur Milo Gjukanoviqin para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi. Kurti ka...
    Lajme31 Mars 2023
    Kuvendi i Kosovës do të bashkëpunojë me Ambasadën Zvicerane në Kosovë, e cila me anë të një projekti do t’i ndihmojë deputetët...
    Lajme31 Mars 2023
    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është i gatshëm për t’u përballur me çdo lloj skenari gjatë zgjedhjeve lokale...
    Bota/Rajoni31 Mars 2023
    Ukraina nuk do t'i falë kurrë ushtarët rusë përgjegjës për krimet në Bucha, tha Volodymyr Zelensky gjatë përkujtimit të përvjetorit të rimarrjes...
    Kronika31 Mars 2023
    Në Ferizaj është arrestuar një burrë pasi dyshohet se ka shkuar në vendin e punës të një gruaje dhe ia ka marrë...

    FrontOnline, © 2023 Të gjitha të drejtat e rezervuara.